20160201NEWYEAR |
Fluksi i udhëtimeve gjatë Festës së Pranverës, i njohur ndryshe si "Chunyun" në gjuhën kineze vlerësohet si imigracioni/lëvizja më e madhe periodike e njerëzve në historinë e njerëzimit. Në 40 ditë, 15 ditë para dhe 25 ditë pas Vitit të Ri Kinez, të gjitha linjat e transportit në vend do të presin milionëve pasagjerë. Në vitin 2015, kjo shifër arriti deri në 3.7 miliardë, duke kaluar 1/2 e popullsisë botërore, ose të gjithë banorët në Afrikë, Europë, Amerikë dhe Oqeani.
Sivjet, që nga 24 janari deri më 3 mars, kapaciteti i rrjeteve të transportit të Kinës do të përballet edhe njëherë me këtë valë të madhe pasagjerësh gjatë Festës së Pranverës, ose Vitit të Ri Kinez.
Siç mësohet nga një video-konferencë e organizuar nga 11 sektorë të transportit publik në vend, gjatë Festës, të gjitha mjetet e transportit do të kryejnë mbi 2.9 miliardë udhëtime. Zv. drejtori i Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës, Lian Weiliang tha se numri i pasagjerëve të linjave hekurudhore dhe atyre ajrore do të rritet mbi 11%.
"Fluksi i sivjetshëm i udhëtimeve gjatë Festës së Pranverës shfaq tre karakteristika. Së pari është rritja e vazhdueshme e udhëtimeve. Numri i udhëtimeve sivjet është rritur me 100 milionë edhe pse shpejtësia e rritjes së udhëtimeve është ngadalësuar. Së dyti është mungesa e kapacitetit të transportit hekurudhor për disa destionacione me popullsi të dendur. Vjet, pavarësisht vënies në funksionim të 20 linjave të reja hekurudhore me një gjatësi prej 3000 kilometrash, gjatë fluksit të udhëtimeve, biletat për disa krahina ende nuk mbulojnë kërkesat e pasagjerëve. Së treti është aftësia e kufizuar e transportit ajror. Tani, avionët në metropole si Pekini, Shangai, Guangzhou etj., po funksionojnë brenda mundësive, por ka vështirësi në rritjen e kapacitetit ", tha z. Lian.
Sipas tij, pasagjerët tani i kushtojnë më shumë vëmendje kushteve të mjeteve të transportit. Gjithashtu, moti i keq i sivjetshëm përbën sfida më të mëdha për të përballuar fluksin e udhëtimeve, gjatë Festës së Pranverës.
"Parashikimi meteorologjik tregon se këtë dimër do të ketë shumë reshje bore dhe temperatura të ulta në veri të vendit. Kurse, në shumë krahina të jugut, reshjet e shiut dhe smogu do të testojnë edhe aftësinë e sektorëve të transportit në garantimin e sigurisë", tha z. Lian.
Festa e Pranverës, ose Viti i Ri Kinez sipas kalendarit bujqësor është festa më e rëndësishme e kinezëve, për të cilët bashkimi familjar është i domosdoshëm në ditën e parë të vitit të ri, pavarësisht vendit ku ndodhen. Krahas zhvillimit të shpejtë ekonomik, shumë banorë që jetojnë në krahina të pazhvilluara janë punësuar në qytete të mëdha, duke krijuar fluksin e udhëtimeve. Kështu që, para Festës, shumica e pasagjerëve largohen nga metropolet për t'u kthyer në vendlindjet e largëta. Por, pas bashkimit të shkurtër familjar, ata rikthehen në metropole.
Parashikohet se gjatë fluksit të sivjetshëm të udhëtimeve me rastin e Festës së Pranverës që zgjat 40 ditë, rrjeti i transportit rrugor do të presë mbi 2.4 miliardë pasagjerë, ai hekurudhor 332 milionë, transporti ajror mbi 54 milionë dhe ai detar 42 milionë.
Festimi i Vitit të Ri kinez ka pësuar ndryshime vitet e fundit. Disa familje nuk bashkohen më në vendlindje, por preferojnë të bëjnë një udhëtim të përbashkët turistik.
Me klimë të ngrohtë, ajër të freskët dhe ujë të kthjellët, qyteti bregdetar Sanya në jug të Kinës tërheq çdo vit shumë turistë nga krahinat me dimër të ashpër. Sipas një raporti të publikuar në uebsitin e njohur turistik: www.ly.com, Sanya ende radhitet ndër 3 destionacionet më të pëlqyera të turistëve kinezë. Pritet që gjatë pushimit njëjavor, pikat turistike vendore, hotelet dhe resortet të presin mbi 830 mijë klientë, shifër kjo 5% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Përveç destionacineve brenda vendit, kinezët preferojnë dhe udhëtimet jashtë vendit për të kaluar Festën e Pranverës. Lidhur me këtë, zv.drejtori i Administratës Kombëtare të Aviacionit Civil, z. Wang Zhiqing tha:
"Gjatë Festës së Pranverës, 21 kompani ajrore do të kryejnë 8046 fluturime ardhje-vajtje në javë në 138 qytete të 56 vendeve të botës. Vendet fqinje si Koreja e Jugut, Tajlanda, Japonia si dhe ShBA-ja, Zejlanda e Re, Australia janë destinacionet më të pëlqyera të turistëve kinezë".
Ndërkohë, informacionet nga platforma më e madhe elektronike për porositë e vizitave turistike,www.ctrip.com, tregojnë se 6 milionë kinezë parashikohet të kalojnë Vitin e Ri Kinez jashtë vendit, duke shënuar një rekord të ri historik. Gjithashtu, udhëtimi me kruaziera duket se po bëhet një prirje e re turistike e kinezëve.
Në vitin 2014, mbi 1.72 milionë kinezë zgjodhën udhëtimet me kruaziera. Deri në fund të vitit 2015, 8 kompanitë më të mëdha ndërkombëtare që ofrojnë këtë shërbim vunë në përdorim 13 kruaziera veçanërisht për tregun kinez. Në këto "pallate lundruese luksoze", udhëtarët mund të provojnë ushqim nga vende të ndryshme, të blejnë mallra të larmishme, të shijojnë opera, të notojnë në pishina, si dhe të përdorin sallonë bukurie. Sipas studimeve, në vitin 2030, numri i turistëve kinezë që do të udhëtojnë me kruaziera pritet të kalojë 8 milionë, duke e bërë Kinën burimin më të madh të turistëve në këtë sektor lundrimi.