">Shopping në Pekin-1<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Shopping në Pekin-1
  2015-11-02 17:49:27

Çdo turist kur viziton për herë të parë një vend, apo një metropol të huaj në listën e gjërave për të bërë ka dhe blerjen e suvenireve apo prodhimeve tipike të atij vendi. Përsa i përket kryeqytetit kinez, një nga metropolet më të mëdhenj të botës shopping-u është një problem i zgjidhur për të gjithë llojet e turistëve.

Gjatë një turi në Pekin e ke të pamundur të mos blesh suvenire që pasqyrojnë kulturën e lashtë kineze, apo veshje tradicionale, simbole të Kinës që mund të përdoren për dhurata për të afërmit dhe miqtë.

Pekini ka një pafundësi rrugësh dhe qendrash tregtare, ku askush nuk del duarbosh. Ja disa nga rrugët kryesore tregtare të Pekinit.

Wanfujing

Wangfujing është një nga rrugët më të lashta dhe më të famshme tregtare të Pekinit ku njera pas tjetrës të presin qendra të ndryshme tregtare me veshje tradicionale kineze, prodhime tekstili apo lëkure kineze, qendra tregtare për libra në gjuhën kineze apo të huaj, qendra tregtare të prodhimeve elektronike, por edhe firma të njohura ndërkombëtare si "Zara", "H&M", "Calvin Klein", "Armani", "Esprite", "Diane von Furstenberg" e shumë të tjera.

Për turistët dhe vendësit në Wangfujing ka restorante apo fast foode me kuzhinë kineze, apo të vendeve të tjera aziatike dhe sigurisht nuk mungojnë McDonalds apo KFC si dhe bare, ndër të cilët Starbucks, Pacific Coffe etj. Turistët e huaj preferojnë gatimet tradicionale kineze, të cilat gjenden kudo në këtë rrugë dhe me çmime të leverdisshme.

Qianmen

Qianmen, është një rrugë tjetër e lashtë tregtare pekinase e cila ndodhet fare pranë Sheshit Tiananmen. Përgjithësisht turistët që vizitojnë këtë shesh dhe Qytetin e Ndaluar kalojnë për një vizitë dhe në rrugën Qianmen. Sapo i afrohesh rrugës të pret një portë e lashtë hyrëse, tepër imponuese për pamjen e saj madhështore dhe në vazhdim turisti sheh në të dy anët e rrugës ndërtesa të stilit perandorak, të shndërruara në dyqane por edhe një tramvaj të vogël i cili përshkon këtë rrugë. Qianmen është e ndryshme nga rrugët e tjera tregtare të Pekinit, pasi këtu nuk të sheh syri qendra shumëkatëshe tregtare, por dyqane të vegjël në krah të njeri-tjetrit. Vizitori mund të blejë me çmime të arsyeshme fustanin tradicional kinez "qipao" apo bluza karakteristike kineze, këpucë të qendisura, apo shaje të mëndafshta, si dhe një larmi suveniresh kineze si freskore, pasqyra të punuara me filigranë, krehëra prej bambuje, shkopinj për të ngrënë, enëza prej porcelani apo kukulla kineze tradicionale.Përsa i përket ushqimit edhe Qianmen ofron kuzhinë nga krahina të ndryshme të Kinës në hapësinë e saj. Një nga restorantet më të famshëm të gatimit të rosës së Pekinit, ai me emër Quanjude, ndodhet pikërisht këtu, por frekuentimi i tij kërkon ose prenotim të mëparshëm ose durim për të pritur rradhën. Në shpinë të rrugës qendrore Qianmen,ku ndodhen dyqanet me prodhime karakteristike kineze, ndodhen restorante kryesisht me gatime kineze të shpejta, si shishqebap qengji, noodles etj.

Xidan

Xidan është një rrugë tjetër tregtare pekinase e cila njihet edhe si " Wangfujingu i dytë i Pekinit", pasi është i ngjashëm me të.

Në këtë hapërisë gjigande vizitori e ka të vështirë se në cilën qendër tregtare do të hyjë, pasi reklamat e shumta, emrat e firmave të njohura botërore, shkallët lëvizëse në qiell të hapur të bëjnë të mendohesh për një çast. Godinat e qendrave tregtare me veshje, prodhime kozmetike, elektronike, brenda të cilave ndodhen restorante apo fast foode dhe bare janë shumë moderne dhe gjatë gjithë kohës të mbushura me njerëz.

Sanlitun

Sanlitun është jo vetëm një qendër argëtimi kryesisht për të rinjtë kinezë dhe të huajt, por edhe një zonë e preferuar për shopping kryesisht nga klientë me të ardhura mbi mesataren. Të gjitha firmat e njohura botërore gjenden në qendrat e këtushme tregtare, por më të shumta janë restorantet me kuzhina të shumë vendeve të botës si dhe baret. Natën kjo zonë e Pekinit, e mbushur dhe me klube nate e pube me muzikë live frekuentohet më së shumti nga të rinjtë dhe të huajt që jetojnë dhe punojnë në Pekin dhe për shqiptarët, ngjan me zonën e Bllokut në Tiranë.

Nanluogu

Të tjera rrugë karakteristike të vjetra pekinase ku turistët gjejnë artikuj artizanalë por dhe ndërtesa të stilit të vjetër janë Rruga e Kullës dhe rruga Nanluogu, ku në dyqanet e vogla në rrugicat hutong klientët, kryesisht turistë të huaj diskutojnë uljen e çmimit me shitësit.

Nanluogu ndodhet në krah të rrugës Houhai ku ndodhet dhe parku me të njejtin emër, që mbrëmjeve frekuentohet nga të rinjtë pasi është plot bare me muzikë live.

"The Place"

"The Place" është një nga qendrat tregtare më moderne të Pekinit, ku vizitori gjen një mori firmash të huaja dhe vendëse veshjesh, elektronike, kozmetike. E veçanta e kësaj qendre tregtare është se çatia e saj është në fakt një ekran gjigand, ku shfaqen pamje të mrekullueshme. Çmimet e këtushme janë sigurisht më të larta se në qendrat e tjera tregtare, por ka shumë vizitorë që thjesht kalojnë këndshëm në baret dhe restorantet me kuzhinë kineze apo perëndimore. Restorantet e këtushme aplikojnë kryesosht bufetë në orarin e drekës dhe larmia e gatimeve të tyre bën që të frekuentohen shumë. Në mbrëmje "The Place" ka një pamje të jashtëzakonshme të realizuar dhe nga shumëllojshmëria e dritave dhe ngjyrave. (Eda Merepeza)