20150917Palimsest02 |
Qian Xiuling -Gruaja Schindler e Kinës
71 vjeçarja Zhang Yawen, ka botuar së fundmi një tjetër libër me temën e luftës, i cili është një vazhdim i romanit të saj "A Chinese Woman at Gestapo Gunpoint", botuar në vitin 2002. Ky libër është dramatizim i jetës së Qian Xiuling një kinezo-belge e cila shpëtoi mbi 100 belgë nga nazistët me ndihmën e gjeneralit gjerman Alexander von Folkenhausen. Libri i dha një fame të madhe në Kinë dhe jashtë saj autores Zhang, ndërsa Qian që nga ajo periudhë konsiderohet si " gruaja Schindler e Kinës".
Më 24 qershor një botim në anglisht i romanit u përzgjodh nga presidenti i Kinës Xi Jinping për tja dhuruar Mbretit Philippe të Belgjikës, gjatë vizitës në këtë vend europian.
Pikërisht në këtë periudhë botuesi i kërkoi autores Zhang ribotimin e librit. Libri i ri me titull "Play Games with Devils: Lessons for the Future", bazohet në intervista dhe material dokumentare të mbledhura ndër vite nga autorja.. Aty flitet për shumë qytetarë që kanë ndihmuar bashkëqytetarë të tyre të shpëtojnë nga kthetrat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë dhe Qian Xiuling, gjermanët Falkenhausen dhe John Rabe, Sindberg nga Danimarka dhe Verda Majo nga Japonia .
Takimi me zonjën Qian
Intervista e pare me zonjën Qian u zhvillua para 16 vjetësh. Në maj të vitit 1999 Zhangut i telefonoi një mik i cili i tregonte për një artikull në "Global Times" kushtuar një zonje kineze e nderuar me çmimin "Heroinë e shtetit", me motivacionin për shpëtimin e një numri qytetarësh belgë gjatë Luftës së Dytë Botërore, me ndihmën e një gjenerali gjerman. Aty thuhej se kur u zhvillua pas luftës gjyqi kundër gjeneralit, Qian dëshmoi në mbrojtje të tij. Autorja e librit Zhang sapo mësoi këtë lajm vendosi të udhëtonte drejt Belgjikës për tu takuar me këtë zonjë kineze dhe për të shkruar një libër kushtuar asaj. Pas përpjekjesh ajo arriti në Belgjikë në tetor të të njejtit vit.
Pa njohur asnjë gjuhë të huaj, e pajisur vetëm me një aparat fotografik, një magnetofon dhe një bllok shënimesh Zhang mbërriti në Bruksel dhe trokiti në derën e banesës së zonjës Qian.
Qian kishte ardhur në Belgjikë në vitin 1929 pasi ishte larguar nga vendlindja e saj Yixing në provincën Jiangsu në moshën 16 vjeçare. Pasi përfundoi studimet për doktoraturë në kimi ajo u martua në vitin 1935 me një mjek rus.
Kur kujton përshtypjet e para të takimit me zonjën Qian, autorja Zhang e përshkruan atë si shumë elegante, të dashur dhe të edukuar. Lidhur me dhënien e një interviste nga ana e zonjës Qian, pjestarët e familjes së saj kishin mendime të ndryshme. Djali i madh i saj ishte i mendimit se e ëma duke ndihmuar qytetarët belgë nga mizoritë e luftës kishte bërë diçka që e kishin bërë dhe të tjerë.
Edhe pse Zhang i shpjegoi se shpirti human i nënës së tij ishte i vlerësuar shumë në Kinë dhe Belgjikë, i biri i saj përsëri mbeti dyshues.
Zhang nuk u zmbraps në qëllimin e saj ndaj në 27 ditët e qëndrimit në Bruksel zhvilloi mjaft biseda me zonjën Qian dhe familjarët e njerëzve që ajo kishte shpëtuar nga mizoria naziste, lexoi letra dhe libra historikë për luftën si dhe vizitoi vende që lidheshin me veprimtarinë e zonjës Qian gjatë luftës.
Sa më shumë mësonte për këto histori aq më shumë Zhang bindej se historia e zonjës Qian ishte po aq prekëse sa filmi "Lista e Schindlerit". Ndaj ajo vendosi ta shkruajë atë.
Në mars të vitit 2002, u shfaq seriali televiziv me 16 seri "A Chinese Woman at Gestapo Gunpoint".
Në kulmin e debateve për të drejtat e botimit të librit, zonja Zhang u diagnostikua me një sëmundje të rëndë në zemër, që e detyroi të operohej në vitin 2004. Në vitin 2007 autobiografia e saj me titull "Cry for life"pa dritën e botimit. Ajo tha lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme se "është një punë dokumentare të cilës i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës". Lexuesit e mirëpritën librin i cili ka marrë dhe shumë vlerësime në formën e çmimeve letrare, ndër të cilët dhe çmimin prestigjioz për letërsi "Lu Xun" në vitin 2010.
Biografia
Zonja Zhang lindi në vitin 1944 në një familje të varfër në rajonin malor Kaiyuan, në provincën Liaoning në verilindje të Kinës. Kur nisi shkollën ajo udhëtonte në këmbë rreth 10 km çdo ditë për të shkuar në shkollë. Ishte mjaft e shkathët dhe një atlete e mirë. Në vitin 1977 ajo ishte e martuar me 2 fëmijë. Bashkëshorti i saj gjithashtu ishte atlet e kishte nxitur gjithmonë të shkruante, duke vërejtur talentin e saj.
Shkrimi i saj i pare kishte rreth 3000 fjalë dhe ishte një një histori e shkurtër kushtuar jetës së një gruaje, botimi i së cilës në një gazetë shërbeu si nxitje për shkrimet e saj të mëvonëshme. Zonjës Zhang i pëlqente shumë poezia e vjetër dhe ajo lexonte shumë letërsi dhe kryeveprat e saj.
Në vitin 1991 ajo nisi të udhëtonte jashtë vendit dhe udhëtimi i pare ishte në Rusi, ku intervistoi tregtarët kinezë në këtë vend. Më pas ajo vizitoi mbi 10 vende të botës për të cilat shkroi artikuj të shumtë. (Eda Merepeza)