Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten në mbrëmje se reforma në drejtësi padyshim përbën çelësin për hapjen e portës së negociatave me Bashkimin Europian.
Pas takimit dypalësh dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Sigurisë, Kryeministri Edi Rama dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini dhanë një deklaratë për mediat ku vunë theksin tek rëndësia e reformës në drejtësi.
Lidhur me krizën e rëndë të refugjatëve, Rama tha se "Shqipëria është një vend i vogël, por asnjëherë nuk i ka bërë bisht përgjegjësive me partnerët tanë, si në NATO dhe në BE". Duke garantuar për angazhimin institucional të BE-së për Shqipërinë, Mogherini shprehu besimin për hapjen e negociatave për anëtarsimin e Shqipërisë në BE. Ajo vlerësoi edhe rolin e shkëlqyer dhe përgjegjësinë që luan Shqipëria në rajon dhe arenën ndërkombëtare. Në fjalën e mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë, Mogherini vlerësoi hapjen e negociatave me BE-në dhe bëri thirrje për vazhdimin e reformave.(ATSH)