20150914kinasot |
Popullsia kineze po plaket me një shpejtësi të madhe. Sipas parashikimit, deri në mesin e këtij shekulli, numri i të moshuarve do të arrijë deri në 480 milionë, sa 30% e popullsisë së përgjithshme të vendit. Kjo nënkupton se 1 ndër 3 kinezë do të jetë mbi 60 vjeç.
Si do të përballohen kërkesat e këtij numri të madh të të moshuarve? Ky problem po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e qeverisë kineze.
Pavarësisht emocioneve apo realitetit, mënyra kryesore do të jetë kalimi i pleqërisë në shtëpi. "Si gjethet që bien mbi tokë në vjeshtë", me këtë shprehje kinezët përkufizojnë kalimin e pleqërisë në shtëpi i rrethuar nga familjarët. Ndërkohë, sipas planifikimit, deri në fund të këtij viti, institucionet e ndryshme mund të ofrojnë shërbime vetëm për 3% të të moshuarve, gjë që tregon se pjesa dërrmuese e tyre duhet ta kalojnë moshën e tretë në shtëpi. Por, edhe pse të moshuarit do të jetojnë në shtëpi, shërbimet ndaj tyre do të përmirësohen dukshëm.
Çdo ditë, në orën 12.00 të mesditës dhe në 6.00 të mbrëmjes, punonjësit e shtëpisë së të moshuarve dërgojnë ushqimin e gatuar në shtëpinë e 73 vjearit Luan Bingmai në distriktinin Heping të qytetit Tianjin. "Ofrimi i ushqimit më ndihmon shumë, madje kam shtuar në peshë", thotë zoti Luan. Në të kaluarën, ky i moshuar, i pamartuar ishte i dobët fizikisht dhe kishte mjaft probleme në përditshmërinë e tij. Që nga viti 2012, distrikti Heping u shndërrua në një zonë eksperimentale e reformës së institucioneve të pleqërisë. Tani, mbi 3000 banorë mund të përfitojnë ushqim të gatuar, si dhe kontroll të rregullt mjekësor në shtëpi.
Ky projekt pilot po zhvillohet edhe në provincat Gansu, Zhejiang, Hu'nan etj. Po shtohet gjithnjë e më shumë numri i të moshuarve që jetojnë vetëm,por që u ofrohen këto shërbime në shtëpi.
"Nëse në të ardhmen në çdo lagje do të veprojë një ekip profesionistësh për kujdesin e të moshuarve, ata nuk kanë përse ta kalojnë jetën në shtëpitë e të moshuarve. Niveli i jetesës së tyre do të përmirësohet ndjeshëm", komentoi prof. Liu Jitong,i Universitetit të Pekinit për politikat shëndetësore.
Ndërkohë, Kina do të nxitë zhvillimin e institucioneve për kujdesin ndaj të moshuarve, që kanë humbur aftësi të bazë jetike.
Në një shtëpi të të moshuarve pranë Spitalit Binhu të qytetit Hefei të provincës An'hui, dy të moshuar ndajnë një apartament me të gjitha kushtet e nevojshme, ku përfshihet dhe njoftimi për punonjësit e policisë, në rast nevoje. Këtu ndodhet dhe një qendër eksperimentale për institucione të tilla, që krijohen pranë spitaleve. Vitet e fundit, bashkitë e Pekinit, të Shangait etj., po shpejtojnë procesin e integrimit të shtëpive të të moshuarve me spitalet. Nëpërmjet kësaj mënyre, pagesat mjekësore në shtëpitë e të moshuarve, që kanë aftësi të kufizuara jetese mund të ribursohen nga degët e spitaleve.
Si një vend me popullsi të madhe rurale, Kina përballet me një problematikë komplekse të të moshuarve në këto zona.
Sipas të dhënave statistikore, në zonat rurale të Kinës jetojnë mbi 100 milionë të moshuar. Në të njëjtën kohë, po shtohet numri i të moshuarve që jetojnë vetëm. Përveç mungesës së kujdesjes nga fëmijët, që punojnë e banojnë në qytet, ata duhet të përballen edhe me mungesën e mbështetjes ekonomike. Në shumicën e krahinave rurale të Kinës, fshatarët nuk kanë pension dhe për pasojë përballen me mungesë të ardhurash. Por, një politikë e re po zbatohet në provincën Shandong të Kinës Lindore. Në fshatin Xia'ge'zhuang të qytetit Qingdao të Shandongut është në ndërtim e sipër një shtëpi për të moshuarit. Sipas investitorit Huang Duwei, fshtarët vendorë mbi 60 vjeç, pasi nënshkruajnë kontratën për dhënien me qira të tokës së tyre në kooperativën e fshatit, mund të jetojnë falas në këtë institucion, që ofron shërbime bazë të jetës së përditshme.
"Në këtë drejtim ata i japin autoriteteve të zonës rurale të drejtën e punimit të tokës. Ndërsa firma jonë merr me qira një hapësirë të kësaj toke për ndërtimin e serave me prodhime bujqësore, të komplekseve blegtorale etj. Fitimet nga këto burime mund të financojnë shpenzimet e shtëpisë së të moshuarve ", tha investitori Huang Duwei. Mësohet se kjo mënyrë e re është miratuar nga shteti dhe pritet të përhapet gjerësisht.
Ndërkohë, një model i ri i "ndihmës reciproke" po zbatohet në disa qytete dhe fshatra të Kinës. Sipas këtij modeli, "të moshuarit e rinj" kujdesen për "të moshuarit e vjetër", çka nënkupton se të moshuarit që gëzojnë shëndet të mirë kujdesen për të mëshuarit e sëmurë, në familjet fqinje me ta.
65 vjeçari, Ye Yingchun vjen nga fshati Jixiang i qytezës Jile të provincës Jilin. Para 5 vjetësh, kur bashkëshortja e tij ndërroi jetë, Ye u prek nga tromboza cerebrale dhe mbeti gjysmë i paralizuar. Megjithëse tre fëmijët e tij, që punojnë në provincën Zhejiang kërkuan të jetonte me ta, babai i tyre i vetmuar nguli këmbë të qëndronte në fshatin e lindjes. Me ndihmën e autoriteteve vendore, fqinja 77 vjeçare e tij, zonja Yue Jingqiu mori përsipër të kujdesej për zotin Ye në pastrimin e banesës së tij si dhe ta ndohmonte për ushtrimet rehabilituese.
"Sipas rezultateve të sondazhit, në krahasim me të moshuarit në qytet, ata që jetojnë në fshat ruajnë marrëdhënie më të mira me fqinjët. Përveç kësaj, bashkëfshatarët e pranojnë ndihmën e njeri tjetrit ", thotë Fu Cheng, drejtor i Institutit Studimor të Shkencave Shoqërore të provincës Jilin.
Në disa krahina është propozuar dhe siguracioni i kujdesit të pleqërisë. Të moshuarit që kanë blerë këto siguracione, mund të gëzojnë ribursimin e shpenzimeve për shërbimet e ofruara në institucionet e pleqërisë apo në spital. Sipas sistemit aktual, sigurimet shëndetësore mbulojnë vetëm pagesat për ilaçe dhe operacione.
Në distriktin Haidian të Pekinit dhe qytetin Qingdao të provincës Shandong, këto siguracione po lehtësojnë barrën ekonomike të familjeve, ku jetojnë të moshuar me aftësi të kufizuara.
Në Kinë është shtuar jetëgjatësia krahas rritjes së nivelit të jetesës dhe përmirësimit të kushteve shëndetësore. Popullsia e Kinës po plaket me shpejtësi të madhe ndaj përballimi i kësaj gjendjeje mbetet përparësi e qeverisë, për të siguruar një pleqëri me dinjitet të shtetasve.