20150504KINASOT |
Në janar të vitit 2014 Komisioni i arsimit pranë Bashkisë së Pekinit hartoi një rregullore të re që u kërkon shkollave të organizonin veprimtaritë jashtëshkollore në intervalin kohor 15:30 deri në 17:00 nga e hëna të premten. Qëllimi i rregullores është që nxënësit e arsimit parauniversitar të kultivojnë interesin e tyre për artet dhe shkencat.
Personazhi i sotëm i rubrikës "Hot pot" është një i ri kinez me pasion për muzikën rock and roll, por që ushtron profesionin e mësuesit të daulles tradicionale kineze, si lëndë jashtëshkollore në një shkollë, në periferi të Pekinit.
Gjatë ditës, Li Fan punon si mësues me kohë të pjesshme në shkollat fillore, duke u mësuar nxënësve intrumentin muzikor tradicional të daulles kineze. Ndërsa në mbrëmje ai shndërrohet në një rocker, ku interpreton live në bare të ndryshme.
Në barin e shkollës në periferi të Pekinit, dhjetra nxënës të Liut praktikojnë daullen kineze, ndërsa ndjekin plot admirim mësuesin e tyre të ri. Edhe pse nxënësit po ushtrojnë pjesën "Dragoi kinez", duket sikur dëgjon melodinë e këngës "We Will Rock You." Ndoshta ata kurrë nuk do ta besonin se mësuesi i tyre i muzikës Liu është një rocker.
Li interpreton në bateri për grupin rock "Bedstars", i njohur për interrpetimin e tyre live në baret në afërsi të qendrës së Pekinit. Por në pamje të jashtme Liu nuk ngjan shumë me rocker-ët e tjerë që shquhen për veshjen, tattoo-të apo look-un e tepruar.
Madje kur e pyesin për thjeshtësinë në paraqitjen e tij të jashtme Liu thotë se nuk mund të jape mësim nëse do të ishte në pamje një rocker i vërtetë, siç dilet në skenë. Veshjet e tij janë sportive, si të gjithë të rinjve, ku nuk mungojnë atletet dhe çanta e shpinës.
Ndonëse Liu banon në skajin lindor të Pekinit, shkolla ku jep mësim Yanshan Yangeryu ndodhet në skajin jugperëndimor të qytetit të madh. Për të dhënë 1 orë mësim atij i duhet të udhëtojë 3 orë vajtje-ardhje, duke ndërruar disa stacione metroje dhe duke përdorur dy linja autobusi. Edhe pamja e rrugës nga shtëpia e tij, ku mbizotërojnë pallatet shumëkatëshe dhe autostradat ndryshon pamje kur ai i afrohet periferisë së kryeqytetit, ku ndodhet shkolla pasi atje sheh banesa të ulta, tymin e oxhakëve, madje dhe kodra e fabrika.
Studimet e kryera nga mësuesit dhe studentët e Universitetit Huzhou të Shangait në vitin 2013 treguan se detyrat e shtëpisë dhe studimi përbëjnë pjesën më të madhe të veprimtarive jashtëshkollore të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Kinë. Ndërsa përsa i përket veprimtarive jashtëshkollore 81 % e studentëve kanë thënë se kohën jashtë mësimit e përdorin për të qëndruar në internet.
Me nisjen e plitikës së re, shkollat kanë nisur të punësojnë mësues me kohë të pjesëshme për arte dhe sporte si dhe për lëndë shkencore. Me anë të orëve shtesë nxënësit rritin nivelin e tyre artistic, sportive, kulturor dhe shkencor. Edhe Liu është një ndër këta mësues. Pjesa më e madhe e nxënësve të Liut vijnë nga familje të shtresës së ulët apo të mesme të shoqërisë, por shkolla ofron kurse dhe për nxënës që kanë aftësi të kufizuara fizike.
Liu thotë se shumë nga nxënësit e tij e duan mësimin e daulles tradicionale kineze, madje kërcejnë nga gëzimi kur ai hyn në klasë për të nisur orën e mësimit. Një tjetër mësues Meng Zhuo thotë se kurset jashtëshkollore për mësimin e instrumenteve muzikore tradicionale, një ndër të cilat është dhe daullja kineze shërbejnë për të mësuar të rinjtë më shumë rreth kulturës së lashtë kineze, por dhe për të forcuar frymën e tyre të grupit dhe bashkëpunimit.
Përvoja mësimdhënëse e Liut
I pyetur nga Global Times për komunikimin me nxënësit, Liu tregon duke qeshur se ai është një mësues i përkushtuar dhe serioz me nxënësit, por gjatë natës në barin ku luan muzikë ai është një rocker i vërtetë, që pi duhan dhe pije.
Ai me dashuri flet për nxënësit dhe ndonëse pagesa për punën me kohë të pjesshme nuk është e lartë, ai nuk dëshiron të gjejë një punë tjetër, sepse i do nxënësit dhe e pëlqen bashkëpunimin me ta. Liu thotë se i duket sikur ka ndryshuar shumë që kur nisi të mësonte nxënësësit në instrumentin tradicional të daulles. Atij i pëlqen të jetë një rocker pasi ky është pasioni i jetës së tij, por dhe komunikimi me nxënësit përmes orës së muzikës tashmë është një pjesë e këndëshme e përditshmërisë së tij.
Liu dhe rock and roll-i
Si pjesa më e madhe e të rinjve edhe Liu u dashurua me rock and roll-in në moshën 15 vjeçare, kur ai u shpërngul nga Rajoni Autonom i Xinjiang Ujgurit në Pekin me dëshirën për të realizuar ëndrrën e tij muzikore.
Në periudhën 10 vjeçare të jetës së tij në Pekin, Liu ka interpretuar me disa grupe muzikore derisa në fund u bë pjesë e grupit Bedstars. Liu thotë se metropolet nuk i pëlqejnë shumë përsa i përket zhurmës, ndotjes apo mbipopullimit, por këtu ai mban lidhjet me muzikën.
Muzika është pjesa më e rëndësishme e jetës së tij gjatë gjithë kohës. Liu tregon se para se të punonte si mësues me kohë të pjesshme , të ardhurat e tij mujore ishim shumë të pakta, gati deri në 100 dollarë. Por me angazhimin si mësues edhe niveli i tij ekonomik është rritur, ndonëse Liu thotë se i pëlqen shumë komunikimi me nxënësit e tijtë periferisë së Pekinit, pasi edhe ai meson shumë prej tyre.(Eda Merepeza)