Të mërkurën u mbyll në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin sesioni i 4-t i legjislaturës së 12-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. Mediat e huaja ia kanë kushtuar vëmendje veçanërisht miratimit të Planit të 13-të 5-vjeçar dhe besimit të shprehur nga kryeministri Li Keqiang te ekonomia e Kinës.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA vuri në dukje se, sipas Planit të 13-të 5-vjeçar, në pesë vjetët e ardhshëm, në zonat urbane në Kinë do të shtohen 50 milionë vende të reja pune dhe do të përmirësohen autostradat dhe hekurudhat me shpejtësi të lartë, ndërsa kontributi i teknologjisë së përparuar në rritjen ekonomike do të arrijë 60 %.
Agjencia franceze e lajmeve AFP bën të ditur nga ana e saj se Plani i 13-të 5-vjeçar parashikon që në vitin 2020 GDP-ja e Kinës të arrijë në 92.7 miliardë juanë, nga 67.7 miliardë juanë në vitin 2015.
Në uebsajtin e rrjetit amerikan CNBC njoftohet se qeveria kineze ka vendosur objektivin që sivjet rritja ekonomike të jetë nga 6.5% deri 7%. CNBC shprehet se, megjithëse jashtë Kinës ekzistojnë dyshime lidhur me rritjen e ekonomisë kineze, kryeministri Li Keqiang ka theksuar se është e pamundur që Kina të mos arrijë objektivat kryesore ekonomike të përcaktuara. (Çang Çuo/Artan Goga)