">Njohja e historisë dhe dënimi i krimeve të Luftës<IMG border=0 align=absMiddle src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Njohja e historisë dhe dënimi i krimeve të Luftës
  2015-08-31 17:45:57

Prej 20 vjetësh avokatja japoneze Noriko Omori po studjon rastin e skllavërimit seksual të vajzave dhe grave aziatike nga pushtuesit japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhunën fizike dhe seksuale ushtruar ndaj grave ajo e quan shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, ndaj edhe si femër ajo i është përkushtuar me shumë devotshmëri zbardhjes së këtij krimi të rëndë.

Omori është një nga të paktët njerëz në Japoni e cila i mban gjallë këto kujtime duke u përpjekur të vendoset drejtësia. Që nga viti 1994 ajo është angazhuar për çështjen e të drejtës së dëmshpërblimit nga qeveria japoneze e viktimave kineze të Luftës së Dytë Botërore. Ajo tregon se shumë nga kolegët e saj juristë janë befasuar me angazhimin e saj në këtë çeshtje, duke i thënë se është mjaft e vështirë.

Zonja Omori e diplomuar për drejtësi në vitin 1968 ka përfaqësuar historianin japonez Saburo Ienaga në një process gjyqësor kundër Ministrisë së Arsimit të Japonisë, lidhur me botimin e një teksti shkollor ku ishte çensuruar e vërteta e historisë së këtij vendi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë kërkimeve që kreu për këtë proces gjyqësor avokatja Omori mësoi se sa shumë mungesë informacioni ka populli japonez për periudhën e Luftës dhe sa shtrembërime ka në tekstet e historisë në vend. Kështu ajo u bë një nga anëtaret themeluese në vitin 1994 të grupit që heton të vërtetën dhe informon shoqërinë japoneze lidhur me krimet e Luftës së Dytë Botërore. Në këtë grup bëjnë pjesë 15 avokatë japonezë të cilët kohët e fundit po bashkëpunojnë me kolegët e tyre kinezë lidhur me çeshtjen e skllavërisë seksuale gjatë pushtimit japonez, të njohur si "femrat e komfortit".

Juristët kinezë janë përgjegjës për mbledhjen e të dhënave dhe dëshmive të periudhës së pushtimit japonez të vendit, ndërsa ata japonezë përgjigjen për hartimin e akuzës dhe arritjen e dëmshpërblimit për viktimat e luftës, që do ti drejtohet qeverisë japoneze.

Sipas vëzhgimeve të grupit të juristëve gjatë vizitave të tyre në provincat kineze Shanxi dhe Hainan shumë prej viktimave të skllavërisë seksuale gjatë pushtimit japonez hezitonin të flisnin për të kaluarën e tyre, të ndodhura edhe nën presionin e familjeve, apo shoqërisë.

Por avokatja japoneze Omori ishte e vendosur ti shkonte deri në fund kësaj çeshtjeje. Sipas saj e gjithë shoqëria e sotme ka detyrim moral ndaj këtyre viktimave, ndaj e vërteta duhet nxjerrë në shesh.

Haruki Wada, historial dhe professor emeritus i Univesitetit të Tokjos ka thënë për median kineze "Global Times" se deri në normalizimin e marrëdhënieve kino-japoneze, shumë japonezë besonin se divergjecat historike dypalëshe ishin zgjidhur. Sipas professor Haruki Wadas Japonia duhet të jetë e sinqertë dhe të shprehë dëshirën për paktim me vendet e tjera, që kanë vuajtur nga pushtimi japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përveçse një personalitet në studimet për Azinë Verilindore, Wada është dhe drejtoj ekzekutiv i Fondit për Gratë Aziatike (AWF), e vetmja organizatë e krijuar nga qeveria japoneze për shpërndarjen e kompensimit për të ashtuquajturat " femrat e komfortit".

Në vitin 1995, me rastin e 50 vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ish kryeministri japonez Tomiichi Murayama përmes një deklarate zyrtare shprehu " keqardhjen e thellë" për kolonializmin dhe pushtimin japonez si dhe u kërkoi falje në mënyrë të veçantë viktimave të skllavërisë seksuale të quajtura "femrat e komfortit". Më vonë kjo deklaratë u cilësua si "Deklarata Murayama".

Sipas professor Wada, "qeveria japoneze kreu një hetim dhe pranoi përgjegjësinë për dhunën dhe dëmin e shkaktuar ndaj këtyre femrave gjatë pushtimit, por forma e të kërkuarit falje mbetet për tu diskutuar".

Dëmshpërblimi i viktimave të Luftës

Ndërsa fqinjët e Japonisë nisën të flisnin hapur për çeshtjen e Luftës së Dytë Botërore pas viteve 90-të, filluan të bëheshin kërkesa për dëmshpërblim të viktimave të luftës fillimisht nga Korea e Jugut e më pas nga Kina dhe Filipinet. Profesor Wada thotë se shumë anëtarë të kabinetit qeveritar japonez besonin se çeshtja e vendeve të prekura nga Lufta dhe kërkesa e dëmshpërblimit ishte zgjidhur përmes marrëveshjeve të qeverive parardhëse. Madje ai shton se në rastin e Kinës, shumë zyrtarë japonezë mendonin se pas Deklaratës së Përbashkët kino-japoneze të vitit 1972, Kina kishte hequr dorë nga dëmshpërblimi në të gjitha nivelet.

Në këtë kohë Fondi për Gratë Aziatike (AWF) vendosi të zbatojë planin në dy faza. Së pari duke i ofruar dëmshpërblim dhe një letër faljeje nga Murayama për viktimat e Luftës në Korenë e Jugut, Tajvan dhe Filipine dhe së dyti të zbatohej plani për viktimat në Kinë dhe Indonezi.

Ngjarjet që rrodhën më pas me çeshtjen e dëmshpërblimit të viktimave të Luftës, si dhe këmbëngulja e qeverive japoneze për të mos kërkuar falje për krimet e Luftës në vendet fqinje shkaktuar nga pushtimi japonez bënë që të humbiste besimi i këtyre vendeve në sinqeritetin e politikës japoneze për trajtimin e historisë.

Ndërsa në krye të qeverisë japoneze erdhi Shinzo Abe në vitin 2006, një vit më pas Fondi i Grave Aziatike ( AWF) ndërpreu veprimtarinë e tij, duke lënë të papërfunduar dhe misionin e tij.

Lidhur me "femrat e Komfortit" kryeministri japonez Abe gjatë vizitës së tij në prill të këtij viti në SHBA, i cilësoi ato si "viktima të trafikimit të qenieve njerëzore", pa përcaktuar se kush e kishte kryer këtë krim.

Duke vazhduar misionin e tij për zbardhjen e të vërtetës, profesor Wada ka realizuar së fundmi nënshkrimin e një peticioni nga 200 akademikë, gazetarë, jurist dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, përmes të cilit i kërkohet kryeministrit japonez Abe të kërkojë falje për të kaluarën imperialiste të vendit të tij dhe të ofrojë dëmshpërblim për viktimat e pushtimit japonez.

Fshehja e historisë

Pavarësisht përpjekjeve të aktivistëve shoqërorë për qëndrim objektiv ndaj historisë ka disa grupe dhe politikanë në Japoni që nuk e kuptojnë apo e mohojnë përgjegjësinë e vendit ndaj krimeve të luftës. Disa prej tyre arrijnë deri në mohimin e Masakrës së Nanjingut dhe të ekzistencës së skllavërisë seksuale nëpërmjet të ashtuquajturës "Femra e Komfortit"

Shembull për këtë është kryebashkiaku i Osakës Toru Hashimoto i cili në vitin 2013 deklaronte se nuk ka evidence që ushtria perandorake japoneze gjatë Luftës së Dytë Botërore ka detyruar dhjetra mijëra femra nga vende të ndryshme aziatike të pushtuara prej saj të skllavëroheshin seksualisht. Një tjetër organizatë politike dhe fetare që mohon krimet e pushtuesve japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore është ajo e quajtur "Happy Science".

Sipas një sondazhi të organizuar nga gazeta japoneze "Asahi Shimbun" me 3 mijë të rinj rreth moshës 20 vjeç, vetëm 13% thonë se trajtimi i historisë së Luftës në librat shkollorë është i mjaftueshëm, ndërsa 80% mendojnë se shkollat në vend nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur kësaj pjese të historisë. Ndërsa drejtori i Studimeve Aziatike pranë Universitetit Temple, Jeff Kingston shprehet se kryeministri Abe me shtrembërimin e historisë së vendit, duke mos pranuar ekzistencën e krimeve të luftës dhe skllavërisë seksuale përmes "femrave të komfortit" po dëmton imazhin e Japonisë në botë.(Eda Merepeza)