Ndihmësministri i jashtëm i Kinës viziton Tiranën
  2016-03-14 11:11:19

Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga Ndihmës-ministri i Jashtëm i Kinës dhe Sekretar i Përgjithshëm i Nismës së Bashkëpunimit Kinë +16 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, Liu Haixing ka mbërritur të dielën në Tiranë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare, duke cituar postimin në rrjetin sociaë Facebook, të zëvendësministrit të jashtëm shqiptar, Selim Belortaja, i cili ka pritur delegacionin kinez në aeroportin "Nënë Tereza" , shkruan se, "të hënën do të zhvillohen konsultime diplomatike mes dy vendeve, ku do të shqyrtohet  ecuria e marrdhënieve dypalëshe në sferat politike, ekonomike e tregtare, kulturore, si dhe atë në kuadër shumëpalësh".

Belortaja thekson se, "vend të veçantë do zerë shqyrtimi i platformës 16+1 me mundësitë dhe instrumentet që ofron. Do të ndajmë informacion për mundësi e projekte zhvillimi në Shqipëri, si dhe mbështetjen e tyre edhe nga burimet tekniko-financiare (publike e private) kineze. Do të sjellim natyrisht edhe vlerësimin e secilit për zhvillimet kyçe ndërkombëtare".

Ministria e Punëve të Jashtme njofton se delegacioni kinez i kryesuar nga ndihmës-ministri i Jashtëm, Liu Haixing do të takohet në orën 10:00 (sipas orës lokale)  të hënën me ministrin e jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati. (ATSH)