20150608malisu |
Mbase shumë vetë ëndërrojnë syhapur për një jetë të rehatshme, sesa një strehë për adoleshentët në kohë të vështirë. Por, tani kjo ëndërr është në qendër të tregimeve të tipit "Mary Sue", tepër të pëlqyera nga brezi i ri kinez.
Sipas kritikut të filmit me mbi 15 mijë ndjekës në rrjetin social WeChat, Huo Zhi(emër arti) filmat apo telenovelat si "Pesëdhjetë hijet e Grey-t", "Twilight", "Legjenda e Zhen Huan-it", "Perandoresha e Kinës" që janë të mirëpritura nga të rinjtë kinezë, i bashkon shembulli i tregimit të llojit "Mary Sue".
Në vitin 1973, si një adhuruese e Star Trek-ut, Paula Smith shkroi një prozë letrare, duke krijuar "Mary Sue", një karaktere perfekte që ndryshoi krejt subjektin origjinal të serialit të dytë të "Star Trekut".
Sipas Huo-së, Mary Sue përshkruan një karaktere femëror, që mund të plotësojnë të gjitha dëshirat e autorit. Në mënyrë tipike, Mary Sue është një femër me bukuri mahnitëse, talente të pakrahasueshme dhe pa asnjë të metë. Në tregim ajo admirohet, lakmohet ose pëlqehet nga të tjerët.
Në Kinë, mbase vepra më e suksesshme e "Mary Sue-së" kohët e fundit është telenovela "Legjenda e Zhen Huan-it", e cila paraqet jetën e Zhen Huan-it (një konkubinë e perandorit) në një mjedis plot intriga dhe luftë në pallatin perandorak. Varianti elektronik i novelës u publikua për herë të parë në vitin 2007 nga autorja me pseudonim "Liu Lianzi". Pasi fitoi më shumë se 4.8 milionë klikime në internet, novela u përshtat në një telenovelë prej 75 episodesh në vitin 2011. Tani, kjo telenovelë, pas riredaktimit është pjesë e platformës televizive kabllore Netflix në ShBA.
Për këtë figurë, 16 vjeçarja Liang Zimeng, nxënëse e shkollës së mesme në Pekin u shpreh se "Më pëlqen shumë bukuria, mençuria dhe jeta e saj romantike me tre burra të shkëlqyer simpatikë dhe besnikë. Ndonjëherë, do të doja të isha në vend të saj ".
Sipas Huo-së, vajzat adoleshente janë ndjekëset kryesore të tregimeve të "Mary Sue-së", që bazohen në aventurat e djemve të pashëm dhe eksperienca mjaft romantike.
"Arsyeja që më pëlqen leximi i librave apo telenovelat e tipit të 'Mary Sue-së' janë marrëdhëniet romantike, midis heroinës dhe burrave që e duan atë. Ndërkohë, të gjithë admiruesit e saj, edhe pse e dinë që nuk mund ta shoqërojnë tërë jetën, nuk ndryshojnë ndjenjën e tyre, por arrijnë deri në vetëmohim ", shprehet Liang, duke buzëqeshur.
Yang Rong, psikolog pranë Akademisë Kombëtare të Shkencave të Kinës thotë se përhapja e tregimeve të "Mary Sue-së" ndër vajzat e reja kineze vjen si rrjedhojë e narcizismit të adoleshentëve për t'u bërë të pavarura dhe për të pasur eksperienca të moshës madhore.
"Tregimet me karakteristikat e Mary Sue-së pasqyrojnë dëshirën e njerëzve për të tërhequr vëmendjen dhe kujdesin e të tjerëve, për t'u bërë perfekt dhe të fuqishëm. Tani, fëmijët 'piqen' më herët se brezi i kaluar dhe në moshë më të re, ata nisin të fantazojnë për përvojat romantike të botës së të rriturve. Fantazia e Narcisit nuk është diçka e çuditshme për adoleshentët se ata përjetojnë një fazë kur imagjinata e tyre është jashtëzakonisht aktive. Ndërsa, karakteri perfekt 'Mary Sue' ofron edhe një shembull idealist për të imituar. Por, abuzimi i fantazisë për tregimet e 'Mary Sue-së' mund të jetë i dëmshëm,pasi shkakton pritshmëri tepër të lartë dhe jorealiste për jetën e vërtetë", shtoi z. Yang.
Por, në një konferencë të Shoqatës së Kulturës Amerikane që u zhvillua në vitin 1999, profesorja Pat Pflieger nga Universiteti West Chester bëri një raport me titullin "Too Good to Be True, 150 years of Mary Sue", duke kritikuar autorët e tregimeve të tipit Mary Sue. Sipas saj, këta autorë përpiqen të eksplorojnë etjen e tyre, por u mungon krijimtaria dhe mjeshtëria e shkrimit. Prandaj, " i tregojnë dëshirat në mënyrë kaq të thjeshtë dhe direkte".
Megjithatë, Mary Sue ka shumë adhurues edhe pse dashuri perfekte, status të lartë shoqëror dhe kushte të mira materiale që duken aq normale në tregimet, por hasen rrallë në botën reale.
Prandaj, librat, telenovelat apo filmat e tipit Mary Sue mirëpriten jashtë mase, duke tërhequr shumë "shkrimtarë" .
Çin Yunuo është njëra prej tyre. Kjo 14 vjeçare është nxënëse e shkollës së mesme në qytetin Ji'nan të provincës Shandong të Kinës Lindore. Vepra e saj e fundit "Magic Imperial Concubine"(Konkubina Magjike Perandorake) u publikua në seri në internet, duke fituar më shumë se 50 mijë klikime.
"E di që tregimet e mia mbase janë tepër 'Mary Sue' dhe kam dëgjuar kritikat,por lexuesit e mi i pëlqejnë dhe klikimet e tyre më sigurojnë 500 $ fitim në muaj".
Proza e saj "Magic Imperial Concubine" flet për një vajze moderne që në sajë të aftësive magjike udhëtoi në lashtësi dhe u bë princeshë. Në atë botë, pesë mbretër konkurrojnë për të fituar dashurinë e saj. Sipas Çin-it, ndërsa shkruan ajo beson se është vetë protagonistja e tregimit .
Çini nisi të shkruajë që kur ishte 11 vjeçe. "Atëkohë afro 80% e shoqeve të mia të klasës shkruanin tregimet 'Mary Sue'. Tani, shumica e tyre kanë hequr dorë, por unë vazhdoj ", tha kjo shkrimtare e re. Ajo i tha gazetarit se kohët e fundit, pa një telenovelë që shfaqet në disa kanale televizive dhe është e ngjashme me tregimin e saj,ndaj i është shtuar dëshira për të shkruar sa më shumë . "Pasi pashë disa episode mu shtua besimi që në të ardhmen e afërt, unë mund të bëhem skenariste", tha Çin e gëzuar. Siç tha Kuangkuang(pseudonim), një ndër shkrimtaret e njohura kineze në internet, "çdo vajzë e re ëndërron ta jetojë jetën me të dashurin që kujdeset dhe e dashuron pafund. Kush i reziston një djali të pashëm, të aftë dhe të pasur ?". Frika për të ardhmen e paparashikueshme dhe realiteti ndonjëherë i hidhur bëjnë që tregimet e "Mary Sue-së" të mos humbin magjinë e tyre për një kohë të gjatë.