">Viti i Ri kinez, festa me e madhe aziatike<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Viti i Ri kinez, festa me e madhe aziatike
  2016-02-04 16:50:49

Kina feston më 8 shkurt Vitin e Ri, "Vitin e Majmunit".

Në vendin më të populluar në botë, qindra miliona persona të cilët kanë shkuar në qytete nga fshatra dhe qyteza për të punuar, në Festën e Pranverës kthehen tek familjet e tyre.

Festa e Pranverës në Kinë zyrtarisht do të fillojë më 8 shkurt dhe do të zgjasë 7 ditë.

Shumë vende kanë festat e tyre tradicionale dhe sigurisht Kina, ky vend i madh, me një histori të gjatë e traditë të pasur, nuk bën përjashtim. Ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm në të gjitha festat në Kinë. E çfarë mënyre më të mirë për të kremtuar festat mund të ketë sesa t'i shoqërosh ato me gatime të shijshme karakteristike. Po cilat janë disa nga ushqimet e festave?

Jiaozi

Në vigjiljen e Festës së Pranverës (Viti i Ri kinez) banorët në veri të Kinës zakonisht hanë jiaozi (ravioli kineze), sepse në kinezishte shqiptimi i fjalës "jiaozi" është i ngjashëm me atë të shprehjes "i jap lamtumirën së vjetrës dhe sjell të renë". Jiaozi-të bëhen me peta të vogla të mbështjella, të mbushura me mish ose perime. Ato përgatiten gjithmonë para mesnatës dhe hahen gjatë orës së fundit të vitit të vjetër dhe orës së parë të Vitit të Ri kinez. Ndonjëherë brenda jiaozi-ve futet futet një monedhë një juan, ose pesëdhjetë a dhjetë qindarka, si shenjë e fatit të mirë dhe begatisë në Vitin e Ri për ata që i hanë ato.

Niangao (keku i orizit)

Kina e Jugut prodhon oriz, kështu që tradicionalisht banorët e saj hanë niangao (kekë prej orizi) për të festuar Vitin e Ri, për shkak se në gjuhën kineze niangao ka shqiptim të njëjtë me fjalën që do të thotë "nivel më i lartë jetese". Niangao­-t bëhen me pluhur orizi ngjitës dhe mund të gatuhen duke i skuqur, me tiganisje të shpejtë, duke i zier apo me zierje me avull. Ngrënë e niangao-ve po bëhet tashmë e përhapur edhe në veri të Kinës gjatë Festës së Pranverës.

 

Peshku

Peshku është një përbërës i rëndësishëm në tryezat e qindra mijë familjeve kineze në prag të Festës së Pranverës. Peshku shqiptohet "yu" në kinezishte, ngjashëm me fjalën për "tepricë", duke shënuar kështu të pasurit më shumë se vetëm për nevojat themelore për atë vit. Peshku është gjithashtu ndër dhuratat për miqtë dhe të afërmit gjatë Vitit të Ri kinez. Disa në Kinën Jugore hanë vetëm pjesën e mesme të peshkut në darkën e Vitit të Ri, duke e lënë kokën dhe bishtin për të nesërmen, duke simbolizuar plotësinë. Ndërkohë, është veçanërisht e rëndësishme që, kur peshku vendoset në tryezë, drejtimi i kokës duhet të jetë nga ana e më të moshuarve, në shenjë respekti.

"Rrotullat e pranverës"

"Rrotullat e pranverës kanë një histori të gjatë në Kinë. Që në dinastinë Jin Lindore (316-420), njerëzit hanin ''Pjatën e pranverës", një pjatë me kekë të hollë në qendër dhe perime të gjelbra rreth tyre, në ditën e parës të pranverës çdo vit. Me zhvillimin e mënyrave të gatimit, "Ëmbëlsirat e pranverës" kanë evoluar në "Rrotullat e pranverës" të tanishme plot bukuri, të bëra me mbështjellëse të holla mielli me mbushje të ndryshme, të ëmbla ose të kripura, me mish ose perime.

E kuqja është ngjyra më e përhapur gjatë Festës së Pranverës dhe gjithashtu më e preferuar nga njerëzit. Ajo simbolizon gëzim, mirësi dhe shpresë për të ardhmen.

Fenerët e kuq, zbukurime të tjera dhe fishekzjarrë

Feneri i kuq është zbukurimi më i përhapur gjatë Festës së Pranverës. Fenerët e kanë skeletin me rripa bambuje ose druri dhe mbulohen me vello të kuqe. Feneri i madh ka një diametër prej disa metrash.

Në vigjiljen e festës, çdo familje var fenerë të kuq dhe ngjit zbukurime në dyer e dritare. Ndërsa e gjithë familja gëzon së bashku darkën e vigjiljes. Natën e kësaj dite, njerëzit ndezin edhe fishekzjarrë. Në veri të Kinës në vigjilje është zakon ngrënia e "jiaozi" apo "damplings" ushqim tradicional kinez. Ndërsa në jug viti i ri pritet me ushqime orizi. Në tempujt budistë ndërkohë, bien kambanat. Besimtarët budistë besojnë se tingujt e kambanave do të heqin vuajtjet dhe do të sjellin fat në vitin e ri.

Traditat kineze të Vitit të Ri

Pastrimi i banesës

Sipas traditës së lashtë kineze pastrimi i shtëpisë në këtë periudhë të vitit "nxjerr jashtë saj të ligat, apo fatin e keq", që mund të jetë grumbulluar gjatë një viti. Kurse pastrimi nënkupton përgatitjen e shtëpisë për ardhjen e fatit të mirë. Kjo traditë kineze është e ngjashme edhe në Shqipëri, ku një javë para vitit të ri zakonisht gratë, të zonjat e shtëpisë pastrojnë çdo kënd të saj për mbarësi.

Përveç pastrimit të shtëpisë edhe pjestarët e saj duhet të jenë të pastër dhe të rregullt gjatë festës. Madje në atë periudhë këshillohet dhe prerja e flokëve, si fatsjellëse.

-Nuk duhet pastruar shtëpia pasi ka nisur java e vitit të ri, sepse në këtë mënyrë do të nxjerrësh jashtë saj të gjithë fatin e mirë që të ka hyrë. Përgjatë 15 ditë festimesh, ose në ditët e para duhet të mos bësh asnjë lloj pastrimi në banesë.

Dekorimi festiv me të kuqe

Sipas traditës kineze e kuqja është ngjyra e fatit të mirë, ndaj kjo ngjyrë përdoret shpesh për dekorimet e vitit të ri. Edhe numri 8 simbolizon fatin e mirë dhe pasurinë, pasi fjala 8 në kinezisht rimon me fatin e mirë dhe mirëqenien.

Kur bën dekorimin e shtëpisë për festë duhet të vendosësh letra të kuqe të prera në forma të ndryshme nëpër xhamat e dritareve. Subjekte të këtyre letrave të prera shpesh janë figura të mitologjisë kineze apo të jetës rurale. Vendosja e tyre bëhet në drejtim të jugut dhe të veriut.