20150623kinasot |
Shumë çifte kineze po zgjedhin kafshët shtëpiake në vend të fëmijëve. Kur 31 vjeçari Feng Jie dhe gruaja e tij vendosën para 8 vjetësh se nuk do të kishin fëmijë, ata kishin në plan të mbanin një kafshë shtëpiake. Pas 6 vjet martese çifti bleu një qenush të racës Shih Tzu, që e quajti Këkë.
"Megjithëse shkoja mirë me gruan, para ardhjes së Këkë-së në familjen tonë edhe grindeshim. Por, prania e tij na ka sjellë shumë gëzim, duke përmirësuar marrëdhëniet tona, madje ka ndryshuar edhe stilin tonë të jetesës ", thotë Feng. Familjet si ajo e Feng-ut po shtohen në Kinë si "Dingchong jiating"(Familje me dy të punësuar, pa fëmijë dhe një kafshë shtëpiake).
Në vitin 2012, sipas një raporti të publikuar në gazetën e përditshme të qytetit Zhanjiang "Zhanjiang Daily", numri i familjeve kineze me dy të punësuar, por pa fëmijë kishte kaluar 600 mijë, shumica e të cilave nuk kishin fëmijë por mbanin kafshë shtëpiake. Rëndësia e kafshëve shtëpiake për familjet kineze mund të pasqyrohet me shpenzimet, që kinezët bëjnë për to.
Në vitin 2013, gazeta "Renminribao"(Peoples'Daily) njoftoi se çdo vit pekinasit shpenzojnë gati 64.5 milionë dollarë amerikanë, ndërsa banorët e Shangait mbi 95 milionë dollarë amerikanë për rritjen e kafshëve shtëpiake. Vitin e kaluar, revista "Money Weekly" njoftoi se kostoja e përgjithshme për rritjen e një qeni të mesëm ose të madh i kalon 16 mijë dollarë amerikanë.
Fengu pohon se mbajtja e një qeni në metropol kushton, por ia vlen çdo shpenzim. "Në të kaluarën, rrinim më shumë në shtëpi. Por tani Këkë-ja na detyron të dalim shëtitje. Unë po ndjek kursin për marrjen e patentës së automjetit. Pasi ta marr bashkë me gruan dhe qenin me makinë do të shëtisim në periferi ", thotë Fengu.
Megjithatë, familjet DINK(me dy të punësuar pa fëmijë) dhe familjet DINK me kafshë shtëpiake përballen me mentalitetin e shoqërisë kineze, që ndikohet nga konfucianizmi, sipas të cilit rritja e fëmijëve është më e rëndësishme për një familje.
Në gushtin e vitit 2013, kur qeveria shpalli lehtësimin e politikave të planifimit familjar, duke lejuar çiftet me një palë që është i vetmi fëmijë të kenë fëmijën e dytë, disa të rinj ankoheshin në median sociale se prindërit u bënin presion për të patur fëmijë.
Fengu tha se vendimi i tij për një familje DINK me kafshë shtëpiake shpesh e përball me akuzën për egoizëm dhe kundërshtohet shumë nga të tjerët, duke përfshirë edhe prindërit e tij. Por pavarësisht këtyre ai shprehet se : "Ndryshe nga fëmijët, kafshët shtëpiake do të të shoqërojnë gjithmonë dhe nuk grinden. Kurse fëmijët, pasi rriten nisin e zbulojnë të metat e prindërve, gjë që nuk më pëlqen ".
Një ndër kujtimet më të bukura të Feng-ut për Këkë-n është kur qenushi preferoi të flinte në shapkat e tij. Fengu është kundër traditës se kur fëmijët rriten, duhet të kujdesen për prindërit e moshuar . Sipas tij kjo traditë nuk është reale për kohët modern, pasi shumë të rinj largohen nga familja për një jetë më të mirë. Feng thotë se ky mentalitet duhet të ndryshojë edhe pse nuk është e lehtë. Ai thotë se : "Pakicat ekzistojnë gjithmonë në një shoqëri dhe ne jemi një pakicë".
Një shpjegim i zakonshëm i familjeve DINK me kafshë shtëpiake është se këto kafshë zëvendësojnë fëmijët pasi është një ndjenjë e ngjashme si ajo e prindërve me fëmijët, por pa një përgjegjësi aq të madhe.
Një përdoruese e rrjetit social Sina Weibo me pseudonimin Xiaoyu Shanshan është një shembull i tillë që u raportua nga gazeta "Nanjing Morning Post". Emri i saj "Xiaoyu Shanshan" vjen nga emrat e dy qenve që mban në shtëpi. Kurse, albumet e saj online janë të mbushura me fotot e "fëmijëve qen" me veshje dhe modele të ndryshme stilimi. Në postimet e saj online ajo i quajti qentë "vajza" dhe "djali", duke pohuar se shpenzon mijëra juanë në muaj për ta.
"Unë dhe bashkëshorti përballemi me shumë presione. Kemi patur dilemë të madhe për të patur fëmijë, por ideja se një ditë do të ndahem nga fëmija nuk është e pranueshme për mua ", thotë Shanshan.
Ndërsa 41 vjeçarja Li Wei anëtare e Shoqatës për Mirëmbajtjen e Kafshëve në Pekin e cila nuk ka fëmijë, mban në shtëpi nëntë mace dhe një qen, por është kundër mendimit se kafshët shtëpiake mund të zëvendësojnë fëmijët në familje.
"Më pëlqejnë kafshët shtëpiake, por nuk besoj se jam e aftë për t'u kujdesur si duhet për fëmijët. I mbaj këto kafshë thjesht për qejf, por ato nuk zëvendësojnë eksperiencën e prindit me fëmijën", tha Li.
Fakti se gjithmonë e më shumë të rinj u kushtojnë vëmendje të madhe kafshëve shtëpiake ka ngjallur shqetësimin e psikologëve, për mundësinë që anëtarët e familjeve DINK të kenë sindromën e "varësisë nga kafshët shtëpiake".
Song Zhenzhu, një psikolog që merret me trajtimin e depresionit në Spitalin nr. 1 i Sëmundjeve Mendore në qytetin Qiqihar të Kinës Verilindore shpjegon se ata që preferojnë të shpenzojnë kohën me kafshë shtëpiake në vend të njerëzve, vuajnë nga pasiguria dhe mungesa e kuptimit të jetës. Mjafton të kujtojmë se edhe kafshët një ditë ngordhin. Ndërkohë, sindroma e varësisë nga kafshët shtëpiake mund të ndikojë negativisht në përshtatjen e tyre në shoqëri.
Por, Fengu thotë se ka planin e tij për bashkëjetesën me kafshën në shtëpi. Ai dhe gruaja e kanë marrë parasysh faktin se se qenushi Këkë do ti shoqërojë edhe për më pak se 20 vjet dhe kanë vendosur që kur të mos jetë më të nisin udhëtimet për njohjen e botës.