20160104Hotpot02 |
Termi "shkuesi" apo "shkues" sikur është vjetëruar, por në ditët tona kryhen ende ndërmjetësime mes të rinjve për të krijuar lidhjen e tyre sentimentale. Nëse në shekullin e kaluar ishte e njohur dukuria e ndërmjetësimit apo e shkuesisë, tashmë websitet online për njohjen e të pamartuarve, me qëllim lidhjeje duket se ka zëvendësuar shkuesinë. Misioni është i njejtë. Teknologjia e ka bërë më të lehtë kërkimin e shpirtit binjak për djemtë dhe vajzat e reja. Në Kinë websitet, përveç punës online me synim njohjen e të rinjve dhe krijimin e çifteve ka raste kur i zbulojnë në terren çiftet e ardhshëm.
Ajo është një vajzë e re si gjithë të tjerat por tashmë e njohur për shkak të punës që bën. Zhang është vajza e re kineze që punon për një website lidhjesh dashurore dhe fare mirë mund ta quajmë "shkuese moderne", pasi në kinezisht fjala shkuese tradicionale është "Meipo". Zhang vërtitet pa fund në ambjente publike si qendra tregtare, parukeri, bare, festa ku mund të njohë vajza të reja, të edukuara dhe të gatshme për të gjetur shpirtin binjak. Në website-n ku Zhang punon ka shumë kërkesa nga meshkuj kinezë, kryeisht të rinj për gjetjen e shpirtit binjak.
Kërkimi i Vajzës së ëndërruar
Zhang e sheh në një qendër tregtare sikur po "gjuan" siç dëgjojmë shpesh të thuhet nga të rinjtë e interesuar për gjetjen e partnerit. Në fakt ky është misioni i Zhang. Ajo e ka nisur punën në këtë website njohjesh para dy vjetësh dhe deri tani ka punuar me sukses për gjetjen e vajzave të ndryshme të gatshme për tu njohur me djem. Zhang viziton shpesh vende si Taikoo Li dhe Joy City, ku sipas saj vijnë shpesh vajza tërheqëse dhe të pamartuara.Gjatë festave kombëtare por dhe në Ditën e Shën Valentinit Zhang është në kërkim të vazhdueshëm, pasi sipas saj gjatë festave ata që janë çift preferojnël të qëndrojnë së bashku, ndërsa vajzat beqare dalin me shoqet në qendra tregtare apo bare. Ndaj Zhang mendon se në këto ditë shanci për të gjetur vajza, që dëshirojnë të njohin një djalë është 80%. Puna e kësaj shkueseje moderne nuk konsiston thjesht në pikasjen e vajzës dhe kontakti me të, duke e pyetur nëse dëshiron të bëhet pjesë e websitet. Kjo do të ishte e pamundur, pasi kryesisht vajzat nuk preferojnë të flasin me të panjohur, edhe në rast se bëhet fjalë për një bashkëmoshatare të tyre. Zhang është mjaft e shkathët që me një prezantim të shpejtë të nisë të bisedojë me vajzat për websiten e saj, qëllimin e tij dhe a pranon kjo vajzë të bëhet pjesë e shkuesisë.
Sipas Zhang kjo punë ka vështirësitë e veta se mund të keqkuptohesh, por dhe se ajo duhet të jetë gjithë kohës e veshur mirë, pasi frekuenton ambjente publike me shumë njerëz. Shkuesja Zhang thotë se nëse pas 3 orë takimi, njohje dhe miratimi të vajzës që ka takuar, kjo e fundit pranon të jetë kliente e websitet, kjo mund të quhet një punë me sukses për të. Gjatë një muaji Zhang zakonisht takon dhe bisedon me rreth 30-40 femra beqare.
Por gjetja e vajzave të disponueshme për njohje përbën vetëm hapin e pare të punës së Zhangut. Takimi me vajzën e zgjedhur është shumë i rëndësishëm pasi Zhang i shpjegon konkretisht shërbimin e websitet ndaj djemve që kërkojnë të njohin vajza. Fillimisht puna e Zhang ishte vetëm online, por në shumicën e rasteve fotot që vajzat dërgonin në website nuk ishin reale të tyret dhe kishte keqkuptime nga djemtë që përzgjidhnin këtë vajzë për njohje. Për këtë arsye Zhang vendosi që punën e saj si shkuese ta transferonte në terren.
Shumica e klientëve të websitet të Zhang dëshirojnë të gjejnë vajzën e ëndrrave të tyre, e cila mund të jetë bashkëshortja e tyre e ardhshme. Për këtë arsye Zhang thotë se puna e saj është me shumë përgjegjësi. Zhang thotë për median se para se ajo të prezantojë te klienti djalë i websitet vajzën i flet atij për të, pa i treguar identitetin apo foton e saj. Pas kësaj Zhang përgatit një raport për klientin e interesuar për lidhje serioze ku flet për arsimimin e vajzës, familjen e saj, lidhjet e mëparshme. Website ka kritere të rrepta anëtarësimi për meshkujt. Që ata të bëhen klientë të websitet duhet të paraqesin kartën e identitetit, diplomën, pasuritë e paluajtëshme, certifikata pronësie për të vërtetuar identitetin e plotë material dhe social.Kur e pyesin shkuesen Zhang se çfarë kërkesash kanë të rinjtë për partnerin e ardhshëm të kërkuar përmes një website, ajo duke buzëqeshur thotë se ka shembuj të ndryshëm. Kujton se një vajzë e re me një rrogë mujore 5000 rmb në muaj ose 770 dollarë kërkonte një partner me një rrogë mujore 1 milion rmb në muaj pa u interesuar për pamjet apo karakterin e tij. Duke folur për këtë rast Zhang thotë se kjo vajzë është shumë materialiste, por nuk përfaqëson të gjitha vajzat. Ndërsa lidhur me djemtë kërkues ajo thotë se shumica interesohen për pamjen e jashtme të një vajze dhe më pas pyesin për formimin e saj intelektual. (Eda Merepeza)