20151223Kozmopolit1 |
Kina është zotuar për të nxitur reformat dhe risitë me qëllim arritjen e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike në vitin 2016. Zotimi vjen pasi udhëheqja e lartë përfundoi një konferencë të nivelit të lartë për caktimin e përparësive të zhvillimit ekonomik të hënën.
Sipas një deklarate lëshuar pas takimit katërditor, qeveria qendrore do të vazhdojë reformat e saj strukturore ekonomike dhe nxisë strategjinë zhvillimit të risive.
Takimi, ku morën pjesë presidenti Xi Jinping dhe kryeministri Li Keqiang, tërhoqi shumë vëmendje, pasi 2016-ta është edhe viti i parë i planit të ardhshëm pesëvjeçar të zhvillimit të vendit.
Udhëheqja e lartë është duke u dhënë prioritet reformave në krahun e ofertës, një term i përdorur shpesh nga autoritetet kohët e fundit, i cili synon të rrisë nivelin e prodhimit, duke shfrytëzuar më me efikasitet tokën, krahun e punës dhe kapitalin.
Reformat përfshijnë masa për tregun e pasurive të paluajtshme, mbikapacitetin industrial, uljen e nivelit të borxhit dhe uljen e kostove të korporatave.
Në këtë mbledhje të bashkëdrejtuar nga Komitetit Qendror i partisë dhe Këshilli i Shtetit i Kinës, u vendos njëherësh që qeveria kineze të zbatojë reforma të reja strukturore me synim zgjerimin e kërkesës së brendshme.
Specialistët shprehen se reformat kanë një domethënie të jashtëzakonshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të ekonomisë së vendit.
Teng Tai, ekonomist dhe drejtor i Institutit Wanbo të Studimeve të Ekonomisë, vuri në dukje se ngritja e peshës së reformave strukturore në krahun e ofertës është një fenomen që tërhoqi vëmendje të lartë.
"Gjatë mbledhjes doli në pah problemi i strukturës së vjetër të tregut në krahun e ofertës, ndërsa u nënvizua disa herë reforma në këtë drejtim me pesë politika të rëndësishme që përfshijnë fushat e kontrollin e politikave makro dhe mikro, strukturën industriale dhe reformat shoqërore. Këto do të mbështesin," thotë Teng.
Për vitet në vazhdim qeveria kineze do t'i kushtojë më shumë forcë reformës strukturore në krahun e ofertës për të stabilizuar zhvillimin ekonomik. Reformat synojnë garantimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm nëpërmjet zbatimit të politikave në pesë fusha: ruajtjen e vazhdueshmërisë së politikave të makro-kontrollit, thellimin e politikave për industritë strategjike, përdorimin e politikave elastike të mikroekonomike, thellimin e reformave dhe përmirësimin e politikave shoqërore.
Njoftimet nga mbledhja e Konferencës Qendrore të Veprimtarisë Ekonomike tregojnë njëkohësisht se shtimi i mbështetjes ndaj ekonomisë reale do të mbetet përparësi e politikave ekonomike të vitit tjetër.
Këtë herë strategjia e zhvillimit është ndërthurur me mbështetjen e risive dhe krijimin e biznesit privat.
Ekonomist Li Daokui, drejtor i Qendrës së Studimeve të Ekonomisë Kineze dhe Botërore pranë Universitetit Tshinghua, thotë se detyrat e përcaktuara në këtë mbledhje kanë domethënie orientuese për zhvillimin ekonomik të vendit në dy, tre vitet e ardhshëm.
"Nëpërmjet përpjekjeve trevjeçare, qeveria e re kineze ka krijuar disa nxitës së zhvillimit ekonomik, duke përfshirë risitë dhe krijimin e biznesit privat. Çdo ditë regjistrohen 12 mijë firma të reja në Kinë. Mbledhja vendosi gjithashtu të ulë stoqet e aksioneve të kompanive industriale që kanë teknologji të prapambetur," tha Li.
Mbledhja vendosi pakësimin e kapacitetit të prodhimit për mallrat me tepricë në treg, uljen e stoqeve të aksioneve për industritë e të prapambetura, uljen e kostos së ekonomisë reale dhe rritjen e aftësisë konkurruese të sektorëve të pazhvilluar.
Qeveria kineze u zotua gjithashtu për të bërë politika fiskale më të fuqishme dhe politika monetare më elastike, si dhe vazhdimin e prirjes së hapjes së ekonomisë. (Leftion Peristeri)