">70 vjet fitore<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
70 vjet fitore
  2015-07-29 15:27:27

Pekini është përfshirë nga atmosfera e përgatitjeve të Paradës së 3 shtatorit, që për herë të parë organizohet me rastin e 70 vjetorit të Fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër pushtimit japonez dhe fitores së Luftës së Dytë Botërore. Lidhur me zhvillimin e Paradës, pjesmarrjes në të dhe ceremonisë që do të zhvillohet me këtë rast kanë folur për mediat Wang Shiming,zëvendëskryetar i departamentit të promovimit pranë KQ të PKK-së si dhe gjeneral-major Qu Rui, një nga drejtuesit e grupit organizator të veprimtarive. Interesimit të mediave vendëse dhe të huaja ata iu përgjigjën në një konferencë për shtyp zhvilluar këto ditë në Pekin.

Wang Shiming,zëvendëskryetar i departamentit të promovimit pranë KQ të PKK-së paraqiti të dhëna të detajuara për ceremoninë e 70 vjetorit të Fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër pushtimit japonez dhe fitores së Luftës së Dytë Botërore.

Në mars të këtij viti Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi dokumentin për zhvillimin e ceremonisë solemne me rastin e 70 vjetorit të Fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër pushtimit japonez dhe fitores së Luftës së Dytë Botërore. Presidenti i Kinës Xi Jinping, njëherësh sekretar i përgjithshëm i KQ të PKK-së do të mbajë një fjalim në ceremoninë solemne. Veteranë të luftës ose përfaqësues të tyre do të marrin pjesë në Paradën e 3 shtatorit, e cila " do të tregojë respektin e shtetit për veteranët, martirët dhe civilët që mbështetën luftën çlirimtare". Me këtë rast presidenti Xi do të nderojë me medalje veteranët e luftës dhe përfaqësuesit e tyre. Veprimtaritë në kuadër të 70 vjetorit të Fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër pushtimit japonez dhe fitores së Luftës së Dytë Botërore nisin në fund të korrikut për të kulmuar me Paradën e 3 shtatorit në Sheshin Tiananmen në Pekin.

Kjo do të jetë parade e pare e organizuar në Kinë për të shënuar jubileun e Luftës së Popullit Kinez kundër pushtimit japonez dhe Luftën e dytë Botërore. Lidhur me zhvillimin e Paradës foli për mediat gjeneral-major Qu Rui nga grupi organizator I Paradës.

"Në Paradën ushtarake të 3 shtatorit do të marrin pjesë njësi aktive të ushtrisë kineze të përzgjedhura nga 7 komanda. Trupa të forcave Detare, Ajrore, Forca e dytë e artilerisë, Forca të armatosura të Policisë dhe njësi ushtarake në varësi të drejtpërdrejtë të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit Kinez do të parakalojnë në Paradën e 3 shtatorit" ,theksoi Qu.

Pyetjes së gazetarëve lidhur me pjesmarrjen e trupave të huaja ushtarake në këtë paradë ushtaraku i lartë Qu Rui iu përgjigj se " Ne kemi ftuar dhe trupa të huaja për të marrë pjesë në Paradë. Shpresojmë se e kaluara dhe e ardhmja do të përfaqësohen gjatë paradës. Kina dhe bota mund të bashkohen, duke përhapur mesazhin e paqes dhe të zhvillimit. Pajisjet ushtarake që do të parakalojnë në Paradë do të jenë pjesë e shërbimit aktiv të Ushtrisë dhe një pjesë e tyre do të paraqiten për herë të parë për publikun e gjerë. Ftesa e Kinës për pjesmarrje të forcave të huaja ushtarake shpreh dëshirën për mbrojtjen e paqes në botë."

Sipas tij synimi i Paradës është të demonstrojë vendosmërinë e Kinës për zhvillimin paqësor të vendit, në mbrojtje të paqes në botë, sovranitetit kombëtar, të tregojë sakrificat e mëdha dhe kontributin e popullit kinez si dhe të tregojë arritjet e fundit të ushtrisë moderne kineze, si një forcë mbrojtëse.

Zyrtari i lartë ushtarak bëri të ditur gjithashtu se në Paradë do të jenë të pranishëm dhe veteranë të Kuomintangut, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës për rezistencë të popullit kinez kundër agresionit japonez. Përfshirja e veteranëve të luftës të Kuomintangut, sipas historianit kinez Yu Pei, pranë Akademisë së Shkencave Sociale të Kinës është një shenjë nderimi dhe respekti për rolin e tyre në histori.

Në prag të Paradës së 3 shtatorit në Kinë do të zhvillohen një sërë veprimtarisht, përfshirë seminare dhe ceremony në nderim të viktimave të Masakrës së Nankinit.

Në muajin qershor Kina njoftoi se data 3 shtator do të jetë Dita Përkujtimore e Fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër pushtimit japonez si dhe e fitores së Luftës së Dytë botërore dhe me këtë rast do të zhvillohen një sërë veprimtarisht përkujtimore.

Historia

Faktet historike dëshmojnë se Lufta Çlirimtare e Popullit Kinez kundër pushtuesve japonezë ishte pjesë e rëndësishme e Luftës Botërore Antifashiste dhe luajti një rol të rëndësishëm në pjesën lindore të botës. Ushtria Çlirimtare e Kinës gjatë Luftës së Dytë Botërore asgjësoi mbi 1.5 milion trupa të ushtrisë pushtuese japoneze. Kina e fitoi lirinë e saj me sakrifikimin e jetës së mbi 35 milion ushtareve dhe civilëve. Sipas drejtorit të China Center, të Universitetit të Oksfordit Rana Mitter pa luftën e Kinës kundër pushtimit japonez, fitorja e trupave aleate në frontin aziatik do të ishte e pamundur.

Pekini përgatitet për Paradën e 3 shtatorit

Riparimi i përvitshëm i mureve të kuq të Sheshit Tiananmen dhe i rrugëve përreth sivjet ka nisur më herët, për shkak të Parades së madhe të 3 shtatorit, për nder të 70 vjetorit të fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër pushtimit japonez dhe Luftës së Dytë Botërore. Tashmë ka përfunduar riparimi i rrugës së gurtë rrethuese të sheshit, e ndërtuar në vitin 1958.

Gurët origjinalë të kësaj rruge peshojnë 350 kg dhe janë sjellë nga Laizhou I provincës Shandong dhe aktuallisht po nga i njejti vend kanë ardhur 64 mijë gurë, thotë Zhang Aijun drejtues i Komisionit bashkiak për transportin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Rregullime të tjera janë kryer edhe në rrugët anësore të Sallës së Madhe të Popullit dhe mësohet se punimet për riparimet janë kryer pas mesnate deri në 5.00të mëngjesit për të shmangur pengesat në trafik si dhe rradhët e vizitorëve të Sheshit Tiananmen dhe Qytetit të Ndaluar. Puna për riparimin e mureve të kuq në hyrje të Qytetit të Ndaluar nisën më 20 korrik dhe përfunduan brenda një jave. Çdo vit për një periudhë njëmujore, duke nisur nga gushti në Sheshin Tiananmen kryhen riparime në prag të Festës Kombëtare të Kinës më 1 tetor. Por këtë vit punimet janë kryer më pare me rastin e Paradës së 3 shtatorit.

Në axhendën e veprimtarive të kësaj dite pritet që presidenti i Kinës, Xi Jinping të mbajë një fjalim dhe të jape medalje për veteranët e luftës ose anëtarët e familjeve të tyre. Në Paradë do të marrin pjesë dhe delegacione të huaja për here të pare.

Logo e veprimtarive me rastin e 70 vjetorit të Fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër Pushtimit Japonez është publikuar ditët e fundit nga Zyra e Shtypit e Këshillit të Shtetit të Kinës. Në këtë logo bie në sy numri 70 dhe vitet 1945-2015, 5 pëllumba dhe imazhi i Murit të Madh, në formën e gërmës V, që simbolizon fitoren.5 pëllumbat simbolizojnë paqen dhe njëherësh faktin se popujt nga të 5 kontinentet e botës u bashkuan për fitoren. Ndërkohë gërma V e krijuar në këtë logo me Murin e Madh simbolizon festimin nga ana e popullit kinez të fitores kundër pushtimit japonez dhe të Luftës Botërore Antifashiste. Muri i Madh Kinez gjithashtu simbolizon mbrojtjen. Logoja e re do të promovohet me rastin e veprimtarive të organizuara nga Kina me rastin e 70 vjetorit të Fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër pushtimit japonez dhe Fitores së Luftës së Dytë Botërore.(Eda Merepeza)