">Studimet e reja mbi moshën ideale t'u bërë nënë<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Studimet e reja mbi moshën ideale t'u bërë nënë
  2015-12-18 16:43:37

- Gratë që lindin më vonë kanë një jetë më të shëndetshme, thonë studimet.

- Lindja e fëmijës suaj të parë ndërmjet moshës 25-35 vjeç lidhet me një shëndet më të mirë në moshën 40-vjeçare.

- Ato vajza që janë bërë nëna mes moshës 15-24 vjeç kanë një shëndet më të dobët në të ardhmen.

- Shkencëtarët thonë gjithashtu se nënat e martuara kanë shëndet më të mirë në moshën mesatare.

Femrat të cilat lindin për herë të parë në moshë më të madhe, kanë mundësi që të jetojnë më gjatë, sipas studimve amerikane.

Nënat e sotme kanë më shumë për të bërë; pasi pavarësisht se kanë filluar familje, shumica e tyre vazhdojnë të punojnë edhe në ndërtimin e karrierës.

Dhe, sipas një studimi të kryer në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit të Bostonit (SHBA), kjo gjë ka ndikim pozitiv në jetën e një gruaje që bëhet nënë për herë të parë në një moshë të madhe.

Studimi tregon se femrat që bëhen nëna pas moshës 33-vjeçare, kanë dyfishin e mundësive për të jetuar deri në moshën 95 vjeç, në krahasim me vajzat që lindin përpara të 30-ave.

Ky studim ka përfshirë 462 gra të cilat gjetën një lidhje të konsiderueshme të të qenët nënë në një moshë më të madhe, ku gratë që kishin fëmijë pas moshës 33-vjeçare ishin të prira për të jetuar më gjatë në krahasim me ato që kishin fëmijën e tyre të fundit para moshës 29-vjeçare.

"Padyshim kjo nuk do të thotë se femrat duhet të presin një moshë më të madhe për të pasur fëmijë, për të rritur mundësinë e të jetuarit më gjatë".

"Mosha në të cilën ndodh shtatzënia e fundit mund të jetë një shenjë plakjeje. Aftësia natyrore për të pasur një fëmijë në një moshë të madhe, tregon se sistemi riprodhues po plaket dalëngadalë, dhe e njëjta gjë vlen edhe për pjesën tjetër të trupit të saj", thotë Thomas Perls, pedagog i mjekësisë dhe bashkëpunëtor në studim.

Mendohet, në fakt, se këto gra kanë një gjen të veçantë që u jep atyre jetëgjatësi më të madhe. Megjithatë, studimi nuk jep informacione të tjera të mëtejshme.

"Nëse një femër e posedon një gjen të tillë, ajo është në gjendje të mirë riprodhuese dhe përveç të tjerash këto gjene mund t'ia transmetojë gjeneratës pasardhëse", përfundon Pirls.

Ndërkaq, sa më gjatë të shtyhet amësia, aq më i ulët është rreziku nga zhvillimi i kancerit të mitrës, është konstatuar në Kaliforninë Jugore, edhe pse shtatzënia e vonshme lidhet me komplikime të shumta.

Konkretisht, femrat të cilat bëhen nëna pas moshës 30-vjeçare kanë 17 për qind më pak rrezik të preken nga kanceri i mitrës, ndërsa rreziku reduktohet edhe më shumë për secilin vit të shtyrjes së amësisë. Femrat të cilat bëhen nëna në moshën 40-vjeçare kanë 44 për qind më pak rrezik nga ajo sëmundje, shkruhet në gazetën britanike "Daily Mail".

"Lindja në një moshë më të vonë është një lloj faktori mbrojtës nga kanceri endometrial, edhe nëse bëhet fjalë për tipin 1, i cili është i lidhur me ekspozimin ndaj estrogjenit ose tipin 2, i cili paraqitet i pavarur nga hormonet", ka thënë dr. Veronika Setiavan, udhëheqëse e studimit që ka përfshirë më se 8 mijë femra.

Në Shqipëri është rritur mosha e lindjes, në qytet nënë 32 vjeç, ndërsa në fshat 25.

Edhe në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera të botës femrat synojnë më tepër karrierën duke lënë pas një pjesë tjetër të rëndësishme, lindjen e një fëmije. Gjinekologia Enkeleda Prifti për gazetën Shqip thekson se është rritur mosha e lindjes së fëmijës së parë. Sipas saj, në zonat urbane, mosha e lindjes së fëmijës së parë është rreth 32 vjeç, ndërsa në zonat rurale 25 vjeç.

Krahasuar me vitet e mëparshme, kemi një tendencë në rritje.

"Duke qenë se gratë tashmë synojnë drejt karrierës, si martesa apo edhe lindja e fëmijëve është shtyrë. Lindja e parë bëhet kryesisht rreth moshës 28-32 vjeç, ndërsa në zonat rurale mosha mesatare është 25 vjeç. Mosha mesatare e nënave që lindin fëmijën e parë ka qenë 25 vjeç", deklaron gjinekologia.

Përpos kësaj, ajo rendit disa nga rreziqet që vijnë si nga lindja e nënave në moshë minorene apo edhe nga ato që i kanë kaluar të 35-at. Një prej rreziqeve që ajo përmend është edhe lindja e fëmijës para kohe, që do të thotë lindje e foshnjës para javës së 37 të shtatzënisë. Gjithashtu, një tjetër faktor rreziku është edhe ai i lindjes së fëmijëve nën peshën minimale, që është 2500 gramë.

"Nga studimet është vënë re se ka një rritje të rëndësishme të shpeshtësisë së sëmundjeve gjenetike te foshnjat e lindura nga nënat mbi 35 vjeç. Sindroma Daun përbën anomalinë kromozomike më të shpeshtë ndër defektet e lindura. Fëmijët e prekur nga kjo sindromë vuajnë vonesë mendore të shkallëve të ndryshme dhe defekte fizike në lindje.

Një tjetër problem është edhe ai i abortit spontan, humbja e fëmijës përpara javës së 20 shtatzënisë. Për këtë arsye, të gjitha gratë shtatzëna duhet të tregojnë kujdes maksimal veçanërisht në tremujorin e parë të barrës së tyre. Prezenca e anomalive gjenetike kontribuon në shtimin e rrezikut për aborte spontane te gratë në moshë të madhe. Këto janë të predispozuara që të kenë edhe shqetësime gjatë shtatzënisë, si problemet me tensionin apo edhe çrregullime të tjera, të cilat mund të ndikojnë te fetusi. Ndërsa për minorenet, përveç lindjes së parakohshme apo shqetësimeve gjatë periudhës së shtatzënisë, një rrezik që u kanoset është ai psikologjik. Rreziku nga ndonjë abort i mundshëm është gjithashtu një problem mjaft shqetësues", sqaron mjekja gjinekologe Enkeleda Prifti.

Mirëpo, lindje në moshë të madhe ka sjellë edhe një shtim të rasteve të grave që bëjnë lindje me prerje cezariane apo siç njihet, me operacion. Ky është një tjetër shqetësim, pasi një lindje me prerje cezariane është disa herë më e rrezikshme se ajo normale. Ndërkohë, problem tjetër është edhe rreziku që shtohet në lindjen e fëmijës së tretë, pasi ky është maksimumi i lindjeve që mund të bëjnë këto femra. Gjinekologia këshillon që edhe në raste kur ka një shtatzëni nën moshë apo edhe mbi të 35-at duhet të tregohet kujdes. Sipas saj, kujdesi fillon që nga ushqyerja e shëndetshme e deri te kryerja e të gjitha analizave. Gjithashtu, ato duhet të qëndrojnë larg duhanit dhe alkoolit.