20151012Hotpot2 |
Kopshti Botanik i Pekinit ndodhet në prehërin e një kodre në veriperëndim të kryeqytetit kinez, pikërisht në qarkun Haidian. Ai ze një sipërfaqe prej 400 hektarësh dhe njihet si kopshti më i madh botanik në veri të Kinës, por tepër i veçantë për shumëllojshmërinë dhe varietet e rralla të pemëve dhe bimëve të tij. Befasia e Kopshtit Botanik të Pekinit është se në brendësi të tij gjenden dhe monumente historike e fetare, të vizituara me kureshti dhe kënaqësi në çdo ditë të vitit.
Në qendër të Kopshtit ndodhet Konservatori, një pallat i kristaltë si në përralla. Kjo është një ndër serat më të mëdha në Azi, ku rriten mijëra bimë tropikale dhe subtropikale. Ndërsa në brendësinë e Kopshtit vizitori ka rastin të shëtitë në 11 kopshte ku rriten bozhure, jargavanë, bambu, manjola, trënafila e krizantema, varietete pishash, por dhe shumë lule të tjera dekorative kineze, pa harruar bonsait, ose të njohura në shqip si "pemëza".
Konservatori i Kopshtit Botanik është ndërtuar në vitin 1999 me një sipërfaqe prej 6.500 metra katrorë , me një koleksion prej 3000 bimësh, ku bien në sy orkidetë, kaktuset e një mori lulesh të tjera shumëngjyrëshe.
Larmia e luleve dhe pemëve të befason pas çdo hapi që hedh në këtë Kopësht. Jo vetëm fëmijët i gëzohen bukurisë së rrallë që ka mbledhur në hapësirën e tij ky Kopësht, por edhe prindërit, gjyshërit e tyre, pa harruar të rinjtë e të rejat që e vizitojnë shpesh atë. Si mund të ndjehesh në një kopësht me 1000, ku të duket vetja se po shëtit në Afrikë apo Arizona ?
Konservatori në brendësi të Kopshtit Botanik të Pekinit ka një rëndësi të madhe për kultivimin dhe ruajtjen e varieteteve të luleve dhe pemëve por dhe për ndihmesën që jep në edukimin botanik të nxënësve dhe studentëve. Shpesh kjo hapësirë vizitohet nga nxënës shkollash të shoqëruar me mësuesit e tyre të biologjisë për të parë nga afër botën bimore dhe për të konkretizuar dijet teorike të marra në orët e mësimit.
Nga një hapësirë te tjetra e Kopshtit Botanik vizitori i orientuar drejt përmes sinjalistikës, të realizuar me tabelëzat prej druri të shkruara në kinezisht dhe anglisht, zgjedh të shëtisë në pavijonet e mrekullueshme të tij.
Kopshti i pemëzave( Penjing) njihet bonsai në gjuhën kineze, që në shqip e përshtatim me fjalën "pemëz". Një hapësirë e tërë me këto pemëza që u tregojnë vizitorëve artin e lashtë tradicional kinez të rritjes së tyre. Me një lashtësi afro 1900 vjeçare arti i rritjes së "pemëzave" Penjing vjen kaq natyrshëm dhe madhështor në Kopshtin Botanik të Pekinit. Ajo që të tërheq vëmendjen në këtë hapësirë të Kopshtit është se pemëzat vijnë nga krahina të ndryshme të Kinës dhe ato kanë karakteristika të ndryshme.
Pemët e Kopshtit ofrojnë dhe rastin të shohësh gingko 1300 vjeçare, por ka dhe shumë pemë të tjera mbi 100 vjeçare në hapësirën e tij. Vizitorët mund të shohin se me sa kujdes stafi i Kopshtit ruan pemët e lashta, duke u siguruar mbështetje druri, rrethime dhe punime të tjera që i mbajnë gjallë.
Kopshti i trëndafilëve
I ndërtuar në vitin 1993, ky kopësht ze një sipërfaqe prej 7 hektarësh. Në brendësi të tij të pret një koleksion prej 100 mijë trëndafilësh., ndër të cilët 1000 janë të kultivuar. Ky kopësht nuk shërben vetëm për tu vizituar por edhe si qendër studimi por studjuesit e botanikës, madje dhe për ilustrime të leksioneve në këtë shkencë.Në kopështin e trëndafilave përfshihen specie origjinale por dhe ato të njohura si të trashëguara apo moderne. Kopshti të befason me shumëllojshmërinë e trëndafilëve origjinalë, por edhe të kultivuar nga shartime të ndryshme. Çdo imagjinatë ngjyrash duket se realizohet në këtë hapësirë kaq të rrallë për syrin e njeriut. Ndër llojet e rralla të trëndafilave të kultivuar që njihen me termin "modernë" dallojmë "trëndafilin hibrid të çajit", trëndafilin në miniaturë". Kulmin e bukurisë kopshti e ka kur çelin gonxhet e trëndafilëve ku përveç pamjes së mrekullueshme, vizitorët ndjejnë dhe aromën e tyre. Kjo ndodh nga maji deri në nëntor të çdo viti, që është një periudhë relativisht e gjatë ku vizitorët kanë rast të shijojnë këtë mrekulli të natyrës, që me kujdesin njerëzor sjell një vlerë jo vetëm estetike, por mbi të gjitha studimore në fushën e botanikës.
Lugina e qershive
Ndodhet në këmbët perëndimore të malit Shou an, dhe njihet me emrin Tuigu ose Kopshti Zhous. E veçanta e këtij kopshti është niveli i lartë i lagështisë që të rrethon me avuj të bardhë dhe hera-herës vizitorët "zhduken" si në një efekt filmik. Fotot më të shumta vizitorët e Kopshtit Botanik i bëjnë pikërisht në këtë hapësirë të tij, pasi një pyll i përfshirë nga mjegulla, ndërtuar me urëza prej druri, poshtë të cilave ngjeshen njeri pas tjetrit shkëmbinj, duket me të vërtetë si një dekor i rrallë, që duhet fiksuar në kujtesë përmes fotove. Në hapësirën e Luginës së qershive vizitori ka rastin të shohë tempuj të ndërtuar ndër shekuj si Tempulli Longjiao, Wuhua,Yuantong dhe Puji.
Monumentet historike dhe fetare të Kopshtit Botanik të Pekinit
Memoriali i Cao Xueqin sjell për vizitorët një skenë të gjallë të fshatrave malore të Kinës.
Varri i Liang Qichao shtrihet përtej zonës së pyllëzuar të Kopshtit dhe i kushtohet reformistit të njohur që ka jetuar në fund të dinastisë Qing(1644-1911)
Tempulli i Budës së Fjetur i ndërtuar në fillim të dinastisë Tang (618-907), ka në qendër të tij një statujë të madhe prej bakri të Budës e krijuar në vitin 1321 së bashku me 12 figurina të tjera më të vogla , që konsiderohen të shenjta nga besimtarët budistë. Ky Tempull i njohur me emrin origjinal Doushuai ka pësuar ndër vite rinovime të shumta si gjatë dinastisë Yuan (1271-1368), Ming (1368-1644) dhe dinastisë së fundit kineze Qing (1644-1911). Ndërsa vetë tempulli është quajtur Shifanpujue, në vitin e 12-të të sundimit të perandorit Yongzheng. Në ditët e sotme tempulli njihet me emrin Wofo. Tempulli përbëhet nga 4 salla dhe kopshte rrethuese. Në vitin 2000 ky tempull është njohur si Trashëgimi Historike e Kinës. Në këto ditë vjeshte janë të shumtë vizitorët që luten në hyrje të tempullit dhe kryejnë rite fetare budiste. Në afërsi të tij ka dhe njësi tregtare ku vizitorët mund të blejnë stoli me simbole budiste ose artistike me karakteristika kineze.
Monumenti i Lëvizjes së 9 dhjetorit 1935 është ndërtuar në përkujtim të lëvizjes së 9 dhjetorit , në kuadër të Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër pushtuesve japonezë.
Kopshti Botanik i Pekinit vizitohet çdo vit nga rreth 4 milion vendës dhe të huaj. Në rreth 700 varietet e tij bimore shumica janë karakteristike kineze, por ka dhe lule të sjella nga vendet e tjera, kryesisht aziatike. Pjesët pyjore të kopshtit sjellin kënaqësi të veçantë për vizitorët, të cilët organizojnë piknik gjatë vizitave të tyre në kopësht. Gjatë shëtitjes në territorin e Kopshtit pashë shumë çadra kampingu ku familje apo çifte kalonin ditën ne këtë ambjent me ajër të pastër e të freskët mbushur me aromë lulesh e pemësh. (Eda Merepeza)