20151112Palimsest2 |
Isabella Liu, një dizenjuese kineze e bizhuterive që jeton në Londër ka fituar medaljen e artë në Milan World Expo 2015, në Konkursin Ndërkombëtar për Dizenjimin e bizhuterive Kinë-Itali, përkatësisht medaljet "Fashion Gold Medal of Best Product" dhe "Gold Medal of Best New Designer."
Bizhuteritë e dizenjuara nga kinezja Liu paraqesin një ndërthurje të stolisë bashkëkohore me skulpturën dhe për këtë lloj stili ajo tashmë është e njohur. Me koleksionet e bizhuterive të saj Liu paraqet ndërthurjen e brishtësisë dhe jopërsosmërisë por nga ana tjetër bizhutë e saj tregojnë dukshëm gërshetimin e kulturës perëndimore me trashëgiminë e lashtë të Lindjes.
Si një artiste e talentuar në artet vizuale Liu ka marrë dhe trofe të tjerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kështu asaj i është akorduar medalja e bronxtë dhe e argjendtë gjatë një Konkursi në Itali me titull A'Design Awards & Competition , në vitet 2013 dhe 2014, si dhe vendi i pare në finale e Çmimeve ENJOIA'T të ndara në Barcelonë të Spanjës. Edhe këtë vit nuk kanë munguar për Liu Isabella vlerësimet ndërkombëtare, ndër të cilat çmimi prestigjoz "Goldsmiths' Craftsmanship & Design Awards 2015" i cili për nga rëndësia mund të krahasohet me çmimet kinematografike Oscar. Çmimet e saj në Britaninë e Madhe, Itali, Spanjë dhe Kinë tregojnë se kemi të bërjmë me një artiste të talentuar dhe premtuese e cila e ka të hapur rrugën e suksesit në hapësirën europiane dhe aziatike.
Kritiku i njohur i arteve, Nick Wilson vlerëson Liun për kreativitetin e spikatur në ndërthurjen e qeramikës në bizhuteri, por dhe për perspektivën kulturore të veprave të saj në fushën e bizhuterive. Ndërsa në publikimin zyrtar të Shoqatës ndërkombëtare të dizenjuesve të bizhuterive "Jeweller Magazine" thuhet se "Isabella Liu krijon një urë lidhëse midis kulturës dhe artit të bizhuterive."
Në korrik të këtij viti punimet e saj u paraqitën në Festivalin "BMW Henley" në Britaninë e Madhe dhe u vlerësuan nga drejtuesi artistik i Festivalit, Stewart Collins, nga Fiona Sanderson themeluese e "the Luxury Channel", si dhe nga John Smith drejtues I firmës së njohur "Burberry", i cili është njëherësh president i Festivalit Henley.
Komiteti AQUAE i Venecias vlerësoi koleksionin e ri të dizenjuar nga Liu "Scar is No More a Scar II," dhe "Spring Glamour" të realizuar në bashkëpunim me Kompaninë "Tai Fu Jewllery", nga Shenzheni. Ato u quajtën nga ekspertët e bizhuterive si vepra bashkëkohore, me një lidhje unike të vetë dizenjueses me modën.
Shoqëri të ndryshme në fushën e bizhuterive si China Luxury Industry Association, The Hong Kong General Chamber of Jewellery, the Italian Jewellery Association, si dhe të tjera të pranishme në Expo Milano 2015 vlerësuan nivelin e lartë të bizhuterive të artistes kineze, ruajtjen e traditës, aftësinë krijuese dhe stilin e veçantë.
Liu përveç krijimit të profilit të saj të spikatur si artiste e nivelit të lartë në fushën e dizenjimit të bizhuterive ndihmon shumë dhe në formimin e dizenjuesve të rinj sin ë Britaninë e Madhe dhe në Kinë, duke shërbyer dhe si një kontribuese e promovimit të bashkëpunimit kulturor dhe artistic midis Kinës dhe Britanisë. (Eda Merepeza)