Zv./ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Ryabkov u shpreh të hënën se Moska do të vazhdojë luftën me organizatat terroriste të Sirisë, ndërsa bëri thirrje për përmirësimin e dialogut politik.
Ryabkov tha se nisja e procesit politik është një detyrë e rëndësishme e kësaj faze.
"Duhet të merret parasysh elementi kurd dhe nuk mund të mungojnë përfaqësuesit e tyre në bisedime. Rusia është e mendimit se pa pjesëmarrjen e presidentit të Sirisë Bashar al Assad, kriza nuk mund të zgjidhet," tha ai.
ShBA-ja dhe Rusia arritën marrëveshjen e armëpushimit në Siri, e cila nuk përfshin operacionet ushtarake për goditjen e "Shtetit Islamik" (IS), Frontit Al-Nusra dhe organizatave të tjera terroriste të përcaktuara si të tilla nga Këshilli i Sigurimit i i OKB-së.
Ushtria qeveritare e Sirisë dhe afro 100 forca të opozitës kanë pranuar marrëveshjen e armëpushimit, e cila hyri zyrtarisht në fuqi më 27 shkurt. (Xu Guang/Leftion Peristeri)