Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi mbajti një fjalim në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington, ku ndodhet për një vizitë zyrtare. Më herët ai takoi dhe sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry.
Në fjalimin e tij ministri Wang Yi tha se Kina, si ekonomia e dytë më e madhe e botës po ndërmerr reforma strukturore dhe po ndjek rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.
"Rënia e menjëhershme e ekonomisë kineze nuk do të ndodhë, ndërsa politika e Kinës për reforma dhe hapje të mëtejshme nuk do të ndalojë. "
Wang tha se qëllimi i politikës së jashtme të Kinës është garantimi i një mjedisi miqësor për rilindjen e kombit kinez, ndërsa shtoi se Pekini nuk do të nxitë me forcë asnjë vend tjetër për të pranuar filozofinë e tij të zhvillimit të sistemit shoqëror.
Ai tha se përparësi është ruajtja e rendit ndërkombëtar të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore.
"Sot bota nuk është tejet paqësore dhe kjo ndodh për arsye se Karta e Kombeve të Bashkuara nuk është zbatuar siç duhet. Parimi i mosndërhyrjes së punët e brendshme dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve në rrugë paqësore është braktisur. "
Wang shtoi se Banka Aziatike e Investimeve Strukturore u krijua për të perfeksionuar sistemin e tanishëm financiar ndërkombëtar, ndërsa nismat që lidhen me Rrugën e Mëndafshit synojnë nxitjen e zhvillimit të përbashkët me vendet e tjera. (Leftion Peristeri)