">Mbrëmje vere në Pekin<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Mbrëmje vere në Pekin
  2015-07-23 09:41:49

Mbrëmjet verore në Pekin kanë të veçantat e tyre, por terraca e Bistro në Hotelin Red Wall Garden, i cili ndodhet në Wangfujing tërheq shumë klientë. Arësyeja është se gjatë darkës klientët e hotelit por dhe të tjerë shijojnë ushqim të zgjedhur sipas recetave kineze, por edhe shfaqje muzikore. Kryesisht të premteve në darkë në terracën e këtij hoteli pekinas publiku ndjek drama tradicionale dhe muzikë folklorike dhe kjo performancë vazhdon deri në tetor në skenën në natyrë të hotelit.

Hoteli Red Wall Garden është hapur në vitin 2010 në lagjen e vjetër të njohur si Hutongu Shijia, ku veç këtyre ndërtesave të lashta dhe tipike pekinase vizitori ka rastin të frekuentojë dhe shumë qendra tregtare, pasi ndodhet në qendër të kryeqytetit. Atmosfera që krijohet këtu çdo të premte në mbrëmje largon çdo klient nga jeta e zhurmëshme e metropolit kinez. I ndërtuar kryesisht me elemente drusore dhe me një oborr për ta patur zili, hoteli transmeton tek vizitorët e tij qetësi dhe një ambjent shumë klasik. Tavolinat dhe karriget prej druri të restorantit dhe barit ndodhen në të njejtën hapësirë, por të vendosura në mënyrë të tillë që klientët teksa shijojnë darkën të ndjekin dhe shfaqjet në skenën e artit të këtij ambjenti. Ka rreth 60 vende, që kryesisht zihen të premteve nga klientët e hotelit, por dhe të tjetë që vijnë nga jashtë tij, kryesisht të huaj që punojnë dhe jetojnë në Pekin, tregon shefi i marketingut Cao Ran.

Repertori i shfaqjes së të premtes në mbrëmje përfshin 15 minuta nga Opera e Pekinit, mjaft e preferuar sidomos nga të huajt, ku kryesisht interpretohet pjesa "Guifei Zuijiu "Bukuroshja e dehur". Por nuk mungojnë në shfaqje dhe pjesë nga Opera e Sichuanit, muzikë folklorike. Por gjatë shfaqjes nuk mungojnë shitësit ambulantë me prodhime artizanale. Shefi i kuzhinës Chen thotë se ushqimi i servirur gjatë darkës së të premtes për klientët është sipas kuzhinës tradicionale kineze, ku përfshihet hot poti, noodles nga Guilin, të rajonit autonom Guangxi Zhuang, pasi dhe ai vetë e ka origjinën nga kjo zonë. Ai tregon se kur gatuhet mishi i viçit përdoren më shumë se 20 erëza përfshirë dhe ato pikante, por gjithashtu gatuhen brinjët e derrit.

Noodles e orizit, karakteristikë e kuzhinës së Guilinit janë shumë të preferuara në Pekin, aq sa sipas të dhënave ka rreth 2 mijë restorante që shërbejnë këtë lloj gatimi. Një pjatë tjetër e kërkuar në restorantin e hotelit është dhe filetoja e peshkut të verdhë. Në menunë e restorantit ofrohen dhe gatime karakteristike të krahinave të tjera kineze si ato pikante nga Sichuani apo Jiangsu.

Rritet numri i divorceve në Pekin

Ministria kineze e çeshtjeve sociale njofton se gjatë vitit 2014 3.67 milion çifte kineze u divorcuan dhe 56,000 prej tyre janë banorët të Pekinit, duke bërë që kryeqyteti i vendit të ketë numrin më të madh të ndarjeve të çifteve. Pavarësisht se niveli i divorceve në Kinë gjatë 5 viteve të fundit ka mbetur pothuajse i pandryshuar, në Pekin numri i tyre ka shënuar rritje. Nëse i referohemi statistikave të kësaj ministrie del se në vitin 2012 numri i divorceve ishte 38,243 ndërsa në 2013 ai u rrit në 54,536 për të shkuar në 2014 numrin55,944.

Ministria raporton shifrat e rritjes së numrit të divorceve në Pekin ,ndërsa sipas ekspertëve kjo rritje e ndarjeve të çifteve nuk bëhet për shkaqe të mospërputhjes së karaktereve, xhelozisë apo tradhëtisë bashkëshortore. Ata thonë se shumë prej çifteve pekinase divorcohen për të shmangur pagimin e taksave në pasuritë e shtuara të paluajtëshme. Një tjetër shkak i divorceve, sipas ekspertëve ligjorë është se 9 nga 10 divorce janë pasojë e përdorimit nga ana e partnerëve të rrjeteve sociale. Kjo me fjalë të thjeshta ka të bëjë me tradhëtinë bashkëshortore. Lu Mingsheng, ekspert për martesën dhe studimet familjare ka thënë për "Peoples Daily" se nga firmat ligjore mësohet se më shumë se gjysma e divorceve kanë shkak marrëdhëniet jashtëmartesore. Rrjetet sociale si WeChatdhe Momo përbëjnë një kërcënim të ri për stabilitetin e familjeve kineze, thotë eksperti Lu. Ndikimi i rrjeteve sociale në marrëdhëniet në çift është kthyer në një dukuri globale që ka nisur të cilësohet dhe si shkak i prishjes së lidhjeve dashurore të të rinjve, por edhe i martesave afatgjata apo afatshkurtëra. (Eda Merepeza)