20151223erion |
Konferenca e 10-të e Institutit Konfuci u zhvillua së fundi në Shangai me pjesëmarrjen e mbi 2300 përfaqësuesve të instituteve Kofuci nga mbi 130 vende dhe rajone të botës.
Zv./kryeministrja e Kinës Liu Yandong falënderoi në ceremoninë e hapjes të gjithë ata që japin konstribt për krijimin e zhvillimin e Institutit Konfuci.
Drejtori i Institutit Konfuci pranë Universitetit të Tiranës, Erion Malaj, përfaqësoi Shqipërinë në këtë konferencë. Ai vizitoi së pari Shangain dhe në Pekin selinë qendrore të institutit.
Gjatë vizitës dyjavore, Malaj bisedoi me zyrtarë të Institutit Konfuci mbi zhvillimin e degës së Tiranës. Korrespondentja e CRI Shqip Zhang Zhuo, bisedoi me zotin Malaj dhe fillimisht e pyeti për pjesëmarrjen në konferencën e Shangait.
Ai foli mbi veprimtaritë ku mori pjesë, duke thënë se Konferenca kishte në fokus rolin që instututet Konfuci mund të kenë në universitetet apo qytetet ku ndodhen. Ai tha se këtë vit kishte strategji dhe ide të reja në konferencën vjetore.
"Mora pjesë gjithashtu në një konferencë tjetër në Shangai, një konferencë madhështore ku ishin të pranishëm mbi 2000 persona nga 130 vende të botës, që organizohej nga Hanban në bashkëpunim me universitetet lokale."
Ai gjithashtu bëri dhe një trajnim njëjavor në zyrat qendrore të institutit Konfuci pranë hanban.
Për situatën e Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës ai tha se edhe pse 2 vite jetë ky institut ka pasur zhvillime shumë interesante, jemi përpjekur të promovojmë gjuhën kineze në Shqipëri.
"Sot ka shumë shqiptarë që dinë të flasin shumë mirë gjuhën kineze, jo vetëm për shkak të Institutit Konfuci, por edhe marrëdhënia shumë e mirë mes dy vendeve tona. Shumë studentë shqiptarë kanë përfunduar studimet në Kinë dhe flasin shumë mirë këtë gjuhë. Numri i studentëve shqiptarë, që studiojnë pranë Universitetit Konfuci është në rritje. Vetëm simestrin e parë të këtij viti janë regjistruar 250 studentë. Shumë studentë e zgjedhin si lëndë me zgjedhje dhe marrin kredite në përfundimin me sukses të kursit. Po ashtu ka edhe klasa për gjuhën kineze dhe studentët që përfundojnë me sukses pajisen me një çertifikate vlerësimi të lëshuar nga ne. Studentët shqiptarë përzgjedhin gjuhën kineze gjithnjë e më shumë në krahasim me frengjishten apo gjermanishten".
Ai foli dhe për promovimin e kulturës kineze, duke thënë se në Shqipëri janë organizuar shumë aktivitete kulturore përfshi Vitin e Ri kinez, Festën e Mesvjeshtës, 10-vjetori i krijimit të Instituti Konfuci etj.
"Së fundmi u organizua një aktivitet madhështor më 24 tetor "Enchanting China, Charming Hunan", ku mori pjesë një trup prej 20 artistësh nga Changsha, Hunan dhe performuan muzikë, valle dhe instrumente tradicionale kineze. Përfitoj nga rasti të përshëndes Ambasadën e R.P të Kinës në Shqipëri, që ka qenë gjithmonë partneri dhe mbështetësi ynë kryesor në çdo aktivitet që ka zhvilluar Instituti Konfuci."
Ndërsa për interesimin në rritje të të rinjve shqiptarë për Kinën, ai tha se ka dy ose 3 faktorë.
"Tashmë Kina ka potencial të madh ekonomik dhe të rinjtë interesohen si për tregun e madh kinez në fushën e biznesit, ashtu edhe në fushën e punësimit apo të arsimit. Po ashtu ka shumë studentë që duan të përfitojnë nga bursat e studimit që ofron shteti kinez për studentë të huaj".