Presidenti i Francës François Hollande, homologu i tij amerikan Barak Obama, kancelarja gjermane Angjela Merkel dhe kryeministri i Britanisë David Cameron zhvilluan të martën një bisedë telefonike njëorëshe, sipas një komunikate të publikuar po atë ditë në mbrëmje nga Presidenca Franceze. Udhëheqësit shkëmbyen mendime mbi marrëveshjen e armëpushimit në Siri, të arritur midis ShBA-së dhe Rusisë të hënën.
Në komunikatë thuhet se liderët e të katër vendeve shprehën shpresën për zbatimin sa më shpejt të marrëveshjes së armëpushimit, si edhe të rezultateve të arritura në takimin e 4-të të ministrave të Jashtëm të Grupit të Përkrahjes Ndërkombëtare për Sirinë, të zhvilluar më 11 shkurt në Mynih. Ata theksuan se duhet të merren masat e domosdoshme dhe të menjëhershme për të përfunduar krizën humanitare në Siri, veçanërisht në provincën Alepo në veri të vendit.
Liderët e Francës, ShBA-së, Gjermanisë e Britanisë theksuan gjithashtu se qeveria siriane duhet të përkrahë plotësisht zbatimin e këtyre masave humanitare dhe të rifillojë bisedimet e paqes, për arritjen e tranzicionit politik në vend. (Wang Lei/Artan Goga)