20150702Palimsestp2 |
Kur viziton Kinën si turist është e vështirë të shohësh të gjitha mrekullitë e saj dhe mendon se nuk të arrin koha. Por edhe për të huajt që jetojnë e punojnë në këtë vend shumë kryevepra arti, pjesë e trashëgimisë mbeten të panjohura. Por ndërsa shëtit në një nga parqet e Pekinit, apo dhe para ndonjë tempulli apo objekti muzeal të sheh syri ca skulptura murale me dragonj. Sipas nivelit të ndërtesës para së cilës ndodhet muri i gdhendur varion dhe numri i dragonjve të tij. Pekini ka disa skulptura të tilla murale në Qytetin e Ndaluar por edhe në Parkun Beihai.
Simbolika e skulpturës murale me dragonj
Sipas bestytnive kineze, fantazmat dhe djajtë mund të ecin vetëm në një vijë të drejtë. Ndaj dhe ky mur vendosej përpara portave hyrëse të zonave rezidenciale, për të penguar hyrjen e të keqes në to. Muralet ishin shumë të përhapura në pallatet dhe kopshtet perandorake të Kinës.
Skulpturat murale në Kinë dhe jashtë saj
Në Kinë ndodhen 3 murale me 9 dragonj. Dy prej tyre ruhen në Qytetin e ndaluar dhe në parkun Beihai, kjo e fundit me skulpturë të dyfishtë, e vetmja në të gjithë Kinën. Muralja më e vjetër me 9 dragonj ndodhet në Datong të provincës Shanxi, e ndërtuar gjatë sundimit të dinastisë Ming (1368-1644). Por kopje të këtyre muraleve janë ndërtuar dhe jashtë Kinës si në Singapor, SHBA dhe Kanada.
Muralja e 9 dragonjve në Parkun Beihai
Në Pekin muralja më e vjetër ndodhet në parkun Beihai, e ndërtuar në vitin 1402. Ajo është ndërtuar në vitin 1756 gjatë sundimit të perandorit Qianlong në perandorinë e fundit kineze Qing (1644-1911). Muri është 6 metra i lartë dhe 31 metra i gjerë, i zbukuruar me 7 lloje ngjyrash. 9 dragonjtë në 5 ngjyra të ndryshme janë gdhendur në të dy anët e murit. Ata duken sikur fluturojnë në ajër dhe pamja e tyre është vërtet e gjallë. Vetëm dragoi që ndodhet në qendër të murales simbolizon perandorin.
Në Chinatown të Çikagos në vitin 2003 u ndërtua një murale, miniaturë e kësaj të 9 dragonjve që ndodhet në parkun Beihai të Pekinit.
Muralja e 9 dragonjve në Qytetin e Ndaluar
Kjo murale që në kinezisht shkruhet 九龙壁 (Jiǔ Lóng Bì) është ndërtuar në 1773, si pjesë e rinovimit të pjesës verilindore të pallatit perandoirak , kur po krijohej një vilë për perandorin Qianlong. Mendohet se përveç pjesës së bestytnisë, muralja e 9 dragonjve është ndërtuar dhe për të bllokuar pamjen e Portës Hyrëse që të çon në Pallatin e Jetëgjatësisë, pra për ruajtje të privatësisë. Ndërtimi i këtij muri ishte frymëzuar nga ai ekzistues në Parkun Beihai që ndodhet në veri dhe pranë Qytetit të Ndaluar. Dragoi në mitologjinë kineze simbolizon fuqinë, por edhe fatin e mirë si dhe në disa raste është simbol i jetëgjatësisë. Dragonjtë e muraleve kineze shfaqen duke notuar në valët e oqeanit dhe nuk lëshojnë zjarr nga goja. Mitologjia kineze ka mjaft simbole të dragonjve ndër të cilat
Haoxian-është një lloj dragoi me të cilin janë dekoruar disa pallate perandorake.
Yazi-është dragoi guximtar që zakonisht e shohim të gdhendur në thika dhe mjete të tjera të forta luftarake.
Chiwen-është dragoi që kryesisht gjendet në çatitë e disa prej ndërtesave të vjetra.
Baxia-dragoi më pranë ujit, ndaj imazhi i tij takohet shpesh në ura apo harqe urash. Mendohet si ai mbron lundërtarët apo njerëzit që lundrojnë.
Pulao-mund të quhet ndryshe dhe dragoi i zërit dhe gjendet kryesisht i gdhendur në këmbana apo zile të ndryshme.
Bixi- është një ndërthurje e breshkës me dragoin, një krijesë mitologjike që takohet shpesh në varret e personave të rëndësishëm të së kaluarës.
Qiuniu- është dragoi që dashuron muzikën ndaj shpesh takohet i gdhendur në instrumentet muzikore.
Suanmi-është dragoi i flakës dhe tymit dhe përbën një nga idhujt e budizmit.
Jiaotu-është dragoi gojëmbyllur, i cili gjendet shpesh i gdhendur në portat hyrëse, pasi simbolizon paqen dhe privatësinë.
Bi an-është dragoi roje i burgjeve që simbolizon ligjin dhe rregullin.
Mitologjia kineze ka plot dragonj dhe secili prej tyre ka legjendën e vet. Në traditën e lashtë vetëm perandorit i lejohej të mbante imazhin e dragoit perandorak. (Eda Merepeza)