20151209koz1 |
Bisedimet për ndryshimin e klimës kanë hyrë tani në një fazë më të përparuar dhe janë bërë më të vështira këtë javë me përfshirjen në to ministrat e jashtëm dhe të mjedisit.
E ndërkohë që bisedimet vazhdojnë me ritëm të lartë kombe të ndryshme dhe grupe interesi shpalosin politikat dhe shpresat e tyre nëse një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese do të arrihet brenda kësaj jave.
Korrespodenti i CRI-së Guo Yan sjell më shumë hollësi.
Gjatë sesionit plenar, ministri i Mjedisit i Maldiveve dhe përfaqësues nga blloku i kombeve të vogla ishullore, Thoriq Ibrahim, bënë thirrje për veprime konkrete për të frenuar ndryshimin e klimës.
"COP21 do të jetë shansi i fundit për botën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për të cilën ne dëshpërimisht kemi nevojë për të ndaluar keqësimin e ndryshimeve të klimës. Nga ana tjetër ne nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër, por veçse të veprojmë tani. Ne jemi më të vetëdijshëm, disa janë më të vetëdijshëm, për këtë realitet të ashpër. Vitin e kaluar kemi duruar barrën rekord të tornadove dhe cikloneve në Paqësor, uragane shkatërruese në Karaibe dhe batica e përmbytje të papara ndonjëherë në Oqeanin Indian dhe përgjatë brigjeve të Afrikës."
Nozipho Mxakato-Diseko është një diplomat nga Afrika e Jugut dhe kreu i G77-ës dhe bllokut të Kinës, që përfaqëson mbi 80 për qind të popullsisë globale. Diseko paralajmëron se vendet e zhvilluara duhet të dhurojnë më shumë sesa zotimi prej 100 miliardë dollarësh për t'i ndihmuar vendet në nevojë të kapërcejnë pasojat e shkaktuara nga ndryshimi i klimës.
"Ne kërkojmë përfshirjen e rritjes së financimit të premtuar pas vitit 2020 prej 100 miliardë dollarësh në Aneksin 1 të marrëveshjes dhe zotimin e vendeve të zhvilluara për të marrë përgjegjësitë kryesore për të mbështetur më të dobëtit. Prandaj në thelb, kjo është një marrëveshje detyruese."
Diseko deklaron se vendet e zhvilluara kanë një përgjegjësi të përbashkët për të adresuar çështjen e ndryshimit të klimës duke kufizuar rritjen e temperaturës globale dhe parandaluar rritjen e nivelit të deteve.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se ndërsa teksti kryesor i marrëveshjeje së klimës duhet të jetë ligjërisht detyrues, disa elemente mund të jenë vullnetare.
"Kjo marrëveshje e cila do të jetë pjesa kryesore duhet të jetë detyruese. Por mund të ketë disa elemente, të cilat besoj jo domosdoshmërish mund të jetë detyrues. Unë mendoj se në thelb kjo është ajo të cilën duhet ta kuptojmë. Pra një marrëveshje detyruese, por në varësi të elementeve, do të ketë edhe zotime vullnetare."
Ban u kërkoi gjithashtu qeverive për të ndërmarrë një "revolucion të energjisë" për reduktuar në maksimum lëshimin e karbonit dhe shmangur ngrohjen katastrofale globale.
Ministri i Jashtëm francez dhe presidenti COP21 Laurent Fabius njoftoi një nismë që do të akordojë fonde për Afrikën për shtimin e burimeve të energjinë e ripërtërishme.
"S ai përket Shteteve të Bashkuara, unë dhe presidenti i republikës patëm mundësinë për të diskutuar drejtpërdrejt me presidentin Obama, që ashtu siç dhe ju e dini është tejet i vendosur për të arritur një marrëveshje në Paris, pasi frenimi i ndryshimit të klimës është një prëj përparësive të tij. Nga ana tjetër, marrëdhëniet tona janë të mirë e gjithashtu sekretari i Shtetit John Kerry ka mbërritur nga Uashingtoni këtu dhe unë pata mundësinë të takohem me të."
Konferenca e Parisit shënon herën e 21-të që kombet e ndryshme të botës takohen për të gjetur një zgjidhje për ndryshimin e klimës.
Delegatë nga mbi 200 kombe po punojnë për të arritur një marrëveshje përfundimtare për të reduktuar shkarkimin e gazeve serë si nga vendet e pasura ashtu dhe nga ato të varfra. (Leftion Peristeri)