">Kultura e çajit nëpër botë<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Kultura e çajit nëpër botë
  2015-11-12 16:24:54

Si ju pëlqen çaji?

S

i në Britani ku pihet me qumësht, me sheqer dhe ka një aromë që të kënaq, apo si në SHBA me akull, apo çaji i fortë jeshil japonez matcha, ndoshta ju pëlqen çaji me mente i Marokut apo çaji me gjalpë dhe kripë i Rajonit Autonom të Tibetit?

Çaji është një pije që bashkon shumë kultura, por njëkohësisht, edhe i ndan. Vende të ndryshme kanë zakonet e tyre për përgatitjen e çajit.

Kina

Çaji gjithmonë është menduar një pije që simbolizon Britaninë e Madhe, dhe është pirë atje prej qindra vitesh. Por, në fakt historia e çajit i ka rrënjët shumë më përpara. Historia e çajit fillon në Kinë. Sipas një legjende, në vitin 2737 para Krishtit, perandori kinez Shen Nung, po qëndronte ulur poshtë një peme ndërkohë që shërbëtori i tij filloi të ziejë ujin e pijshëm. Kur disa gjethe të pemës ranë në ujë, perandori provoi përzierjen e krijuar aksidentalisht. Që atëherë lindi çaji. Çaji u krijua në Kinë shumë shekuj përpara se të dëgjohej në Perëndim. Ai u njoh zyrtarisht atëherë si pije kombëtare e Kinës. U bë aq i famshëm sa që gjatë shekullit të 8-të, shkrimtari Lu Yu shkroi librin e parë rreth çajit.

Çaji është një pije që nuk mund të mungojë në jetën e përditshme të kinezëve. Çaji ka lloje dhe orare të ndryshme të përdorimit. Në disa vende të Kinës banorët preferojnë çaj të kuq, pekinasve u pëlqen çaji me lule Jasemin, kurse shangajasve u pëlqen më shumë çaji jeshil. Ndërsa atyre të provincës Fujian u pëlqen çaji i kuq. Në disa zona, njerëzit kanë zakon të pinë çaj shoqëruar me snacks, si në disa krahina të provincës Hunan të Kinës jugore, për pritjen e mysafirëve përdoret çaji shoqëruar me sojë e susam të pjekur etj.

Çaji më i kërkuar brenda Kinës është çaji jeshil, i cili ruan ngjyrën e vet origjinale, dhe gjethet e të cilit ngrohen për të parandaluar fermentimin ose derdhjen e lëngut nga zierja e ujit. Një nga çajërat më të famshëm në Kinë është çaji Longjing.

Çaj i zi në kinë quhet ndryshe edhe "çaj i kuq". Gjethet e tij janë të fermentuara përpara se të jenë ngrohur dhe përmbajnë esencë që tretet në ujë të ngrohtë, duke i dhënë atij ngjyrë të errët. Ky lloj i përgatitjes së çajit filloi të aplikohej në Kinë nga shekulli i 17-të. Çaji i kuq më i mirë janë Qihang nga Anhui, Dianhong nga Yunnan, Suhong nga Jiangsu dhe Huhong nga provinca Hunan.

Kategoria e tretë e çajit është unikale e Kinës dhe nuk ka ekuivalent të saj në asnjë vend tjetër. Është çaji- oolong - i cili është pjesërisht i fermentuar dhe zë një pozicion të ndërmjetëm midis çajit jeshil dhe atij të zi. Specialistët e prodhimit të këtij çaji janë të gjithë të pozicionuar në provincat e Kinës jugore Fujian, Guandong dhe Taiwan.

Kategoria e katërt është çaji aromatik. Çaji aromatik është një përzierje e gjetheve të çajit dhe luleve, megjithatë çajrat të përbëra ekslutivisht vetëm nga lulet nuk janë të ralla. Çaji Jasemin është shumë i pëlqyer në Kinën veriore, ku besohet se çaji me aromë përmirëson tretjen ose asimilimin e ushqimit duke ndihmuar në shpërbërjen e lyrave.

Kultura e çajit kinez i referohet metodave të përgatitjes së çajit, mjetet që përdoren për ta përgatitur atë, si dhe për raste që ai përdoret.

Po, Cha apo çaji me gjalpë dhe kripë, bëhet nga qumështi i buallicës dhe është një çaj që serviret vetëm në rajonin e Tibet. Atij i shtohet pakëz kripë dhe gjalpë.

Në Kinë çaji konsumohet gjatë gjithë ditës, por jo gjatë ushqimit Çaji pu'er konsumohet pas vaktit për të mos lënë akumulimin e yndyrës.

Çaji gjithashtu u bë pjesë e kulturës dhe jetës japoneze, pasi murgjit japonezë shkuan për një studim në Kinë. Atje u zhvillua Ceremonia e Çajit dhe ndiqeshin shpesh rituale të ndryshme.

Japonia

Kultura japoneze ka shumë rite. Në Japoni, gjërat që në Perëndim shihen si të zakonshme si hëna e plotë, apo çelja e luleve të pranverës, ndryshimi i gjetheve nga të gjelbra në kafe – janë ngjarje që kremtohen dhe përkujtohen. Pirja e çajit në Japoni kryhet gjithë elegancë.

Ceremonia e çajit organizohej fillimisht nga elita, por tani nga të gjithë.

Ekziston një ndjenjë harmonie që arrihet nga ekuilibri i shijes së hidhur dhe të ëmbël "Por përtej një përvojë të përkryer estetike, ceremonia e çajit është diçka më e çmuar akoma: një moment qetësie, kur çdo gjë ngadalësohet dhe i vetmi përqëndrim është shija e hidhur e çajit jeshil në gjuhë.

Kultura japoneze njihet për ritualin e servirjes së çajit, e cili është një ceremoni e stërholluar, e njohur me emrin "chado". Ceremonia e plotë zgjat katër orë dhe përfshin një vakt të lehtë, të ndjekur nga servirja e "koicha"-s (çajit të përqendruar) dhe "usucha"-s (çaj më i holluar), të cilët përgatiten nga një pluhur i hollë çaji jeshil që quhet "matcha", përzier me ujë të nxehtë në përpjestimet respektive.

Rusia

Rusët janë mësuar me ekstremet. Dimri rus është më i ftohtë, vodka e tyre më e fortë dhe çaji rus shumë i fortë gjithashtu.

Pirja e çajit në Rusi është e lidhur me samovarët, një lloj tenxhereje që kombinon vendin e nxehjes së ujit dhe çajnikun. Në majë të samovarit ndodhet vendi ku mbahet e ngrohtë esenca e çajit të përgatitur më parë, e cila më pas hidhet në një filxhan, hollohet me ujë të nxehtë nga samovari dhe serviret. Zakonisht çaji i zi apo jeshil ka origjinë nga Kina.

Maroku

Çaji në Marok është një përzierje çaji jeshil me gjethe menteje, i ëmbëlsuar me sheqer dhe hidhet në gota nga njëfarë lartësie. Sipas zakonit, nuk është e hijshme të refuzoni çajin e ofruar nga i zoti i shtëpisë.

Çdokush që ka qenë në Marok e di që mikpritja nuk ka kuptim pa një gotë çaji menteje të ëmbël ose shumë të ëmbël. Historikisht, përgatitja e çajit është bërë nga burrat më të moshuar të familjes. Gjethja e çajit është një kombinim i pluhurit të çajit jeshil kinez dhe shumë gjetheve të thara menteje me sheqer."

India--Çaji masala

India është një nga prodhuesit më të mëdhenj të çajit në botë. Një variant popullor çaji është çaji Masala, i cili zakonisht shoqërohet me sheqer ose mjaltë, qumësht dhe përzihet me erëza si kardamom, xhenxhefil, karafil dhe kanellë.

Britania

Ishte martesa e Çarlsit II dhe Katerinës që shërbeu si pikë kthese për historinë e çajit në Britani. Ajo ishte princeshë portugeze, dhe një e apasionuar pas çajit, dhe për shkak të dashurisë së saj për çajin e futi këtë kulturë në njerëzit e pasur. Kompania East India filloi të importonte çaj në Britani. Entuziazmi i çajit për britanikët vazhdon edhe në ditët e sotme. U bë një pije popullore në kafene, i cili përveç se për biznes shihej si diçka që dhuronte kënaqësi dhe relaks. Çaji konsumohej nga meshkujt e klasës së mesme e të lartë, ndërsa femrat e pinin në shtëpitë e tyre. Për klasën punëtore kjo pije ishte goxha e shtrenjtë.

Zakonisht britanikët pinë çaj rreth orës 5 apo 6 të pasdites. Ai shoqërohet me kekë dhe sanduiçë apo byreçka të vogla.