20151228xingbie |
Disa ekspertë seksologë po punojnë për nxitjen e barazisë gjinore dhe të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet gjinive në Kinë. Ditët e fundit u zhvillua një kurs me këtë temë në Pekin, i cili u konsiderua si një test i nevojshëm për edukimin e barazisë gjinore. Kursantët, duke përfshirë të dashurit, burrat dhe baballarët diskutuan mbi shtatëzaninë, mirëmbajtjen e shtëpisë, marrëdhëniet me etërit, dhunën në familje, etj. Kursi ishte pjesë e planit dhe përpjekjeve të qeverisë kineze për barazi gjinore.
Gjatë kursit pjesmarrësit patën përvoja, me të cilat nuk ishin përballur në jetën reale. 31 vjeçari Li Dan provoi momente të shtatëzanisë së një gruaje, duke vendosur nën bluzë një top basketbolli dhe herë pas here këntonte ninullë për "beben" e tij imagjinare. Më pas Li së bashku me 3 kursantë të tjerë meshkuj morën një kukull plastike dhe provuan ta lanin, pudrosnin dhe ti ndërronin pampersin.
Djali i Lisë është 4 vjeç, por ai nuk kishte patur shumë kohë të ndihmonte të shoqen në rritjen e fëmijës pasi nuk kishte shumë durim për punë të tilla. Pas ndjekjes së kursit "Men's morals", të organizuar në një çajtore të distriktit Haidian në veri të Pekinit, Li ka ndryshuar mendim për "detyrat femërore".
Kursi u organizua nga Fang Gang, profesor i Universitetit të Pekinit dhe themelues i "China White Ribbon," një organizatë joqeveritare e cila nxit pjesmarrjen e meshkujve në barazinë gjinore. Në kursin e parë morën pjesë rreth 20 meshkuj, ndër të cilët 14 ishin mësues nga Pekini, ndërsa kursantët ishin vetëm dy, që dëshironin të bëheshin bashkëshortë dhe etër të mirë. Me kalimin e kohës shumë meshkuj po interesohen për një pjesmarrje më aktive në jetën familjare.
Edhe protagonisti ynë Li Dani prej kohësh e kishte pasur këtë dëshirë. Ai kishte kaluar një periudhë të vështirë jetësore për shkak të dhunës, që prishi marrëdhëniet e tij me bashkëshorten. Konflikti i parë ndodhi para 4 vjetësh, kur gruaja e tij ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë. Li kujton mirë shkakun e grindjes, pasi e shoqja i kishte kërkuar kartën bankare. Gruaja e Lisë nuk i tregoi askujt për këtë grindje as prindërve të saj, as komitetit vendor për të drejtat e grave, pasi nuk donte të bëhej objekt bisede te të njohurit e saj.
Por grindjet bashkëshortore nuk mbaruan me kaq. Vitin e kaluar gruaja e Lisë bëri dokumentat për divorc dhe braktisi shtëpinë. Kur i erdhi fletë-thirrja për gjyq, Li nisi të pendohej për veprimet e tij dhe nisi të kërkonte informacion. Kështu ai kontaktoi me shoqatën "White Ribbon" ku kërkoi ndihmë nga ekspertët për tu bërë një bashkëshort dhe prind më i mirë.
Seksologu Fang Gang tregon për median arsyet e kursit për barazi gjinore. Sipas tij në të kaluarën kanë ekzistuar në Kinë kurse në kuadër të lëvizjes "Women's morals", të cilat u përballën me kritika të shumta. Në një reportazh të pulibkuar në gazetën kineze Global Times thuhet se instruktorët i nxitnin pjesmarrësit në kurs me parrullat "Burrat duhet të pushtojnë botën, kurse femrat duhet të pushtojnë burrat ", ose "Femrat të gatuajnë, të qepin, të zbukurojnë shtëpinë dhe të shkruajnë bukur!".
Në fakt, kurse të tilla u organizuar për burrat që ndjeheshin të dobët ndaj femrave të suksesshme në karrierë. Por në sytë e seksologut Fang, meshkujt duhet të jenë pjesëmarrës të rëndësishëm në barazinë gjinore. Kjo ishte arsyeja e krijimit të Shoqatës "White Ribbon", për t'u ardhur në ndihmë meshkujve kinezë për realizimin me sukses të rolit të bashkëshortit dhe babait.
Veprimtaria e kursit është në përputhje me prirjen globale për barazi gjinore dhe thirrjet e liderëve kinezë për të përmirësuar të drejtat e femrave. Në shtatorin e vitit të kaluar, UN Women shpalli programin "He For She", duke u kërkuar meshkujve të marrin përgjegjësi kundër diskriminimit gjinor dhe përdorimit të dhunës.
Kur kjo veprimtari u zhvillua në Kinë në prill të këtij viti, qindra studentë nënshkruan deklaratën për pjesmarrje në programin e organizuar nga Universiteti Tshinghua, një ndër shkollat më të mira kineze.
Përveç kësaj, barazia gjinore është edhe një ndër temat më të diskutuara në internet. Termi i ri "straight man cancer" u përhap gjerësisht në hapësirën kibernetike që nga viti i kaluar. Ky term përshkruan meshkujt maskilistë, sipas të cilëve femrat duhet t'i përkushtohen vetëm jetës familjare.
Shumë nga përdoruesit e internetit nisën të flisnin për ish të dashurit, baballarët ose kolegët maskilistë. Ndërsa në një skeç të shfaqur në programin e vjetshëm festiv të Vitit të Ri Kinez në CCTV, ku promovoheshin "femrat hyjnesha" përsëri ngjalli shume debate.
Gjithësesi përdoruesit e internetit nuk përbëjnë mbarë opinionin publik të Kinës. Koncepti i barazisë gjinore në Kinë vazhdon të jetë disi "abstrakt" për shumë kinezë. Li Dani tregon se kur u grind me bashkëshorten, ai nuk e shihte atë si një individ të pavarur dhe as nuk i binte ndër mend për të drejtat e saj. Ata janë një çift nga fshati ku çeshtje të tilla diskutohen rrallë.
Madje Li thekson se ky qëndrim është i trashëguar në fshatin e tij. Ai kujton se kur mbaroi shkollën e mesme dhe i tha të atit se nuk donte të vazhdonte studimet, babai reagoi keq. Li kujton se i ati i tha se nëse nuk shkon në universitet do të bëhesh një kriminel. Ky qëndrim i të atit e preku shumë Linë e ri dhe sot ai mendon se këto mllefe të grumbulluara në ndërgjegjen e tij e kanë bërë disi të dhunshëm. Por duhet vlerësuar nisma e tij për të ndjekur kursin për barazinë gjinore, ku ai mësoi shumë për komunikimin me bashkëshorten dhe detyrat që i takojnë në familje. Në gjyqin midis çiftit, bashkëshortja e Lisë ra dakord që ai të rriste djalin e tyre në 1/3 e kohës së tij të lirë.
Pjesmarrja e meshkujve në jetën familjare në Kinë nuk është në nivele të kënaqshme. Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2014 nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ndër 29 vende, meshkujtë kinezë radhiten në vendin e pestë nga fundi me 48 minuta kohë, kushtuar në ditë detyrave familjare.
Kjo gjendje pasqyrohet dhe në komentet e përdoruesve të internetit në miniblogun e profesorit Fang. Pasi ai publikoi hapjen e kursit "Men's morals", disa komentuas shkruan "Pse meshkujt duhet të ndjekin një kurs të tillë? Ata thjesht duhet t'u dorëzojnë grave të ardhurat e tyre".
Por shumë prej komentuesve kanë reflektuar lidhur me sjelljen e tyre në çift. 24 vjeçari Wang Ming ishte ndarë nga e dashura pas 3 muaj lidhjeje, pasi ajo i thoshte se "nuk ishte një dëgjues i mirë". Edhe Wang ishte një ndër pjesmarrësit e kursit për barazinë gjinore, ku mësoi se në jetën në çift duhet të jesh i vemendshëm ndaj partnerit.