20150604modakineye |
Duket se sytë janë kthyer më shumë se kurrë tek moda kineze.
Në Pekin kanë studiot e tyre stilistët e mëdhenj kinezë si Ma Ke, e njohur dhe për stilimin e veshjeve të zonjës së parë Peng Liyuan apo Guo Pei që njihet ndryshe edhe si Donatella Versace e Kinës.
Guo Pei, një nga stilistet kineze më të mira të modës, me një ekperiencë mbi 27-vjeçare. Ajo u bë e famshme për stilin e saj të veçantë dhe ekstravagant, shumë afër perfeksionit.
Guo Pei është një emër i njohur në fushën e modës. Për vite me radhë, ajo ka veshur vipat kinezë dhe më gjerë. Ajo dizejnoi veshjen e mrekullueshme ceremoniale në Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008.
Firmat kineze të veshjeve kanë linjat e tyre të prodhimit në mbarë vendin dhe gëzojnë një klientelë të qëndrueshme kryesisht të moshës së mesme. Këto veshje shpesh bazohen dhe në motivet kineze.
GUO PEI shprehet në intervistë se çdokush duhet ta ndërtojë karrierën hap pas hapi dhe të përballet çdo ditë me sfidat dhe problemet, t'i zgjidhë ato dhe të ecë përpara.
Ajo përfundoi studimet në vitin 1985 dhe ishte stilistja e parë e veshjeve në Kinë, në një kohë kur stilimi nuk njihej si profesion në atë kohë. Në atë kohë ajo arriti të mësonte shumë çdo ditë nga pak.
"Kur hapa biznesin tim kalova një 10-vjeçar tepër të vështirë – ishte koha kur e harrova pothuajse ëndrrën time, humba mes përpjekjeve për të mbajtur në këmbë kompaninë. Kishte raste që nuk mund të paguaja punonjësit, duhet të bëja çdo gjë vetë, edhe kur isha shtatzënë me fëmijën e parë –megjithatë nuk u dorëzova kurrë. Nuk më pëlqejnë zgjedhjet në jetë, pasi të zgjedhësh diçka do të thotë të heqësh dorë nga diçka tjetër – dhe unë gjithnjë kam kërkuar të kem gjithçka, një familje të lumtur, 2 vajza të bukura, sukses në karrierë dhe markën time
"Të mos dorëzohesh kurrë"- kjo duket se ka qenë motoja që frymëzonte stilisten të ecte përpara, pavarësisht vështirësive.
Ajo është një stiliste që kërkon perfeksionin, prandaj përdor copat me cilësinë më të mirë në botë.
Guo Pei e përshkruan stilin e saj si të ngrohtë dhe pozitiv. Në çdo stil të ri që sjell apo në çdo veshje ajo përcjell dashuri, pozitivitet dhe përfeksion. Me çdo veshje që ajo stilon sjell një histori të ndryshme
Ja disa prej grave më me influencë në fushën e modës
1. Angelica Cheung
Angelica (张宇) është një nga stilistet më të njohura në industrinë e modës kineze; ajo gjithashtu është kryeredaktorja e "Vogue China". Angelica është e bija e një diplomati kinez, u lind në Pekin ne vitin 1966 dhe u diplomua pranë Universitetit te Pekinit për drejtësi dhe gjuhë e literaturë angleze. Studimet master i ka përfunduar në Universitetin e Australise Jugore. Më pas ajo nisi me sukses karrierën e saj si gazetare në fillim të viteve '90, dhe më pas ndikoi fuqishëm në modën kineze. Kur nisi për herë të parë Vogue në Kinë, Angelica u caktua si kryeredaktore.
2. Su Mang
Su Mang (苏芒) është një figurë e rëndësishme e modës në Kinë, ajo është jo vetëm kryeredaktorja e Harper's Bazaar China, por gjithashtu edhe CEO-ja e "Trends Media Group". Ky grup është një shtëpi botimi që nisi veprimtarinë 2 dekada më parë dhe u shndërrua në një botuese të fuqishme revistash me 18 tituj, përfshi Cosmopolitan, Esquire dhe Good Housekeeping. Me ndihmën e Su Mang dolën revistat "Trends Home", "Bazaar Jewellery" dhe "Bazaar Art".
3. Chen Man
Është e pazakontë që fotografët të trajtohen si vipa, por Chen Man (陈曼) nuk është vetëm një fotografe por është edhe një artiste që ka thyer kufijtë. Ajo u lind në vitet '80 dhe zhvilloi një interes të madh për artin. Chen nisi artin e fotografisë që kur ishte në shkollë. Ajo fotografon modele, të cilat nuk konsiderohen të bukura sipas standardeve kineze. Ajo është cilësuar si një fotografet më me influencë në botën e modës kineze.
4. Jennifer Woo
Jennifer Woo (吴宗恩) është vajza e gjigantit të pasurive të paluajtshme Peter Woo, por suksesi i saj nuk vjen nga origjina. Ajo është një nga gratë më të fuqishme në Azi, është drejtorja ekzekutive e Lane Crawford Joyce Group. Ajo qëndron në majë të perandorisë së modës kineze; me shumë dyqane mode përfshi butikun Joyce; gjithashtu ka biznese këpucësh, çantash dhe aksesorësh. Sipas të dhënave, ajo kontrollon shitjet me pakicë të veshjeve në Azi.
5. Tina Leung
Tina (梁伊妮) është një nga stilistet më të famshme të Kinës. Ajo është një emër i madh në qarkun e modës, e cila falë stilit të saj chic është e pranishme në të gjitha eventet e rëndësishme të modës. Stili i saj unik dhe shija e veçantë e kanë bërë Tinën shumë të populluar në Kinë.