20150903Canga-Drita |
Luftës së popullit kinez kundër pushtimit japonez i janë kushtuar shumë vepra arti, ndër to dhe letërsi artike. Janë të shumtë romanet, tregimet, novelat dhe poemat me temë nga heroizmi i popullit kinez gjatë Luftës kundër pushtimit japonez dhe Luftës antifashiste botërore. Ndër këto libra mund të përmendim romanin historik "Lufta e rezistencës kundër pushtimit japonez" me autor ish major-gjeneral të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Wang Shuzheng. Libri prej 2 milion fjalësh sjell për lexuesin dokumente historike të Luftës së popullit kinez kundër pushtimit japonez dhe është botuar nga Shtëpisë Botuese e Letërsisë Popullore. Një tjetër libër kushtuar Luftës heroike të popullit kinez është dhe ai me titull "Fronti i betejave në Luftën e Rezistencës kundër pushtimit japonez" që mban autorësinë e drejtorit të Institutit të Kërkimeve për Masakrën e Nankini, Zhang Xianwen në bashkëpunim me disa historianë kinezë. Libri i botuar për herë të parë në vitin 1987 përshkruan betejën e trupave të Kuomintangut kundër forcave pushtuese japoneze. Në korrik të këtij viti me rastin e 70 vjetorit të fitores së Luftës së rezistencës së popullit kinez kundër pushtimit japonez, ky libër u ribotua. Kujtimet e rreth 100 veteranëve të luftës janë përmbledhur në librin me titull "Histori të veteranëve të Luftës së rezistencës kundër pushtimit japonez". Luftës së popullit kinez kundër pushtimit japonez dhe kontributit të saj në Luftën e Dytë Botërore i janë kushtuar gjithashtu dhe vepra të tjera ndër të cilat dhe novela me titull "Trimi i vogël Çan Ga" me autor Shy Guan Jao. E veçanta e këtij libri është se është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2001. Përkthimi nga origjinali i novelës është bërë nga zonja Hë Da Ming një nga përkthyeset e njohura në Kinë të gjuhës kineze, njëherësh ish drejtore e Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radios së Jashtme të Kinës.
Novela pasqyron luftën e armatosur të popullit kinez kundër pushtuesve japonezë në udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës. Kjo luftë shihet e pandarë nga Lufta e Dytë Botërore dhe lexuesi përmes faqeve të kësaj novele mëson se edhe fëmijët kinezë kanë dhënë kontributin e tyre në Luftë, krahas të rriturve.
Personazhi kryesor i novelës është djali i vogël Çan Ga, heroizmat e të cilit ndonëse kanë kaluar 70 vjet nga periudha e Luftës janë të njohura për popullin kinez. Kjo novelë është tepër e njohur në Kinë, madje subjekti i saj është bërë burim frymëzimi për filmin artistik me titull "Trimi i vogël Çan Ga" i cili është shfaqur në krahina të ndryshme të Kinës.
Në parathënien e novelës përkthyesja e saj Hë Da Ming thotë se përkthimin e saj ja kushton të gjithë popujve që kanë luftuar kundër fashizmit në botë.
Në një bashkëbisedim me përkthyesen Hë Da Ming mësojmë përse ajo e zgjodhi këtë vepër letrare kushtuar luftës për ta përkthyer në shqip, sa i vështirë ishte për të përkthimi i novelës.
Ngjarjet e novelës "Trimi i vogël Çan Ga" zhvillohen nëvitet 1937-1945 kur u zhvillua Lufta e rezistencës së popullit kinez kundër pushtuesve japonezë. Heroi i veprës është djali i vogël Çan Ga nga një fshat pranë liqenit Bajandian në veri të Kinës, i cili kishte përjetuar tmerret e luftës me vrasjen nga pushtuesit të gjyshes së tij dhe arrestimin e xhaxhait. Djalit të vogël urrejtja për pushtuesit iu kthye në forcë dhe dëshirë për të luftuar kundër tyre. Historia e një djali adoleshent që u rrit në zjarrin e luftës dhe përkrah luftëtarëve që çliruan vendin nga pushtuesit japonezë është përshkruar me realizëm dhe plot emocion në novelë.
Ky libër ndonëse me personazh kryesor një fëmijë është një pjesë nga Lufta heroike 8-vjeçare e popullit kinez kundër pushtimit japonez dhe mizorive të tij.
Në 70 vjetorin e fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër agresionit japonez si dhe të Fitores së Luftës së Dytë Botërore, novela "Trimi i vogël Çan Ga" sjell një copëz jete nga ajo periudhë plot vështirësi por dhe fitoren kundër pushtimit. Libri është një dëshmi e historisë së lavdishme të popullit kinez dhe kontributit të tij, përfshirë dhe fëmijët për triumfin e paqes dhe lumturisë në botë.
Për më tepër mbi këtë novelë do të na flasë zonja Hë Da Ming një nga përkthyeset e njohura në Kinë të gjuhës kineze, njëherësh ish drejtore e Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radios së Jashtme të Kinës.
"Novelën Trimi i vogël Çan Ga e kam përkthyer në vitin 1985 me kërkesën e ish-shkrimtarit të famshëm Rifat Kukaj, i cili kishte interesin e madh për trimat e vegjël kinezë, që luftuan trimërisht gjatë Luftës Anti-fashiste. E pranova menjëherë ftesën e tij sepse më pëlqen shumë kjo novelë dhe njëkohësisht edhe filmi kinez me po të njëjtin titull të kësaj novele, i përpunuar dhe xhiruar në bazë të novelës. Përmbajtja kryesore është përqendruar në personazhin tonë kryesor Çan Ga, të cilin e quanin të gjithë me përkëdheli Kazi. Ai jetonte pikërisht në kohën e luftës së rezistencës së popullit kinez kundër pushtuesve japonezë 1937-1945. Gjyshja e tij e dashur u vra nga pushtuesit japonez. Ai nga urrejtja e madhe ndaj agresorëve dhe nga dashuria e respekti ndaj reparteve ushtarake kineze që luftonin kundër agresorëve i lindi dëshira e madhe për të marrë pjesë në luftën e rezistencës bashkë me xhaxhallarët e repartit të 8-të një armatë e udhëhequr nga PKK-ja. Ai tregoi trimërinë dhe mençurinë e tij të madhe në luftë megjithëse ishte i vogël në moshë dhe në shtat. Sigurisht, rritja e tij bëhej hap pas hapi me ndihmën e mësimeve të xhaxhallarëve të armatës së 8-të."
Zonjën Hë Da Ming e pyetëm gjithashtu për vështirësitë që ajo hasi dhe ndjesitë që përjetoi gjatë përkthimit të këtij libri.
"Kjo novelë është me përmbajtje tërheqëse dhe të bukur. Autori i saj është një shkrimtar i famshëm veteran kinez që quhet Shy Guan Jao, i cili është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Kinezë, dhe sivjet mbushi 90 vjeç. Ai ka qenë luftëtar veteran gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pasi mora pranimin e autorit, me autorizimin e tij nisa përkthimin e kësaj novele në vitin 1985, para 30 vjetëve.
Pasi u ktheva nga kualifikimet profesionale në Kosovë, përkthimi ishte një punë e lodhshme. Për këtë kisha vetëm kohën e lirë, prandaj shfrytëzova orët e mëngjesit, 5:00-6:00 para fillimit të punës në zyrë dhe natën vonë në orën 11:00 ose 12:00 deri pas mesnate.
Në atë kohë nuk kishim kompjuter, unë përdorja vetëm një makinë të vjetër shkrimi, që e kisha në shtëpi. Punoja ditë e natë... Kisha vetëm një objektiv të qartë se viti 1985 ishte 40-vjetori i fitores së luftës së popullit kinez kundër pushtuesve japonezë dhe fitores së popujve të botës në Luftën Botërore Anti-fashiste.
Ky përkthim nuk u arrit të botohej atë kohë, për shumë faktorë, por, ky përkthim më në fund u botua në Shqipëri me ndihmën e madhe e të pakursyer të bashkëstudentit tim të dashur të Universitetit të Tiranës, Estref Beka. Më vjen mirë që sot, me rastin e 70-vjetorit të përfundimit të Luftës Botërore Anti-fashiste ky përkthim transmetohet në CRI, në gjuhën shqipe. E quaj një nder të madh për mua dhe shpreh falënderimet e mia të sinqerta për ndihmën dhe përpjekjet e mëdha të kolegëve të mi të dashur të Redaksisë së Gjuhës Shqipe, ku kam punuar për afro 45 vjet."