">Dashuria është përkujdesje<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Dashuria është përkujdesje
  2015-09-28 17:16:36

Hao Jinhai, është një 87 vjeçar kinez, veteran i Luftës Çlirimtare të Popullit kinez. Pas mbarimit të luftës ai u kthye në shtëpinëe tij në Handan, të provincës Hebei,ku u martua në vitin 1956. Çifti pati 5 fëmijë, të cilët i rritën me dashuri dhe sakrifica sit ë gjithë prindërit.

Në vitin 1981, bashkëshortja e zotit Hao, zonja Liu pësoi një trombozë cerebrale si pasojë e së cilës mbeti e paralizuar. Që nga ajo kohë deri më sot ndonëse në moshë të thyer 87 vjeçare zoti Hao nuk ndalet së ndihmuari gruan e tij pothuajse në çdo veprim.

 

Hao prej vitesh gatuan, pastron dhe bën të gjitha punët shtëpiake, pa lënë mënjanë kujdesin e përditshëm për bashkëshorten e paralizuar. Madje ai nuk harron as ti bëjë së shoqes çdo ditë masazh të gjymtyrëve, çka e lehtëson disi në qëndrimin e saj të palëvizur në karrigen me rrota. Për të gjithë bashkëfshatarët ata janë një çift me një histori të rrallë dashurie, por edhe kujdesi, respekti dhe harmonie.

Shpirt human në ndihmë të njerëzve në nevojë

Gao Ping,një student kinez në Kanada, për 40 ditë ka ecur me biçikletë për të mbledhur ndihma për një djalë të vogël nga province kineze Shandong i prekur nga leucemia.

Pasi mësoi lajmin për sëmundjen e rëndë të vogëlushit, Gao vendosi të bënte një udhëtim me biçikletë prej më shumë se 4300 km nga Vankuveri deri në Otava të Kanadasë me synim mbledhjen e fondeve për kurimin e djalit të sëmurë. Gjatë udhëtimit Gao realizoi shumë fotografi nga peizazhet e mrekullueshme dhe kërkoi ndihmën e një bashkëstudenti për ti stampuar ato. Gao gjithashtu mblodhi dhe kartolina nga të gjitha vendet që përshkoi me biçikletën e tij në këtë mision human.

Por misioni i këtij studenti kinez në Kanada nuk ishte kaq i lehtë. Ditën e tretë të udhëtimit ai pësoi një aksident dhe u dëmtua , por një çift që kalonte pranë e ndihmoi atë të shkonte në spitalin më të afërt. Pasi pushoi një ditë, Gao rinisi udhëtimin e tij.

 

Edhe vështirësi të tjera hasi i riu Gao në udhëtimin e tij me mission mbledhjen e fondeve për të ndihmuar vogëlushin kinez të prekur nga leukemia por ai nuk e ndërpreu atë, për asnjë çast.

Në përfundim të udhëtimit ai arriti të mblidhte 22,416 yuan,duke përfshirë dhe donacione prej 5000 dhe 6666 yuan nga dy kanadezë bujarë. Menjëherë pas mbledhjes së fondeve Gao Ping u nis me avion drejt Kinës dhe i dorëzoi të atit të vogëlushit shumën e mbledhur për kurimin e të birit nga sëmundja e rëndë.

Të jesh plak për 24 orë

26 vjeçarja kineze Lei Mengyun zgjohet në 4 të mëngjesit dhe vendos syzet, vendos tapa në veshe dhe qeset me rërë në gjunjët e saj. Ajo nis të lëvizë me vështirësi, për shkak të këmbëve që i ndjen të rënda, shikon e habitur të tjerët që i flasin me zë të lartë pasi nuk arrin të dëgjojë mirë dhe me vështirësi gjen rrugën sepse edhe shikimin e ka të rënduar.

Lei është një e re e shëndetëshme, që sheh, ecën e dëgjon për bukuri por ajo po merr pjesë në një projekt për mbledhje fondesh të quajtur "24 orë vetmi" krahas 200 të rinjve të tjerë. Kjo veprimtari është organizuar nga një shtëpi për të moshuar në Xi'an, të provincës veriperëndimore kineze Shaanxi. Organizatorët e veprimtarisë synojnë që përmes saj të ndërgjegjësojnë opinionin publik, kryesisht të rinjtë për kujdesin që duhet treguar ndaj të moshuarve në shoqëri.

Vullnetarët që marrin pjesë janë të moshës 20 deri në 60 vjeç, të cilëve u kërkohet të mbyllin telefonin për 24 orë dhe të mos komunikojnë me askënd, si dhe të jetojnë sikur të jenë pleq. Vullnetarët e moshave të ndryshme për 24 orë jetojnë përditshmërinë e një të moshuari.

40 vjeçari Jiang Xingqin duke treguar përvojën e tij në projekt thotë se pas ushtrimeve të mëngjesit shkon në dhomë për të lexuar gazetat. Por për shkak të numrit të syzeve ai detyrohet të mbajë fare pranë syve gazetën, që të mund ta lexojë atë. Ai ka ngrënë ushqim pa kripë, sepse kjo u këshillohet të moshuarve nga mjekët. Jiang thotë se duke jetuar për 24 orë përditshmërinë e një të moshuari ai është mërzitur jashtë mase dhe arrin ta kuptojë tashmë se si ndjehen të moshuarit.

 

Duke ndarë përvojat e tyre 24 orëshe si pleq, pjesa më e madhe e vullnetarëve pjesmarrës në projekt tashmë e kanë kuptuar se sa vështirësi ka një i moshuar në përballimin e jetës. Për këtë arsye vullnetarët shprehen se janë të gatshëm të ndihmojnë me çdo mjet dhe mënyrë të moshuarit, sepse ky projekt i ka ndërgjegjësuar realisht.

Ndërsa 35 vjeçarja Gao Ying, tregon se tashmë e ka kuptuar se si duhet të sillet me prindërit e saj të moshuar. Mbi të gjitha ajo premton të kushtojë më shumë kohë nga koha e saj e lire për të qëndruar me prindërit, por dhe për të shkuar me ta në veprimtari të ndryshme argëtuesve, me qëllim që jeta e tyre të jetë sa më e hareshme.

Ndërsa 60 vjeçari Li Xiuqin, që ka marrë pjesë si vullnetar në projekt thotë se shpreson që pas 10 vjetësh të jetë përsëri përdorues i teknologjisë së avancuar, siç janë kompjuterët dhe celularët që të mund të jetë sa më i lidhur me aktualitetin dhe të mos ndjejë vetmi e mërzitje. (Eda Merepeza)