20151231Palimsest_2 |
Zhang Guangyu (1900-1965) është themeluesi i të parës kompani të filmave të animuar në Kinë. Ai mund të cilësohet si pionier i artit komercial në vend, i cili botoi dhe librin e parë të artit modern në vitin 1932. Zhang ka botuar dhjetra revista arti, të cilat frymëzuan shumë artistë të njohur kinezë, që në hapat e parë të veprimtarisë së tyre krijuese.Një ndër veprat më madhore të këtij mjeshti të filmit vizatimor ishte filmi klasik i animuar "Da Nao Tian Gong" i cili në anglisht është përkthyer si "Havoc në Parajsë", realizuar në vitin 1960.
Në nëntor të këtij viti një ekspozitë e hapur në Shangai me punimet e Zhang hodhi një ditë të re në këtë figurë të shquar të kinematografisë kineze.
Një mjeshtër i artit modern në Kinë në ekspozitën vetjake në Muzeun Long të Shangait janë prezantuar punime të tij ndër vite në pikturë, ilustrim, dizenjim dhe animacion.
Rreth 300 vepra të këtij artisti ndikuan në tranzicionin e artit kinez nga epoka klasike në atë moderne gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluar.
Biografia
Zhang u lind në Wuxi të provincës lindore Jiangsu. Ai nuk shfaqi interes për mjekësinë tradicionale kineze që ishte biznes i familjes së të atit dhe as për biznesin bankar, të trashëguar nga familja e të ëmës. Pas përfundimit të studimeve në Shangai Zhang 15 vjeçar nisi të shfaqte interesin e tij për artet, çka e bëri atë një ndër personalitetet artistike të Kinës së shekullit të kaluar.
Përveç njohjes së artit popullor kinez, jeta në një metropol kozmopolit si Shangai e ndihmoi të riun Zhang të njihte dhe artin perëndimor. Frymëzimin e parë për pikturat e tij Zhang e gjeti në Operan e Pekinit, aktorët e saj, pasi dhe vetë shtëpia ku banonte ndodhej pranë një teatri të operas së Pekinit.
Zhang nisi të punonte në departamentin e komunikimit pranë një kompanie të huaj duhani në vitin 1920, kur studjonte artin perëndimor dhe dizajnin industrial. Stili i tij nisi të zhvillohej në ndikimin e Pikasos, por edhe të kulturës folklorike. Ndikimi i kubizmit vërehet në veprat e tij të para në pikturë, gjë që përcaktoi dhe rrugën e tij të mëvonshme artistike, duke braktisur rrënjët folklorike të formimit të tij të hershëm artistik.
Veprat e tij të animacionit pasqyrojnë operan kineze, përrallat e legjendat e dinastive Ming dhe Qing. Një ndër kuratorët e ekspozitës, koleksionisti i veprave të artit Li Dajun është shprehur për median vendëse se "Zhang ishte një artist shumëdimensional, pasi në veprën e tij ndërthuret piktura, filmi, arti skenik, media dhe kostumografia. Ai ishte një mjeshtër arti me vizion të madh."
Jo më kot Li e quan Zhangun si "Walt Disney-n e Kinës".
Sipas koleksionistit Li "Walt Disney ka bërë të njejtat veprimtari në të njejtën kohë me Zhangun. Ai shton se Shangai i viteve 30-të të shekullit të kaluar kishte lidhje të ngushta me Parisin dhe Nju Jorkun. Madje për ta konkretizuar këtë mendim Li thotë se moda e Parisit dhe Nju Jorkut shihej pas dy ditësh në rrugët e Shangait. Ai mendon se vlerat artistike që Zhang i solli Kinës janë të njejta me ato që Walt Disney krijoi për ShBA-në.
Në shtator të këtij viti u botua një kolanë me 4 vëllime e Veprës së plotë të Zhang Guangyu. Në parathënie të veprës Tang Wei thekson se Zhang besonte se rrugët e artit janë të shumta, por artistët kinezë nuk duhet të imitojnë artistët e huaj pa kriter. Zhang këmbëngulte në ruajtjen e identitetit kulturor në art. "Zhang ishte një artist mendjebukur. Ai thoshte se artin nuk e bëjnë dot egoistët, pasi ata do të mbillnin farën e së keqes në veprat e tyre."(Eda Merepeza)