20150709Palimsest01 |
Rockfeller-ët dhe interesi për kulturën kineze
Piktori kinez Liu Zhong dhe anëtari i brezit të pestë të familjes së njohur amerikane Rockefeller, Steven Clark Rockefeller Jr kanë botuar së bashku librin" A Warm Winter".
Promovimi i librit u bë në fund të qershorit në Pekin dhe subjekti i tij fokusohet në kafshët dhe peizazhet e Jackson Hole, që ndodhet në kufirin ndarës të shteteve amerikane Wyoming dhe Idaho, ku autorët e librit, kinezi Liu dhe Rockefeller bashkëpunuan gjatë një jave në shkurt të këtij viti. Kemi të bëjmë me një çift artistësh, ku njeri është piktor dhe tjetri fotograf, por që i bashkon interesi i madh për ruajtjen e faunës së egër.
Kopertina e librit shfaq një shqiponjë mbi një shkëmb, një pikturë e realizuar nga Liu. Por në faqet e brendëshme të librit gjendet i njejti shpend i egër, në jetën reale, i fotografuar nga Rockefeller.
Lexuesit mund të gjejnë në këtë libër shumë shqiponja, por edhe drerë, ujq, apo dhelpra të kuqe të cilat të dy autorët i kanë sjellë përmes pikturave dhe fotografive.
Kinezi Liu është i njohur për lidhjen e pikturave të tij me botën shtazore, kryesisht në pikturat e tij me simbolin e faunës kineze, pandat. Madje ai njihet në Kinë dhe si "piktori i pandave", por veprat e tij kanë shëtitur mbarë botën.
"Mbeta i befasuar nga peizazhet dhe nga dashuria e madhe e fotografit amerikan Rockefeller për atdheun dhe familjen e tij " thotë Liu për mediat kineze, duke shtuar se në një fshat të Amerikës Perëndimore, një anëtar i familjes së famshme Rockefellers trajtohej si një njeri i zakonshëm.
Fotografi amerikan Rockefeller ka nisur prej kohësh koleksionimin e pikturave të Liut. Ata u takuan në një ekspozitë para disa vjetësh, kur Rockfeller kishte blerë disa piktura të Liut. Edhe këtë vit ai ka blerë dy piktura të tjera të Liut.
Si një njeri i apasionuar pas natyrës Rockefeller ka një hobby të fotografojë kafshët apo peizazhet dhe një tjetër pasion i tij është kaligrafia kineze.
Collin Eckles, një nip i Rockefeller-it thotë se xhaxhai i tij ka një dashuri të madhe për artin dhe natyrën dhe kjo është arësyeja që ai kërkoi të bashkëpunonte me piktorin kinez Liu për realizimin e librit "A Warm Winter". Sipas Eckles ky libër shërben si një mesazh për mbarë njerëzimin për mbrojtjen e natyrës dhe kafshëve të egra.
Interesimi për ngritjen e një muzeu arti
Familja amerikane Rockefeller është e njohur për koleksionet e shumta të artit, kryesisht të ekspozuara në muze, midis të cilëve dhe në MOMA të Nju Jorkut. Vitet e fundit anëtarë të familjes Rockefeller kanë qenë të pranishëm në disa nga veprimtaritë kulturore të Kinës në botë.
Sipas Eckles, anëtarë të familjes së famshme amerikane kanë marrë pjesë në shfaqje të shumta të artistëve të njohur kinezë në Nju Jork apo në Pallatin e Versajës në vitin 2013 si dhe kanë themeluar një klub kulturor në Pekin.
Në vitin 2013 u njoftua se një muze arti do të ndërtohej në Guangzhou të provincës jugore kineze Guangdong, me emrin Rose Rock. Sipas Eckles tashmë projekti për ngritjen e këtij muzeu është në përfundim e sipër dhe të gjitha këto lidhje të familjes Rockfeller tregojnë vlerësimin e tyre për artin dhe kulturën kineze. (Eda Merepeza)