Autoritetet kineze i kanë bërë edhe një herë thirrje Japonisë të largojë shqetësimet e Pekinit mbi rezervat e materialeve bërthamore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Hong Lei tha se sasia e materialeve bërthamore që ruhet në Japoni i tejkalon nevojat e vendit.
"Komuniteti ndërkombëtar ka shfaqur prej kohësh shqetësimin për ruajtjen e sasive të mëdha të materialeve bërthamore dhe rreziqet e sigurisë si dhe krijimin e mundshëm të një arme bërthamore nga Japonia. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe Samiti i Sigurisë Bërthamore e kanë theksuar se vendet duhet të mbajnë në ekuilibër kërkesën dhe ofertën e materialeve bërthamore. Ne shpresojmë se Japonia me vullnetin e saj do të mbajë një qëndrim të përgjegjshëm dhe do të ndërmarrë veprime në përgjigje të shqetësimit të komunitetit ndërkombëtar," deklaroi Hong.
Çështja e rezervave të materialeve bërthamore të Japonisë u soll në vëmendje përsëri pasi një bashkëpunëtor i lartë i Qendrës Carnegie Endowment për Paqen Ndërkombëtare paralajmëroi se vendet e tjera të rajonit mund të rrisin rezervat e tyre bërthamore, nëse Japonia nuk i ul të sajat.
Japonia ka rreth 48 tonë plutonium dhe disa vende shqetësohen se ato mund të përdoren për krijimin e një arme bërthamore.
Megjithatë, kundërshtimi publik në Japoni për pasjen e një arme bërthamore mbetet i lartë, duke qënë i vetmi vend në botë që ka vuajtur pasojat e një sulmi të tillë.(Raela)