">Budat e rremë përfitojnë nga prirjet fetare<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Budat e rremë përfitojnë nga prirjet fetare
  2016-01-04 12:57:33

Ditët e fundit, një video e aktorit të njohur kinez Zhang Tielin u diskutua shumë nga publiku. Në video shfaqet shugurimi i aktorit nga një budë i gjallë i budizmit tibetian(me titull Rinpoche) në një qendër ekspozitash në Hong Kong. Por, vetëm pas disa ditësh u zbulua se ky Rinpoche ishte i rremë dhe mbi të rëndonte akuza e mashtrimit, për fallsifikim të titullit fetar me synim përfitimet materiale.

58 vjeçari Zhang Tielin është një aktor i famshëm në Kinë, i njohur për interpretimin e rolit të perandorëve në disa telenovela me temë historike. Në video ai shihet duhe u gjunjëzuar e më pas duke përulur 3 herë kokën deri në tokë, një rit i njohur si "kowtow", me të cilin ai shprehu besnikërinë ndaj Budës, që në këtë rast ishte një mashtrues.

Në ceremoninë ku morën pjesë rreth 1 mijë të ftuar Zhang u shpreh se që nga ajo ditë ai njihet si mjeshtër dhe përveç ndryshimit të emrit, ai shprehu dhe dëshirën e tij për besimin e ri fetar.

"Kam interpretuar mbi 50 role perandorësh në telenovela. Para ndjekjes së disiplinave nga Buda i rimishëruar isha disi mëndjemadh, por pas mësimeve të tij vura re se jeta ime është plot shpresë për të ardhmen ", tha Zhang.

Mjeshtri i përmendur nga Zhang, u vetëdeklarua si Tulku Baima Aose Rinpoche , me një pamje babaxhani të shëndoshë, tullac , i veshur me një togë plot ngjyra. Sipas budizmit tibetian, Rinpoche është rimishërim i Budës. Në video, pasi Zhang Tielin bëri kowtow, mjeshtri e dekoroi me një kapele në formën e kurorës mbretërore dhe e pagëzoi me një emër tibetian, i cili përkthehet "përhapja e budizmit".

Me këtë rast u organizua dhe një banket për nder të ditëlindjes së 39-të të "Rinpoche". Sipas videos, përveç besimtarëve të thjeshtë në banket morën pjesë dhe politikanë e personalitete të njohura hongkongase.

Lidhur me ceremoninë në pamje të jashtme madhështore edhe ata që nuk e njohin mirë budizmin do të dyshonin se diçka nuk shkonte, pasi shugurimi nuk u zhvillua në një tempull, por në një sallë koncertesh të muzikës pop. Madje dhe dekorimi i sallës ishte më shumë i përshtatëshëm për një ceremoni biznesi se sa fetare.

Kjo video u përhap gjerësisht dhe me shpejtësi në fund të nëntorit. Por gjithçka ndryshoi kur e panë murgjit e vërtetë tibetianë dhe Rinpoche të vërtetë, të cilën nuk mbajtën dot të qeshurën, pasi e kuptuan se Rinpoche që kishte shuguruar Zhangun, në të vërtetë ishte një mashtrues.

Lin Cong është një ndër pasuesit e Budës së rimishëruar Khejok Rinpoche dhe lidhur me këtë shkruan në miniblogun e tij se gjestet e përuljes të Zhang-ut janë kombinim i pozicioneve të yogës indiane me gjunjëzimin mbretëror perëndimor dhe budizmin tradicional kinez. Ndërsa, veshjet e tij në ngjyrë të bardhë dhe vjollcë nuk përputhen me rregullat e budizmit tibetian, pasi këto dy ngjyra nuk duhet të përdoren nga një person në të njejtën veshje.

Ndërkohë, mjeshtri i tij Baima Aose ishte veshur me një togë që i ngjante një veshjeje perandorake, dhe kapelja me të cilën u pagëzua Zhangu i takon shkollës fetare Sakya, por jo asaj Nyingma, ku ai kishte thënë se ishte vendi i tij i mjeshtërisë.

Ky incident ngjalli interesim të madh në publik dhe bëri që njerëzit ta shohin me më shumë seriozitet çeshtjen e Budave të rimishëruar në Kinë, pasi budizmi po popullarizohet gjithnjë e më shumë së fundmi ndër politikanët, biznesmenët apo njerëzit e artit.

Përdoruesit e internetit nisën të shfaqin pikpamjet e tyre pasi mësuan se Buda i rimishëruar ishte i rremë. Sipas mediave hongkongase, Baima Aose kishte thënë në një intervistë në vitin 2000 se ka lindur në vitin 1976 me emrin Wu Darong, në qytetin Quanzhou të provincës Fujian të Kinës Lindore. Ai kishte treguar se në moshën 8 vjeçare ishte zhvendosur bashkë me prindërit, kishte punuar në një qendër tregtare dhe ishte martuar në vitin 2000. Sipas tij, që nga viti 1997 kishte vizituar shumë tempuj budistë dhe kishte marrë mësime nga mjeshtra të nderuar. Në korrikun e 2007, pasi kreu studimet në Shkollën Budiste Nyingma, Wu u njoh nga Dabiding Rinpoche i tempullit Chalang të provincës Qinghai si Budë i rimishëruar.

Realiteti është krejt ndryshe nga rrëfimi i Baimas. Hetimet e bëra nga gazetarët e Beijing News dhe China Newsweek zbulojnë se Wu në fillim kishte punuar si shitës ambulant dhe mjeshtër i Fengshui. Ai ishte marrë me shitjen e statujave të budave, por jeta e tij kishte shënuar një kthesë pas takimit me Chuang Shih-ping, një sipërmarrës i njohur hongkongas, me një pozitë të lartë politike. Kur Wu e takoi z. Chuang, ky i fundit ishte në moshën 89 vjeçare dhe arriti të fitonte besimin e tij duke i shitur një statujë druri.

Në vitin 2002 ata themeluan së bashku një shoqatë për përhapjen e kulturës budiste. 90 vjeçari Chuang e prezantoi Wu-së te shumë të njohur të tij në Hong Kong, çka i dha mundësi Wu-së të shfaqej publikisht me personalitete të njohura të politikës, biznesit apo fesë. Pas 5 vjetësh, kur u nda nga jeta Chuang, Wu u vetëdeklarua, Budë i rimishëruar, me emrin Baima Aose.

Hetimi i gazetarëve ka nxjerrë në pah se drejtuesi i tempullit ku Wu deklaron se ishte shuguruar, as nuk e njihte këtë person. Përfaqësues të administratës fetare vendore konfirmuan gjithashtu se nuk kishin lëshuar çertifikatë për identitetin e tij si Budë i rimishëruar.

Wu kishte deklaruar se ishte pajisur me një letër shugurimi nga Tempulli Katuo në prefekturën autonome tibetiane të provincës Sichuan. Por murgjit vendës thanë për mediat se ajo letër vërtetonte vetëm pjesmarrjen e tij në një ceremoni të organizuar nga tempulli. Vetë Wu e kishte fallsifikuar certifikatën në gjuhën tibetiane për të bindur të tjerët se ishte një Budë i rimishëruar.

Gjithnjë e më shumë dëshmi tregojnë se Wu ka edhe një kompani që merret me tregtinë e shitjes së aparateve teknike. Përveç anëtarëve të familjes në bordin drejtues të kompanisë janë edhe disa aktorë të njohur si Zhang Tielin, Eric Tseng etj. Wu ka përdorur famën e këtyre aktorëve për të shtuar përfitimet e tij materiale.

Wu nuk është i vetmi që përdor mashtrime të tilla për t'u pasuruar. Në Pekin aktualisht ka shumë Rinpoche ( Buda të rimishëruar). Për t'i ndihmuar njerëzit të dallojnë Rinpoche të vërtetë nga të rremët, kryetari i Komitetit Kombëtar të Çështjeve Fetare dhe Etnike Zhu Weiqun thotë se administrat shtetërore po krijon një bazë të dhënash për të gjithë Rinpoche në Kinë dhe lista do të përditësohet në internet.

Wu, duke refuzuar kërkesat për intervistë ka publikuar disa deklarata në miniblogun e tij, ku së fundmi ka kërkuar ndjesë për këtë incident, duke shtuar se nuk mund të jetë më mentori i pasuesve të tij.