20150713Hotpot1 |
Për shekuj me radhë, taoistët njihen për shmangien e mosmarrëveshjeve, ndaj dhe vetë mënyra e jetesës e ndjekësve të taoizmit është të enden sipas vullnetit të tyre, duke praktikuar artin e mosveprimit. Disa prej tyre kanë zgjedhur të jetojnë në vetmi nëpër male, për të cilët kemi folur në një rubrikë të veçantë në Hot pot. Një ndjekës i taoizmit është dhe Liang Xingyang, prifti 36-vjeçar, i cili jeton në Tempullin e Përjetësisë së Artë në malet Zhongnan, të provincës Shaanxi. Ai është mjaft aktiv në rrjetin më të madh social kinez Weibo, edhe pse shpesh vendoset në qendër të polemikave të përdoruesve të këtij rrjeti.
Kohët e fundit prifti taoist Liang është bërë mjaft i njohur online, pasi reagoi ashpër ndaj deklaratës zyrtare të një zyrtari të lartë amerikan, i cili komentonte veprimet e Kinës për bonifikimin në Detin e Kinës Jugore dhe sipas tij po shkelnin Feng Shui-n. Reagimi i priftit taoist Liang bëri që përdoruesit e rrjetit social Weibo ta quanin atë "taoisti patriot".
Debati për Feng Shuin
Muajin e kaluar në një artikull botuar në "Washington post" Daniel Russel, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Azinë Lindore duke komentuar bonifikimin e kryer nga Kina në Detin e Kinës Jugore u shpreh se ky veprim shkel harmoninë, Feng Shuin në rajonin e Azisë Juglindore.
Përmendja nga zyrtari i lartë amerikan e Feng Shuit, një traditë e lashtë taoiste për të kritikuar Kinën, ngjalli reagimin e menjëhershëm të priftit taoist Liand. Në komentin e tij në Weibo ai shkruante "Një amerikan, për më tepër një i krishterë që flet për Feng Shuin? A nuk trembet ai se po fyen fenë e tij ?. Madje në një intervistë televizive prifti taoist Liang u shpreh se përdorimi i termit Feng Shui nga zyrtari i lartë amerikan është njësoj sikur unë si prift taoist ti them një të krishteri të ndjekë rrugën e Zotit.
Por reagimi i priftit taoist Liang nuk mbeti me kaq. Ai botoi një shkrim në rrjetin social Weibo, duke hedhur poshtë pretendimet e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Russel për prishje të harmonisë Feng Shui nga Kina. Sipas priftit taoist Liang , i cili në shkrim përdor elementet yin dhe yang, ato të tai chi-së dhe të sistetim të Tokës dhe të Hënës, veprimet e Kinës përmirësojnë harmoninë , pra Feng Shuin jo vetëm në Detin e Kinës Jugore, por në mbarë sistemin diellor.
Me një stil sarkastik dhe heraherës plot emocion postimi i priftit taoist në Weibo pati një sukses të jashtëzakonshëm në opinioni publik kinez dhe u shpërnda 6 mijë herë, i pasuar nga komente të shumta vlerësuese të përdoruesve të rrjeteve sociale.
I pyetur nga mediat kineze për këtë publikim të tij që ngjalli kaq admirim nga përdorues të rrjeteve sociale, vetë prifti Liang thotë se pasi ndoqi reagimet për shkrimin e tij online kuptoi se në ndërgjegjen e tij kishte një ndjenjë të fortë patriotizmi dhe se është ndjerë mjaft i lumtur që e kanë përkrahur shumë vetë në rrjetet sociale dhe më gjerë.
Duke folur për veten e tij prifti taoist shpjegon se interesi i tij për çeshtjet politike ka qenë i zhvilluar gjatë kohës kur ishte student, përpara se ai të përqafonte rrugën e fesë. Pas diplomimit për kimi në vitin 2003 Liang nisi punën në biznesin e gurit të çmuar jade në kufirin me Mianmarin dhe në vitin 2009 vendosi të bëhej prift taoist. Kur flet për këtë vendim të rëndësishëm të jetës së tij ai thotë se prej shumë kohë kishte patur një interes të madh për taoizmin, ndaj kjo zgjedhje nuk ishte rastësore.
Pas konvertimit në taoizëm Liang mendonte se nuk do të kishte rast për të reaguar i indinjuar ndaj çeshtjeve të ndryshme. Por mjaftoi deklarata e zyrtarit të lartë amerikan Russel për Detin e Kinës Jugore, që Liang të reagonte me vendosmëri si patriot. Me këtë rast Liang kuptoi se thellë në shpirtin e tij do të mbetej gjithmonë një patriot.
Përhapja e taoizmit
Krahasuar me budizmin, i cili ka murgj të devotshëm që përhapin besimin gjatë mijëra viteve taoizmi është më i lidhur me traditat folklorike, si parashikimi i fatit. Kjo fe ka mungesa të intelektualëve, ndoshta dhe për shkak të faktit se në qendër të kësaj filozofie është tërheqja në çeshtjet konkrete të njerëzimit.
Duke filluar nga viti 2010 prifti taoist Liang ka nisur të përdorë rrjetin social Weibo për të promovuar taoizmin. Në profilin e tij online ai ka 110 mijë ndjekës, të cilët janë aktivë në publikimet e komenteve të tij në Weibo, por edhe bashkëbisedojnë me të për taoizmin si dhe ndjekin videot e animuara që promovojnë taoizmin. Por prifti taoist Liang është pronar edhe i një pike shitjeje online në Taobao, rrjeti i madh i shitjeve online në Kinë ku tregton talismanë taoistë dhe suvenire të tjerë që gjithashtu propagandojnë taoizmin.
Pyetjeve të ndjekësve të tij në Weibo, prifti taoist Liang u është përgjigjur se " Çdo njeri ka zgjedhjet e tij në jetë. Nëse të gjithë taoistët do të zgjidhnin të jetonin të veçuar nëpër male, atëhere si do të promovohej taoizmi? Si do të njihte populli traditën kulturore të taoizmit ". Madje prifti Liang shkon më tej duke komentuar se "Vendi ynë përballet me probleme të ndryshme por përse të mos shohim anën pozitive? Çdo njeriu i pëlqen energjia pozitive më shumë se sa debatet dhe grindjet".
Ndryshe nga shumica e taoistëve të tjerë priftit Liang nuk i pëlqen tërheqja nga jeta aktive. Ai ndjehet i lumtur që komenti që bëri ndaj deklaratave të zyrtarit të lartë amerikan pati shumë përkrahje nga opinioni publik kinez. Por mendon se fama që arriti të ketë online ndihmon në promovimin e taoizmit tek sa më shumë njerëz. Ai tregon se tashmë shpenzon orë të tëra online, duke chatuar me përdorues të rrjeteve sociale për taoizmin. (Eda Merepeza)