">Udhëtojmë me shpejtësi rrufeje<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Udhëtojmë me shpejtësi rrufeje
  2015-07-06 15:17:26

Në fund të vitit 2014, u përurua linja e parë hekurudhore e shpejtësisë së lartë që lidh tre provinca të Kinës Veriperëndimore: Gansu, Qinghai dhe rajonin autonom Singjian-Ujgur. Hekurudha, 1776 kilometra e gjatë është hekurudha e parë në Kinë që kalon nëpër rrafshnalta dhe shkretëtirë. Është e para në botë për nga gjatësia e ndërtimit, brenda një projekti hekurudhor me shpejtësi të lartë, me mbrojtje të sistemit kundër erës.

Pas përurimit të hekurudhës me shpejtësi mesatare prej 250 km/orë, koha e udhëtimit me tren midis Urumqit të Singjianit dhe kryeqendrës së Gansu-së, Lanzhou, u shkurtua nga 26 orë në 11 orë.

Treni që ecën me një shpejtësi rrufeje ka ndryshuar jetën e banorëve vendës. Shumë të rinj që largohen nga vendlindja për t'u punësuar në qytete të mëdha tani mund të kthehen shpesh në shtëpi për t'u takuar me prindërit. Ata gëzohen për këtë ndryshim dhe admirojnë gjithashtu drejtuesit e trenit për punën e tyre të shkëlqyer. Tani, le të njohim së bashku të riun Adi Turdi, shoferi i parë nga Rajoni Autonom të Singjian-Ujgurit i trenit të shpejtësisë së lartë në linjën hekurudhore Lanxin.

Adi ka adhuruar që në fëmijëri të atin, i cili ka punuar në sektorin hekurudhor.

"Shpesh luajta me miqtë e mi te stacioni i trenit, kur ishim të vegjël. Kur shihja lokomotivat që ndalonin në stacion u tregoja me krenari shokëve trenat që drejtonte im atë ", tha Adi duke qeshur.

Për këtë arsye, ai ka dëshiruar të bëhej drejtues treni si i ati. Pasi mbaroi shkollën e mesme, Adi u regjistrua në shkollën profesionale të hekurudhave dhe në vitin 2003, realizoi ëndrrën e tij për drejtimin e trenit me motor me djegje të brendshme.

Në profesionin që pëlqen, Adi Turdi ka provuar drejtimin e çdo lloj lokomotive, duke fituar vlerësimin e shoferëve me eksperiencë. Vitin e kaluar, kur nisi rekrutimi i drejtuesve për tren të shpejtësisë së lartë për linjën Lanxin, ai ishte i pari që dorëzoi aplikim. Mirëpo, këtë herë, testet jashtëzakonisht të rrepta e tronditën këtë shofer me përvojë.

"Kontrolli i shëndetit më bëri shumë përshtypje. Kontrolli fillestar më kushtoi tërë ditën. Pas gjysmë muaji, bëra edhe një kontroll tjetër. Disa nga kontrollet janë vërtet të rreptë, pasi përfshijnë tërë trupin, pa përjashtim. Më testuan edhe kur luaja me lojërat elektronike, për drejtimin e makinave vizuale në shpejtësi të lartë. Në lojëra kishte shumë pengesa në dy anët e rrugëve, ndaj përpiqesha të shmangia çdo devijim", kujton Adi për provat e para të rekrutimit.

Aftësia e drejtuesve të trenit të shpejtësisë super së lartë ka të bëjë me sigurinë e mijëra pasagjerëve,ndaj jo vetëm gjendja fizike, por çdo aspekt tjetër kontrollohet.

"Mjekët biseduan me mua për aftësinë e të folurit, kujdesin etj. Ata më pyetën aq shumë hollësira, në ditën e dytë sa mezi rimora vetëbesim", tha Adi.

Me shumë aftësi ai e kaloi testin fillestar. Por, një pengesë e papritur u bë pesha e tepërt trupore e tij. Ndaj Adi nisi menjëherë nga puna për rënien në peshë, duke pakësuar ushqimin dhe duke u stërvitur shumë. Pas përpjekjeve të shumta, ai u kualifikua dhe u dërgua në qytetin Baoji të provincës Shaanxi për të njohur nga afër trenat që do të ecin mbi hekurudhën në vendlindjen e tij.

 Pasi mbaroi kursin në Shaanxi, Adi Turdi vajti në Pekin për intervistën përfundimtare.

"Në intervistën e zhvilluar në Pekin, ishin tre ekspertë. Na kontrolluan me imtësi. Isha shumë i kujdesshëm dhe me veshje zyrtare hyra në zyrën e testimit. Ata madje kishin lënë një fletë të bardhë në tokë, për të parë nëse do ta merrja. Kandidatët që ishin të fokusuar vetëm te provimi dështuan në këtë drejtim ", tha Adi.

Gjatë intervistës, Adi Turdi i tha gazetarit të radios sonë se pati një moment të vështirë për të.

"Ishin tre ekspertë, një për rregullat e punës, një për testimin e aftësisë së reagimit dhe një i tretë për paraqitjen e përgjithshme. Ai i fundit më pyeti çfarë gjërash janë të rëndësishme në punë, dhe çfarë jo. Ishte e lehtë të flisja për gjërat e rëndësishme, por e vështirë për të folur për ato të parëndësishme. Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë gjë pa rëndësi në punë, por duhet ti tregoja me fjalë këto. Kur nuk je në gjendje të mirë psikike mund të dështosh", tha Adi.

Pasi mësoi rezultatet e intervistës në Pekin, Adi Turdi, së bashku me dhjetëra fitues të tjerë u dërguan në qytetin Chengdu për të mësuar teorinë. Gjatë qëndrimit për një muaj në Chengdu, ai studjoi vëllime të tëra teorike, nëpërmjet të cilave mësoi njohuritë bazë.

Kur Ardi doli nga qendra e trajnimit në Chengdu, për të nisi zyrtarisht praktika në qytetin Wuhan të Kinës Qendrore. Gjatë kursit nga drejtues veteranë, Adi thelloi njohuritë e tij për punën e ardhshme .

"Kur prisja mbërritjen e trenave isha i shoqëruar me mjeshtra, duke ecur mbi platformën e stacionit. Mendova se mund të ndizja një cigare. Ata më thanë se mund të pimë cigare para fillimit të punës, por në asnjë rast kur jemi në punë ", tha Adi.

Përveç kësaj, çdo standard profesional që më kanë mësuar është bërë pjesë e rëndësishme e profesionit tim.

Në orën 11.00 të 16 nëntorit të vitit 2014, treni i shpejtësisë së lartë D8602 doli nga stacioni i Urumqit dhe kreu misionin e parë me sukses. Ky ishte një moment historik dhe u realizua nga Adi Turdi, drejtuesi i parë nga Singjiani.

Deri tani, ai ka drejtuar trenin e shpejtësisë së lartë për më shumë se gjysmë viti. Çdo ditë ai kryen të njejtën punë por Adi është i lumtur duke parë udhëtarët, që i dërgon në destinacione të ndryshme.