Shqipëria, Kina angazhohen për thellimin e bashkëpunimit
  2016-03-15 10:52:25

Shqipëria dhe Kina konfirmuan vendosmërinë për të nxitur marrëdhëniet e bashkëpunimit dypalësh të hënën, kur ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Ditmir Bushati u takoi ndihmësministrin e Jashtëm kinez Liu Haixing, i cili është njëherësh dhe sekretari i përgjithshëm i Nismës së Bashkëpunimit Kinë +16 (vendet e Europës Qendrore dhe Lindore).

Gjatë takimit,ministri Bushati shprehu vullnetin e palës shqiptare për forcimin e mëtejshëm të dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet dhe kërkoi nga pala kineze mbështetje për projekte konkrete.

Në kuadër të Nismës së Bashkëpunimit Kinë +16 vende të Europës Qendrore dhe Lindore, ministri Bushati rikonfirmoi vullnetin e palës shqiptare për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, detare dhe ajrore në funksion të përfitimit të ndërsjellë.

Në takim u shpreh gatishmëria për të diskutuar në mënyrë aktive mbi bashkëpunimin për ndërtimin e rrjeteve të transportit rajonal.

Vizita e delegacionit kinez në Ministrinë e Punëve të Jashtme u pasua më tej me zhvillimin e konsultimeve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. (Leftion Peristeri)