Presidenti amerikan Barak Obama u bëri thirrje ligjvënësve të martën për të shqyrtuar me paanësi planin e tij për të mbyllur burgun ushtarak amerikan në Gjirin Guantanamo-s në Kubë.
Obama po përpiqet të mbajë një nga premtimet e bëra tetë vjet më parë kur u zgjodh në krye të Shtëpisë së Bardhë, për të përdorur të drejtën e urdhrit ekzekutiv për të mbyllur qendrën e vuajtjes së dënimit.
"Prej shumë vitesh është e qartë se qendra e vuajtjes së dënimit në Gjirin e Guantanamo-s nuk i shërben përmirësimit të sigurisë sonë kombëtare. Por përkundrazi po e dëmton. E pengon luftën tonë kundër terrorizmit pasi ata (radikalët myslimanë) e përdorin si propagandë në përpjekjet e tyre për të rekrutuar."
Sipas planit të Obama-s, 35 nga 91 të dënuarit që mbahen aty do të transferohen në vende të tjera në muajt që do të vijnë. Pjesa tjetër do të mbetet nën mbikëqyrjen e ShBA-së.
Qendra e vuajtjes së dënimit 'Gjiri i Guantanamo-s' u ngrit në vitin 2002 pranë bazës detare amerikane në Kubë, me qëllim për të mbajtur aty të dënuar që mund të zotëronin informacion të vlefshëm të klasifikuar të kapur gjatë 'luftës kundër terrorit'.
Gjithashtu kjo shihet dhe si një përpjekje e administratës Obama për të normalizuar marrëdhëniet me Kubën. (Leftion Peristeri)