20150528Palimsest2 |
U hap dje në Nju Jork Panairi ndërkombëtar i librit 2015 dhe për here të pare Kina është e ftuar e nderit në Forumin Global të Tregut të Librit. Në një intervistë për China.org.cn, zëvendëspresidenti i Grupit Ndërkombëtar të Botimeve të Kinës (CIPG) Fang Zhenghui, i cili kryeson delegacionin kinez në panair flet për paraqitjen e sivjetme të librit kinez në këtë panair ndërkombëtar si dhe për të ardhmen e industrisë kineze të botimeve.
Panairi ndërkombëtar i librit në Nju Jork, i njohur me akronimin (BEA) është veprimtaria më e madhe promovuese e tregut të librit në SHBA. Sipas zotit Fang tregu amerikan i botimeve është më i madhi në botë dhe ka një ndikim të madh në tregun botëror të librit.
Duke u ndalur tek paraqitja e Kinës në këtë panair ai thotë se do të zhvillohen një sërë veprimtarish në kuadër të shkëmbimeve kino-amerikane në fushën e botimeve. Sipas tij pjesmarrja e Kinës në Panair është një mundësi mjaft e mirë për botuesit kinezë, industrinë e botimit përfshirë dhe Grupin Ndërkombëtar të Botimeve të Kinës, por edhe për të diskutuar me homologët amerikanë dhe nga vende të tjera rreth të drejtës së autorit, si dhe "njohjen globale" të letërsisë dhe kulturës kineze.
Libra shumëgjuhësh dhe tema nga Kina
Si institucioni më i madh shumëgjuhësh i botimeve në Kinë, CIPG ka planifikuar që në Panair të paraqesë 865 tituj librash, ndër të cilët 817 janë shumëgjuhësh, duke përfshirë gjuhët anglisht, spanjisht, frengjisht, arabisht, gjermaniosht, portugalisht, japonisht, rusisht dhe gjuhën koreane.
Librat e ekspozuar në Panairin Ndërkombëtar të Nju Jorkut trajtojnë tema nga kultura kineze, letërsia, mësimi i gjuhës kineze, mjekësia tradicionale kineze dhe letërsia për fëmijë. Në këtë mënyrë në panair do të pasqyrohet një gamë e gjerë e botimeve kineze në gjuhë të huaj, ka theksuar Fang.
Kina në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Nju Jork do të ketë një sipërfaqe prej 60 metrash katrorë, ku janë vendosur mbi 900 libra. Sipas zotit Fang paraqitja grafike dhe dizajni i pavijonit kinez në Panair janë realizuar nga kompani profesioniste.
Shkëmbime kulturore dhe promovim
Duke u ndalur te veprimtaritë që do të zhvillohen përgjatë Panairit të Librit të Nju Jorkut, kryetari i delegacionit kinez Fang thotë se një seminar promovues do të zhvillohet për librin e presidentit të Kinës "Xi Jinping: The Governance of China" ("Qeverisja e Kinës"), si dhe do të prezantohet ekspozita fotografike "Shared Memories of the U.S. and China: The Pacific War Against Japanese Aggression". Libri i kreut të shtetit të Kinës Xi është botuar qysh nga shtatori i kaluar në 4.5 milion kopje dhe pritet të shërbejë si një dritare e që lexuesit e huaj të njohin mendimet e liderit kinez për udhëheqjen e vendit, shprehet zoti Fang.
Madje ai thotë se gjatë panairit do të ftohen zyrtarë amerikanë, ekspertë për çeshtjet e Kinës dhe përfaqësues të institucioneve kineze në SHBA për të diskutuar rreth prezantimit të Kinës në Panair si dhe do të ftohet media e huaj të pasqyrojë pavijonin kinez në këtë eveniment të rëndësishëm të botimeve ndërkombëtare.
E drejta e autorit dhe promovimi global i kulturës kineze
Kreu i delegacionit kinez në Panairin e Librit në Nju Jork, Fang thotë se CIPG është fokusuar në dhënien e të drejtës së autorit në nivel ndërkombëtar. Gjatë vitit 2014, CIPG ka blerë 573 të drejta autori nga 24 vende dhe rajone të botës, duke shënuar një rritje prej 12.13 % krahasuar me një vit më pare. Një total prej 409 të drejta të autorit ose mbi 70 % janë blerë nga vende si SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Kanadaja.
"Në 10 vitet e fundit CIPG ka botuar më shumë se 5 mijë tituj librash shumëgjuhësh, në masën 1.3 në ditë."
Ai thekson se lexuesit kanë dëshirë të njohin Kinën e sotme, politikën, ekonominë, kulturën e saj. Fang premton se në të ardhmen do të shtohen botimet në këto tema për ta promovuar sa më shumë Kinën në nivel global.
Grupi Ndërkombëtar i Botimeve i Kinës (CIPG) synon të eksportojë mbi 200 të drejta autori në edicionin e sivjetshëm të panairit ndërkombëtar të Librit në Nju Jork, në fusha si Kina e sotme, letërsia kineze, kultura, mësimi i gjuhës dhe mjekësia tradicionale kineze.
Panairet ndërkombëtare të librave janë platform të rëndësishme për të drejtat e autorit. CIPG ka eksportuar mbi 90 të drejta autori në Panairin Ndërkombëtar të Librit të zhvilluar në Londër në prill të këtij viti. BookExpo America ose Panairi Ndërkombëtar i Librit i Nju Jorkut është më i madhi në gjuhën angleze. Ai zhvillohet në qytetet më të mëdha amerikane si në Nju Jork, Uashington, Çikago dhe Los Anxheles. (Eda Merepeza)