20151111-koz1 |
Partia opozitare e Minanmarit (ish Birmania) Lidhja Kombëtare për Demokraci ka arritur një fitore bindëse në zgjedhjet e para demokratike të mbajtura në vend gjatë 25 vjetëve të fundit.
Komisioni zgjedhor thotë se partia e drejtuar nga Aung San Suu Kyi ka fituar shumicën dërmuese.
Zëdhënësi i partisë, Win Htein:
"Sundimi i ligjit. Kemi nevojë për sundimin e ligjit. Kemi nevojë për paqe sepse duam demokratizimin dhe zhvillimin e vendit. Duam paqe. Ndaj do të bëjmë më të mirën për të arritur paqen. Në kohë të tjera, pranimi i këtyre gjërave rëndonte mbi qeverinë, jo mbi ushtrinë. Një ditë ne duhet të anulojmë 25 për qind të vendeve në parlament nga ushtria. Një ditë. Sepse ata nuk duhet të jenë, janë jo demokratikë."
Kryetari në detyrë i partisë qeverisëse Bashkimi për Solidaritet dhe Zhvillim, U Htay Oo, e pranoi humbjen dhe tha se do të respektojë rezultatin.
"Në shkallë kombëtare ne kemi fituar disa vende, por kemi humbur disa të tjera. Përgjithësisht partia humbi më shumë vende nga sa fitoi. Rezultati është vendosur nga populli. Dhe si një parti, Bashkimi për Solidaritet dhe Zhvillim, duhet t'u shërbejë interesave të njerëzve. Rezultatet përfundimtare nuk janë shpallur, por ne do ta respektojmë rezultatin."
Këto janë zgjedhjet e para të lira në këtë vend të Azisë Juglindore në një çerek shekulli. Që nga viti 2011, sundimi i gjatë ushtarak u zëvendësua nga qeveria gjysmëcivile e presidentit Thein Sein, duke shënuar fillimin e një periudhe reformash dhe hapjeje ndaj investimeve të huaja.
Komisioni zgjedhor fillimisht shpalli se partia e opozitës, Lidhja Kombëtare për Demokraci, kishte fituar 12 vendet e para të parlamentit.
Vetë kjo parti njoftoi se nga numërimi i bërë në secilën qendër votimi, ajo mund të merrte mbi 70 për qind të vendeve në parlament, mbi dy të tretën që duhej për të formuar qeverinë. Kjo do të ishte qeveria e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike që nga fillimi i viteve 1960.
Nobelistja 70-vjeçare Aung San Suu Kyi u bëri thirrje përkrahësve që të ishin të durueshëm dhe të prisnin rezultatet zyrtare. Ajo u kërkoi atyre që të mos i provokonin rivalët.
Zëdhënësi i opozitës, Win Htein tha se partia në fuqi, e përbërë nga pjesëtarë të ish-diktaturës ushtarake, duhet të pranojë rezultatin. Ai tha se në rajonet qendrore të vendit me popullsi të madhe, Lidhja Kombëtare për Demokraci, dukej se kishte fituar më shumë se 90 për qind të votave.
Në zgjedhjet e djeshme të Mianmarit për të dyja dhomat e parlamentit dhe për asambletë rajonale ishin regjistruar të merrnin pjesë rreth 32 milion njerëz. Zyrtarët zgjedhorë thanë se pjesëmarrja ishte 80 për qind.
Lidhja Kombëtare për Demokraci duhet të fitojë mbi dy të tretat e vendeve në parlament për të formuar qeverinë dhe për të zgjedhur presidentin.
Vetë zonja Aung San Suu Kyi nuk mund të zgjidhet presidente sepse bashkëshorti i saj, i cili nuk jeton, ka qenë shtetas britanik. Edhe dy djemtë e saj janë britanikë. Kushtetuta birmane nuk lejon dikë të martuar me shtetas të huaj ose me fëmijë që kanë shtetësi të huaj, të bëhet president.
Por ajo ka thënë se nëse partia e saj i fiton zgjedhjet, ajo do të marrë një rol në qeveri që do të jetë mbi atë të presidentit.
Në zgjedhjet e vitit 1990, Lidhja Kombëtare për Demokraci fitoi me shumicë dërrmuese, por junta ushtarake nuk i përfilli rezultatet. (Leftion Peristeri)