20151126Suzhou |
Thënia se "në qiell është parajsa, në tokë Suzhou e Hangzhou" është shumë e vërtetë.
Suzhou është një qytet mbi 2500-vjeçar, shumica e arkitekturës së lashtë dhe e panoramave të tij edhe sot e kësaj dite impresionojnë vizitorët. Bukurinë e Suzhout nuk mundi ta fshihte dot as koha dhe as ndryshimet e saj.
Suzhou ndodhet në provincës Jiangsu të Kinës dhe kufizohet në lindje me Shangain, në jug me provincën Zhejiang, në perëndim me liqenin Taihu dhe në veri me lumin Jance. Në këtë qytet janë ndërthurur mrekullisht zona e re industriale dhe pjesa antike e qytetit.
Edhe pas kaq shumë vitesh qytet i lashtë ruan ende arkitekturën antike ku nuk mungojnë urat, rrugicat, shtëpitë me tjegulla bojëhiri si dhe monumentet historike dhe parqet e njohura.
Uji e ka mbajtur gjallë Suzhou-n në shumë aspekte. Kanalet me ujë që duken në pamje si labirinte të pafundme lënë shteg për një rrjet transporti shumë efikas, dhe për një pamje të pasur me skena piktoreske e një arkitekturë e mënyrë jete tipike të stilit Jiangnan të Kinës lindore.
Në zonën e lashtë të qytetit ka 5 rrugë historike: "Pingjiang", "Zhuozhengyuan", "Yiyuan", "Shantang" e "Changmen", si dhe shumë monumente historike.
Rruga "Shantang" quhet "rruga e parë e Suzhout". Në të ngrihen ndërtesa shumë elegante si dhe dyqane e restorante. Në mbrëmje fenerët e kuq ndriçojnë qytetin që është cilësuar edhe si Venecia e Lindjes.
Suzhou njihet për parqet dhe për çajtoret e veçanta.
Në Suzhou ka disa çajtore që ende ruajnë stilin e lashtë dhe elegant, aty mbizotëron aroma e këndshme e çajit. Duke pirë çaj dhe duke dëgjuar melodinë e pingtanit do t'ju largohet stresi.
Lumenjtë dhe liqenet e afërta ofrojnë peshq dhe butakë të cilat ende dominojnë kuzhinën vendase. Arti i qytetit është i pasur me imazhet ujore, dhe n.q.s udhëtoni me varkë nëpër kanalet ujore shoqëruesi juaj do t'ju kënaqi duke ju kënduar një këngë gjatë kohës që ai është duke vozitur, këngë e cila ka mbetur e pa ndryshuar për shekuj me radhë.
Parqet e Suzhout janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s. Ndoshta parku më i bukur dhe më i madh në qytet është Parku i Administratorit të Thjeshtë. 60% e sipërfaqes së tij është ujë dhe pjesa tjetër është një rrjet i gjerë rrugësh dhe urash. Aty ka shumë vende të vogla pushimi, me stola të mbuluara lart me çati, gjithashtu ndodhet dhe një koleksion i shkëlqyer i pemëve bonsai në fund të parkut. Është i shquar për arkitekturën dhe pamje të tij që të hutojnë. Parku Wangshi, është i vogël dhe relativisht i thjeshtë. Një nga të mirat e tij është afërsia që ai ka me zonën turistike kryesore në rrugën Shiquan, gjithashtu si dhe mbrëmjet e tij muzikore, akrobatike e shfaqjet teatrore gjatë muajve të verës.
Kodra e Dragoit, edhe pse jo tamam një park, është një tjetër panoramë historike, natyrore dhe artificiale. Legjendat thonë se disa nga strukturat e tij datojnë në kohën e mbretit Helu, sundues i mbretërisë Wu në antikitet. Përveç parkut. Në majë të kodrës qëndron si kurorë Pogoda Yunyan.
Në jugperëndim të Suzhout ndodhet porta e qytetit që quhet Porta Pan. Ajo i përket shek. të 12-të dhe është ndërtuar mbi hendekun e mëparshëm të kalasë.
Rruga Shiquan dhe rruga Guanqian ofrojnë një mori të madhe sendesh për të blerë si sende artizanale, artistike dhe antike. Gjithashtu shumë restorante të mira ndodhen në këto dy rrugë. Këto janë një nga rrugët më të populluara, të mbushura plot me njerëz dhe të zhurshme. Në mbrëmje ato kthehen në një vend plot jetë me klube vallëzimi dhe muzikë nëpër rrugë.
20 km larg nga Suzhou ndodhet fshati i qetë Tangli. N.q.s jeta e Suzhout nuk i përshtatet shijes suaj atëherë Tongli është një vend i shkëlqyer për tu çlodhur. Një fshat tipik ujor, një përzierje e stilit arkitekturor të dinastisë Ming dhe asaj Qing. Ky fshat plot sharm karakterizohet nga 40 ura në formën e harqeve dhe një numër i madh tempujsh e shtëpish të ruajtura mirë.
Pjesa më e madhe e lulëzimit dhe famës së Suzhout vjen nga bukuria e tij dhe nga arti gjenial i punimeve të artizanatit, sidomos ato të bëra me thesaret më të çmuara të Kinës, mëndafshi.
Suzhou ka qënë një qëndër e hershme e prodhimit të mëndafshit dhe ka mbetur kështu deri më sot. Qyteti dhe fshatrat përreth tij janë ende të mbushura dendur me pemët e manit të cilat ushqejnë krimbin e mëndafshit.
Muzeu i Mëndafshit të Suzhout është gjithashtu një vend i mirë për të mësuar më shumë rreth prodhimit të mëndafshit, atje ndodhet edhe një ekspozitë ku tregohet me detaje çdo hap i proçesit të prodhimit të mëndafshit.
Ushqimi në Suzhou
Kuzhina e Suzhout është shumë e ngjashme me atë Shangait dhe karakterizohet nga një aromë e lehtë, gatime të ëmbla dhe kuzhinë e pasur me peshk dhe prodhime të tjera deti. Një nga gatimet më karakteristike të Suzhout është një peshku në formën e ketrit. Peshku është i madh, pa hala dhe i prerë në copa-copa të vogla të cilat mbeten të pashkëputura nga trupi i peshkut dhe në fund skuqet. Kur përfundon merr pamjen e një bishti të ketrit dhe zbukurohet me karkaleca, perime të ziera dhe mbulohet në fund me nje salcë të ëmbël.
Një tjetër është pula shalqi, një gatim me mish pule të zier në një enë të bërë prej shalqiri. Ky gatim ofrohet vetëm gjatë stinës së verës.
Restorantet më të vjetra dhe të famshme të Suzhout gjenden përgjatë rrugës Guanqian, gjithashtu rruga Fenghuang është e mbushur plot me restorante që shërbejnë gjellë tradicionale të Suzhout dhe Zhejiang
Taihu është një nga liqenet më të mëdha me ujë të fraskët në Kinë, ai ndodhet shumë pak larg nga Suzhou. Liqeni ka bekuar zonën përreth Suzhout me tokë pjellore dhe ujë. Bujqësia dhe akuakultura kanë qënë industria kryesore e kësaj zone për shekuj me radhë.
Çaji Biluochun (碧螺春), është një lloj çaji jeshil që rritet rreth liqenit Tai. Ky çaj shquhet për aromën e tij të freskët dhe përfitimet që sjell në organizëm. Specialistët e çajit e kanë cilësuar si një nga çajrat më të mirë në Kinë. Kushtet e motit në këtë qytet ofrojnë kushtet më të mira për prodhimin e çajit të cilësisë së lartë.