20150623Hotpot1 |
Ningbo të surprizon me ndërthurjen mes tradicionales dhe jetës modernë, në këtë qytet të përfshirë nga bukuritë natyrore në parkun buzë liqenit Dongqian.
Historia e qytetit
Ningbo ka luajtur një rol të rëndësishëm si qendër tregtare e Kinës, i krijuar në vitin 1844, pas luftës së parë të Opiumit (1840-42), i njohur si "Old Bund". Kjo zone e vjetër e tij, sot është mbuluar nga pubet dhe lokale të tjera argëtuese. Ndikimi perëndimor në qytet është i dukshëm, kryesisht në ndërtesat, që dikur përdoreshin si banesa nga të huajt. Një nga këto ndërtesa është Kisha Katolike Franceze, e ndërtuar në vitin 1872. Ka një ndikim të spikatur të kulturës së qyteteve port perëndimore që takohet vetëm në Ningbo të provincës Zhejiang.
Prej shumë kohësh Ningbo shquhet si një qendër tregtare e Kinës. 31 ndër 54 ndërtesat tradicionale të zones tregtare të qytetit kanë lidhje me firma të ndryshme. Nga ky qytet anijet tregtare kineze kalonin nëpër 7 dete. Old Bund, zona e vjetër portit të qytetit pas lavdisë të viteve 20-30 të shekullit të kaluar e humbi shkëlqimin e dikurshëm, i cili nisi të rikthehet në vitin 2005 kur nisi rehabilitimi i saj. Rreth 80 mijë metra katrorë sipërfaqe është shndërruar në një zone hoteliere, lokalesh si bare e ristorante, qendra tregtare dhe klube nate.
Tianyige- biblioteka më e vjetër e Kinës
Biblioteka Tianyig, më e madhja private në Kinë, e ka marrë këtë emërtesë nga "I Ching," ose "Libri i Ndryshimeve ". Bazuar në librat e saj mbi energjinë yin dhe yang, që datojnë mijëvjeçarin e dytë para erës sonë, u krijua emri i bibliotekës si një kombinim i"tian" (qielli) dhe"yi" (një).
Besohet se ky emër i magjishëm e ka mbrojtur bibliotekën nga zjarret në një periudhë afro 400 vjeçare. Tianyige, si biblioteka më e vjetër private në Kinë ka mbi 30 mijë libra historikë. Ndërtesa e saj është modeste e përbërë prej dy katesh dhe tërësisht prej druri. Madje në pamje të pare të krijon idenë e një banese private.
Biblioteka nisi të ndërtohej në vitin 1561 si studio private e sekretarit për mbrojtjen Fan Qin, që ka shërbyer gjatë sundimit të perandorit Jiajing në dinastinë Ming (1368-1644). Atëkohë ishte diçka e jashtëzakonshme për studjuesit kinezë të kishin një bibliotekë personale. Librat ishin simbol i mirëqenies dhe kulturës dhe Fan ishte një koleksionues i zellshëm i librave.
Familja Fan kishte një disiplinë të rreptë lidhur me librat dhe asnjë pjestar i saj nuk lejohej të konsideronte librat si prone të tij, madje as nuk lejohej që librat të nxirreshin nga biblioteka. Në ditët e sotme koleksioni është ndër më të vyerit përsa i përket të dhënave lidhur me historinë, arsimin, ekonominë, zhvillimin dhe letërsinë në Ningbo.
Muzeu Tianyige, pjesë e të cilit është biblioteka, është një zone e veçantë në kopshtin e familjes Fan, me një sipërfaqe prej 31,000 metra katrorë. Disa prej dhomave janë shndërruar në salla ekspozitash, ku ndodhen dorëshkrimet e vjetra në gjuhën kineze. Parku përreth muzeut të ofron qetësi dhe është një vend i përsosur për shëtitje.
Në muzeun modern të qytetit ndodhen 300 mijë vëllime, të cilat ruhen në rregulla strikte të temperatures dhe lagështisë së ajrit.
1/3 e librave të kësaj biblioteke janë dixhitalizuar dhe miqtë e leximit mund të shfletojnë faqet e verdha të muzeut për të gjetur websitet përkatëse, pa prekur me dorë asnjë libër.
Kulla e daulles
Kjo është kulla e sahatit e qytetit e cila gjithmonë njofton orën e saktë. Është një ndërtesë trekatëshe e ngjashme me shumë kulla sahati kudo në Kinë e cila në kohë lufte ka shërbyer si kullë vrojtimi.
Kulla është pjesë e murit të lashtë të qytetit Ningbo. Përgjatë murit edhe sot ruhen mjaft trashëgimi historike të qytetit, si pjesë të një banese të dinastisë Yuan (1271-1368).
Kulla ndodhet disa minuta larg nga qendra tregtare, restorantet apo parqet në qendër të qytetit. Modernizimi ndër shekuj i qytetit nuk ka dëmtuar trashëgiminë historike të tij, pasi shumë ndërtesa ruajnë traditën arkitekturore të çative ngjyrë grid dhe pjesës së brendëshme në dru. Krahas restoranteve me kuzhinë kineze, vizitori gjen dhe ristorante me kuzhinë perëndimore apo nga vende të tjera aziatike. Për turistët e huaj qendra e qytetit Ningbo ofron mjaft mundësi për të shëtitur për të biseduar apo për të shijuar çaj e kafe.
Muzeu i Ningbo-së
Muzeu i qytetit Ningbo paraqet traditën kulturore të tij. I projektuar nga Wang Shu, i pari kinez, fitues i çmimit Pritzker në arkitekturë në vitin 2012, ndërtesa e muzeut të surprizon me stilin e veçantë të saj. Muret ngjyrë grit ë saj dhe atmosfera e ujit përreth i japin ndërtesës së muzeut një ajër sa tradicional, aq edhe modern. Muzeu I hapur në vitin 2008, fokusohet në historinë e qytetit dhe në traditat e tij. Këtu janë ekspozuar mbi 8 mijë objekte historike dhe kulturore, në bronz, porcelan, xhade, ar, argjend, por dhe vepra në pikturë dhe sculpture.
Muzeu tregon historinë e lashtë dhe atë moderne të qytetit, qysh nga prehistoria deri në ditët tona. Sallat kryesore të muzeut paraqesin prodhime artizanale, foto dhe dokumenta historike dhe folklorike të zones. Pavijoni historik në katin e dytë të muzeut shfaq rëndësinë e qytetit Ningbo në historinë e tregtisë por dhe të kulturës kineze. Në këtë pavijon vizitori sheh si është zhvilluar qyteti si një qendër e rëndësishme tregtare ndër shekuj. Pjesa kulturore e eksponateve tregon prodhimet artizanale të zones përfshirë ato në bamboo, pjesa më e madhe e të cilave i janë dhuruar muzeut nga Qin Bingnian, i biri i koleksionistit të njohur Qin Kangxiang. (Eda Merepeza)