20150730Palimsestp01 |
32 objekte antike prej ari të cilat ishin vjedhur në mes të viteve 90-të të shekullit të kaluar i janë kthyer Kinës nga qeveria franceze, njofton Administrata e Shtetit e Kinës për Trashëgiminë Kulturore. Ndër këto objekte përfshihen 4 kokë zogjsh prej ari të cilat ishin marrë në vitin 1992 nga një varr i lashtë, që ndodhet në një konte të vogël të provincës Gansu, në veriperëndim të Kinës. Autoritetet kineze gjatë një periudhe të gjatë kohe kanë bërë shumë përpjekje për gjetjen e objekteve të çmuara dhe i zbuluan ato si pjesë të koleksionit privat të koleksionistëve francezë, Francois Pinault dhe Christian Deydier, të cilët më vonë këto objekte ia kishin dhuruar një muzeu kombëtar të Francës.
Pas bisedimesh me rrugë diplomatike objektet e çmuara u kthyen në Kinë në fillim të këtij viti, thotë Song Xinchao zëvendëskryetar i Administratës së Shtetit për Trashëgiminë Kulturore. Bazuar në faktin që muzetë e Francës nuk i kthejnë objektet e dhuruara autoritetet kineze e patën të vështirë të negocionin për rikthimin në atdhe të relikteve. Por koleksionistët francezë i tërhoqën objektet nga muzetë dhe ia dorëzuan Kinës pa kërkuar asnjë lloj kompensimi.
[foto nga CCTV]
Origjina e objekteve të çmuara
Reliktet i përkasin një vendbanimi në Malin Da Bao Zi në kontenë Li të provincës Gansu dhe kanë një vlerë të madhe arkeologjike dhe kulturore. Ato datojnë me periudhën e sundimit të dinastisë Qing të njohur si Pranvera dhe Vjeshta e Kinës (770-476 p.e.s). Sipas drejtorit të Zyrës së Trashëgimisë Kulturore në Provincën Gansu, Ma Yuping objektet antike prej ari që janë kthyer në vendin e origjinës do të ekspozohen në Muzeun e kësaj province nga 20 korriku deri më 31 tetor.
Kina dhe Lista e re e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s
Zyra e UNESCO-s për trashëgiminë botërore pas përfundimit të mbledhjes së saj vjetor në Bon të Gjermanisë përzgjodhi 24 vendbanime të reja në Listën e Trashëgimisë Botërore. Për 10 ditë me rradhë mbi 2 mijë përfaqësues të rreth 160 vendeve dhe rajone të botës u mblodhën në qytetin gjerman Bon për të shqyrtuar propozimet e vendbanimeve të reja, si dhe ruajtjen e atyre ekzistuese në Listën e Trashëgimive Botërore.
[foto nga XINHUA]
Këtë vit Listës ju shtuan 24 vendbanime të reja, me motivacionin për "vlerat e jashtëzakonëshme universale", duke e çuar numrin e tyre në 1 031.
Kina është vendi i dytë në botë përsa i përket vendbanimeve të përfshira në Listën e Trashëgimive Botërore të UNESCO-s, pas Italisë.
Këtë vit vendbanimi Tusi, një zotërim fisnor në jugperëndim të Kinës u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore.
[foto nga XINHUA]
[foto nga XINHUA]
Kina ka ratifikuar Konventën për Mbrojtjen dhe Restaurimin e Trashëgimive Kulturore dhe Natyrore Botërore në 12 dhjetor të vitit 1985. Kina ka 48 vendbanime të përfshira në Listën e Trashëgimive Botërore ndër të cilat 34 kulturore, 4 kulturore-natyrore dhe pjesa tjetër natyrore. Qysh nga viti 2004 Kina ka kryer rinovimin e parë në shkallë të gjerë të 7 objekteve të Trashëgimisë Kulturore Botërore, ndër të cilët Varret Ming, Muri i Madh, Qyteti i Ndaluar, Tempulli i Qiellit, Pallati Perandorak i Verës, Kanali i Madh dhe vendbanimi "Peking Man".
Restaurimet e këtyre objekteve u përfunduan në vitin 2008. Një e veçantë e objekteve kineze të Trashëgimisë Botërore është se 33 prej tyre ndodhen përgjatë Rrugës së Lashtë të Mëndafshit, ku 22 objekte ndodhen në provincat Shaanxi, Henan dhe Gansu si dhe në Rajonit Autonom të Xinjiang Ujgurit. Duke ndjekur Rrugën e Lashtë të Mëndafshit 8 objekte të Trashëgimisë Botërore ndodhen në Kazakistan dhe 3 në Kirgistan.
Qytetit antik Luoyang në Henan
Një ndër objektet është ai i Qytetit antik Luoyang në provincën kineze Henan, i cili në vitin 25 të erës sonë, gjatë sundimit të perandorit Guangwu të Dinastisë Lindore Han ishte kryeqytet. Edhe në mbretëritë pasardhëse Wei dhe 3 Mbretëritë qyteti antik Luoyang ruajti funksionet e kryeqytetit, duke shërbyer si i tillë për një periudhë 330 vjeçare deri në periudhën e dinastisë Wei të Veriut, kur u shkatërrua nga lufta.
Hyrja Dingding në qytetin Luoyang në Henan
Kjo është hyrja jugore e qytetit të lashtë gjatë sundimit të dinastive Sui dhe Tang. Ndërsa vetë qyteti u ndërtua në vitin 650 gjatë sundimit të dinastisë Sui, kjo portë hyrëse e tij ka një jetëgjatësi të madhe në këtë kryeqytet lindor.
[foto nga CFP]
Rruga e famshme e Mëndafshit e njohur si korridor për shkëmbimet kulturore dhe tregtare midis Azisë dhe Europës daton 2 mijë vjet më parë dhe një ndër objektet e saj është kjo portë hyrëse.
Kalimi Hangu në provincën Henan
Tashmë janë rrënojat e kalimit të dikurshëm Hangu në kontenë Xin'an në provincën kineze Henan. Ky kalim ishte strategjik në Kinën e lashtë dhe u ndërtua gjatë dinastisë Qing në vitin 361 p.e.s.
Vendbanimi Xiao Han në Rrugën e Lashtë, province Henan
Rruga e lashtë Xiao Han ndodhet në kontenë Shanxian të provincës Henan dhe shërbente si corridor për të lidhur dy kryeqytetet e Kinës së lashtë Chang an dhe Luoyang, që kishin atëkohë shkëmbime të shumta kulturore dhe tregtare me vlera të mëdha historike.
Pagoda gjigande e Rosës së Egër në provincën Shaanxi
Kjo pagodë e ndodhur në kryeqendrën e pronvincës veriperëndimore Shaanxi është një nga kryeveprat e arkitekturës budiste.
[foto nga CFP]
Ajo është ndërtuar në vitin 652 gjatë sundimit të perandorit Gaozong të dinastisë Tang (618-907 e.s) dhe funksiononte si një shtëpi e priftërinjve budistë të sjellë nga India nga prifti Xuanzang.
(Eda Merepeza)