">Tempulli i lashtë Baima<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Tempulli i lashtë Baima
  2015-08-14 16:41:34

Në tempullin e lashtë të qytetit Luoyang do të shtohet një sallë e re me 10 mijë Buddha, të dizenjuara sipas stilit të dinastisë Han. Salla do të ketë një sipërfaqe prej 13.891 metra katrorë.

Tempulli i njohur me emrin Baima, njihet edhe me emrin Tempulli i Kalit të Bardhë dhe është i pari tempull budist i Kinës që cilësohet si më i vizituari nga besimtarët e shumtë budistë. Në vitin 2012 qeverisja vendore e Luoyuangut miratoi planin për ndërtimin e një parku kulturor që rrethon tempullin.

Ky tempull i lashtë është përballur me dy beteja të mëdha përgjatë historisë, atë të perandoreshës Wu në vitin 685 të erës sonë dhe të perandorit Shizong gjatë sundimit të dinastisë Ming në vitin 1555 të erës sonë.

Tempulli Baima ose Tempulli i Kalit të Bardhë si tempulli i parë zyrtar në Kinë, nuk është vetëm "vendi më i populluar nga besimtarët budistë", por është shndërruar në një vend ideal për promovimin e kulturës budiste të vendeve të ndryshme. Ky tempul është ndërkombëtar pasi në kopshtin e tij prezantohen statuja që i përkasin budistëve nga e mbarë bota. Stile të ndryshme të budizmit dhe statujave të Buddhës ndodhen në sallën qendrore dhe në kopshtin e tempullit. Buddha e stilit indian është e para e ndërtuar në këtë tempull, që prezanton këtë besim nga një shtet i huaj. Kjo statujë është ndërtuar në një periudhë 5 vjeçare dhe u përurua në maj të vitit 2010. Në ceremoninë e përurimit ishte e pranishme dhe presidentja indiane Pratibha Patil. Arsyeja pse statuja e Buddhës u vendos në perëndim të Tempullit Baima ishte se budizmi në Kinë ka ardhur nga India, shtet që ndodhet në perëndim të vendit. Një tjetër statujë e Buddhës është ajo e stilit tajlandez me një lartësi prej 7.2 metra dhe peshë 6.68 ton, që u vendos në sallën e madhe të tempullit në vitin 1991. Kjo statujë është prej bronxi dhe e larë në ar.

Buddha e stilit mianmarez është statuja e tretë e huaj në Tempullin Baima. Ceremonia e vendosjes së saj në sallën e madhe të tempullit u zhvillua në 30 qershor të vitit të kaluar me pjesmarrjen e presidentit të Myanmarit, Thein Sein.

Në kopësht ndodhet dhe një pagodë e artë me lartësi 32.9 metra e modeluar sipas stilit të pagodës Shwedagon që ndodhet në Rangoon të Myanmarit. E mbuluar me ar të verdhë kjo pagodë është ndërtesa më e lartë e Tempullit Baima. Stili mianmarez karakterizohet nga veshja e objekteve të kultit me ar.

Van Gogh në Shangai

Mbi 200 mijë vizitorë kanë ndjekur ekspozitën "Van Gogh Alive" , të hapur këto ditë në "Art Castle" pranë liqenit Taiping në zonën Xintiandi të Shangait, duke shënuar një rekord përsa i përket numrit të vizitorëve në ekspozitat e këtij viti. Sipas medias kineze "Youth Daily" 250 mijë bileta janë shitur para hapjes së ekspozitës, ndërsa 50 mijë të tjera u prenë gjatë ditëve të hapjes së saj.Organizatorët kanë njoftuar vizitorët që të shohin ekspozitën në orare jo shumë të populluara,aq i madh ka qenë numri i tyre.

Ekspozita bazohet në projektimin për 35 minuta të veprave të piktorit të madh në 40 ekrane të mëdhenj, disa prej të cilëve në lartësi 7 metra. Rreth 3 mijë imazhe i përkasin veprave në pikturë të Van Goghut, por janë ekspozuar edhe dorëshkrime, foto personale apo letra që piktori i drejtonte të vëllait Theo.

Kjo mënyrë e re ekspozimi shoqërohet dhe me muzikë në sfond dhe animacion. Vizitorëve u lejohet të bëjnë foto dhe video gjatë vizitës së ekspozitës, pasi në ambjentet e saj është siguruar wi-fi. Kështu vizitorët pas fotografimit dhe filmimit kanë mundësi të shpërndajnë materialet foto dhe ato filmike në rrjetet sociale. Ekspozita e hapur në metropolin kinez Shangai që në 29 prill do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 30 gusht.

Shkëmbim përvoje në Dehua

28 artistë të njohur nga Kina dhe jashtë saj janë mbledhur në kryeqendrën e porcelanit Dehua për të shkëmbyer përvojat mes tyre si dhe si një veprimtari në kuadër të " Bashkëbisedim artistik kino-ndërkombëtar 2015". Pas disa leksioneve për kulturën kineze të porcelanit, artistët kanë nisur të shfaqin idetë e tyre krijuese në punët prej porcelani.

Materiali tradicional i porcelanit është paraqitur nga secili artist në dizenjime moderne, sipas karakteristikave kineve apo të huaja. Janë krijuar kështu dhjetra vepra arti prej porcelani nga artistë të ndryshëm të cilët patën rast të shkëmbenin idetë e tyre, por edhe punën konkrete në atelie. 10 ditë kanë patur artistët vendës dhe ata të huaj për të realizuar krijimet e tyre në porcelan, të cilat më pas janë ekspozuar në Qendrën e Artit Wanqi në Dehua, për publikun e gjerë. Artistët e huaj të pranishëm në edicionin e sivjetëm të kësaj veprimtarie ishin nga Italia, Gjermania, Holanda, Japonia dhe më të shumtë numër ishin artistët kinezë të porcelanit dhe qeramikës.(Eda Merepeza)