Gjykata e Auditimit e Greqisë miratoi të martën vendimin e Autoritetit të Portit të Pireut për t'i shitur 67% të aksioneve kompanisë kineze COSCO, gjë që shënon përparimin e procesit të privatizimit të portit më të madh grek.
Transaksioni i miratuar nga Gjykata e Audimit duhet t'i kalojë më pas për miratim edhe Autoritetit të Konkurrencës të Greqisë. Më pas të dyja palët duhet të nënshkruajnë një marrëveshje, që do të paraqitet për miratim në Parlamentin grek. Mbarë procesi duhet të përfundojë në maj.
Sipas një raporti të publikuar nga Fondi i Studimit të Ekonomisë dhe Industrisë i Greqisë, pas privatizimit, porti i Pireut do të tërheqë 500 milionë euro investime brenda pesë vjetëve dhe do të krijojë të paktën 31 mijë vende pune deri në vitin 2025. Raporti vëren se projekti i privatizimit të portit do t'i tregojë botës se Greqia është një vend tërheqës dhe i sigurt për investime. (Fang Xiaoyu/Artan Goga)