20151005veshje |
Në Shangai ka vetëm dy male. Njëri, që ndodhet në Parkun Turistik Kombëtar Sheshan është destinacioni i udhëtimit më i pëlqyer për banorët e distriktit Songjiang. Kurse, tjetri që injorohet nga njerëzit është një "mal" plehrash.
22 mijë tonë plehra "prodhohen" çdo ditë në Shangai, ndërsa 70% e tyre transportohen drejt vend-grumbullimit Laogang, që zë një sipërfaqe prej 4.1 milionë metra katrore në zonën Pudong. Kjo sasi e madhe plehrash kërkon ndërhyrje urgjente për të gjetur një rrugë zgjidhje.
"Në sasinë e përgjithëshme të mbetjeve ka edhe nga ato që ende kanë vlerë. Prandaj, ne duhet ta trajtojmë me seriozitet riciklimin e tyre. Për këtë, na duhen politika më të favorshme, krijimi i një sistemi më efektiv, duke shtuar vlerat e produkteve të ricikluar", tha Sun Huaibin, zv.Sekretar i përgjithshëm i Këshillit Kombëtar të Tekstileve dhe të Veshjeve të Kinës.
Ka shumë mënyra për të ulur prodhimin e mbeturinave dhe riciklimi i produkteve tekstile është një ndër to. Sipas të dhënave të publikuara nga Këshilli Kombëtar i Tekstileve dhe i Veshjeve, riciklimi i të gjitha produkteve skarco tekstile mund të kursejë energji sa 24 milionë tonë naftë e papërpunuar.
Përveç kursimit të energjisë, riciklimi i veshjeve mund të ndihmojë në pakësimin e lëshimit të karbonit në Kinë. Një raport i agjencisë zyrtare të lajmeve Xinhua thotë se riciklimi i tekstileve mund të ulë 80 milionë tonë dioksid karboni, që lëshohet në vit në mbarë Kinën.
Mirëpo, vetëm më pak se 10% e mbetjeve tekstile mund të riciklohet në qytetet kryesore si Shangai dhe Guangzhou.
Që nga viti 2011, bashkia e Shangait hartoi një projekt për këtë çështje, duke u ofruar distrikteve të ndryshme të qytetit 2000 kuti riciklimi për veshjet e përdorura.Vitin e kaluar në këto kuti janë mbledhur 1100 tonë rroba të hedhura.
"Njerëzit prodhojnë plehra dita ditës dhe nuk interesohen për mënyrën e trajtimit të tyre me djegie apo groposje, madje as për dëmet që mund të krijojnë për mjedisin tonë. Nëpërmjet praktikave të riciklimit, ata mund të binden të kontribuojnë për të përmirësuar mjedisin natyror", tha znj. Yang Yinghong, e cila është kryetare e bordit të kompanisë Shangai Yuanyuan Industrial Co Ltd., një ndër tre ndërmarrjet që merren me zbatimin e këtij projekti, të iniciuar nga qeveria.
Vitin e kaluar, 21.32 ton veshje dimërore që ishin në gjendje të mirë u dërguan nga Shangai për të ndihmuar qytetarët në vështirësi ekonomike. Ndërkohë, vullnetarët thurën me riciklim 1.15 ton triko për nxënësit në nevojë, në rajonet e varfëra.
Që nga viti 2012, vullnetarët kanë thurur mbi 5000 triko me fije leshi të ricikluara për shkollat e posaçme në provincat Anhui, Guizhou, Shaanxi etj., që mbulojnë të gjitha shpenzimet e nxënësve në vështirësi ekonomike. Kurse, veshjet verore, pas procesit të dezinfektimit janë shndërruar produkte sanitare si shtupë dyshemesh, leckë pastrimi etj.
Krahas zhvillimit ekonomik, kinezët shpenzojnë afro 258 miliard dollarë amerikanë çdo vit për blerjen e veshjeve. Sipas një sondazhi të kryer kohët e fundit nga kompania Contact Lab në Milano, në disa metropole kineze buxheti mesatar për blerjen e një produkti luksoz ka arritur deri në 1010 dollarë amerikanë.
4/5 e qytetarëve në Shangai që morën pjesë në sondazh thanë se kanë blerë më shumë se një produkt luksoz vitin e kaluar. Gati 91% e tyre, pohuan se do të blejnë produkte të tjera të shtrenjta në gjashtëmujorin e ardhshëm. Kurse vetëm 77% e qytetarëve në Nju Jork e kanë shprehur këtë dëshirë gjatë sondazhit.
Zhvillimi i shpejtë i biznesit të modës po nxit njerëzit të blejnë më shumë veshje se sa u duhen, duke krijuar edhe më shumë rroba të përdorura. Kështu tha Zhang Na, dizenjuese që punon për një projekt mbi ripërdorimin e veshjeve të hedhura, të cilat vlerësohen si veshje "jashtë modës". Si një dizenjuese e pavarur, Zhang ka organizuar një sfilatë mode në vitin 2011 në Austri me një koleksion të ri. Në sfilatë vlerësimet e spektatorëve u shtuan kur ata mësuan se mbi 20 veshje të koleksionit ishin ricikluar.
E rritur në një familje me atmosferë të theksuar akademike dhe artistike, Zhang ka mbaruar studimet për dizenjim në Mod'Art International Paris dhe në Akademinë e Arteve të Xi'an-it para se të zhvendosej në vitin 2004 në Shangai. Sipas saj, këtu mund të hyhet më lehtë në industrinë e modës dhe i pëlqen pasi është qyteti ku banonte shkrimtarja qe saj e preferuar Eileen Chang.
Zhang Na
Në 2008 Zhang krijoi markën e saj të modës Fake Natoo dhe pas 3 vjet zhvillimi të biznesit të saj, ajo nisi të mendonte për domosdoshmërinë e prodhimit të veshjeve të reja në çdo stinë. Ajo kuptoi se në vend të dizenjimit të rrobave mund të jetë më interesante të shndërrojë veshjet jashtë modës në produkte të reja. Me këtë ide, ajo krijoi "Reclothing Bank" në vitin 2010 për t'u dhënë rrobave të përdorura një jetë të re. Veshjet e para ajo i paraqiti gjatë koleksionit të saj në sfilatën e modës në Austri.
"Ndjej gëzim kur shoh se markat e modës si Zara dhe H&M po u ofrojnë të rinjve më shumë shanse të blejnë veshje me çmime të arsyeshme, por me dizenjim në nivel të lartë si ai i markave luksoze. Por, pyetja është që a na duhen kaq shumë veshje të reja", tha znj. Zhang.
Që nga viti 2010, ajo ka ripunuar gati 500 veshje për Reclothing Bank dhe shumica e tyre u shitën në tregun e brendshëm.
Megjithëse rrobat origjinale janë falas, procese si pastrimi, dezinfektimi, thurja, ridizenjimi dhe riprodhimi kushtojnë. Për të mbaruar një produkt, Zhangut i duhet të punojë mbi 2 javë.
"Çdo copë pëlhure ka karakteristikat e veta, por unë duhet ta përshtas atë me kohën moderne", tha Zhang Na.
Lidhur me suksesin e arritur në biznes ajo thotë se gati gjysma e kohës së saj përdoret për Reclothing Bank. Zhang nuk ka plan të zgjerojë projektin, por beson se është vetëm çeshtje kohe që njerëzit ta kuptojnë parimin e riciklimit të rrobave.
Në vitin 2013, gjigandi suedez i shitjeve me pakicë të veshjeve "H&M" u bë kompania e parë në botë e biznesit të modës që shpalli programin global të riciklimit të rrobave, që njihet si "Garment Collecting Initiative". Tani, kjo kompani që ka pasur ekspansion të shpejtë në Kinë lejon klientët të dhurojnë veshje të tyre të padëshiruara në cilindo degë dyqani të saj në mbarë botën.
"Veshjet pavarësisht materialit, markës apo në çdo lloj situate janë të pranueshme. Në kthim, klientët mund të fitojnë kupon nga ana jonë për ta përdorur në blerjen e ardhshme", tha Magnus Olsson, menaxheri i H&M për Kinë.