">Kina, destinacion i ri punësimi<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Kina, destinacion i ri punësimi
  2015-04-23 15:45:55

Shumë shqiptarë emigrojnë kryesisht në Turqi, SHBA, Greqi, Gjermani, Itali, Zvicër, Suedi, Angli, Kanada, Australi, etj.

Sipas disa të dhënave të përafërta, rezulton se aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit rreth 1 milion e 500 mijë shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe, rreth 70-75 përqind e këtij numri, është vendosur në dy vende: Greqi dhe Itali, dhe midis tyre Greqia zë vendin e parë të numrit të përgjithshëm të emigracionit shqiptar në botë. Në Itali jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë.

Përgjithësisht prirja e emigrantëve shqiptarë me kalimin e viteve është orientuar drejt vendeve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore (Itali, Gjermani, Holandë, vendet e Skandinavisë, Britani e Madhe etj.), si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.

Vitet e fundit është parë një rritje e numrit të të rinjve shqiptarë që vijnë në Kinë, kryesisht për studime e disa prej tyre edhe për të punuar.

Në programin e sot do të bëjmë një intervistë me Eraldin nga Pogradeci. Ai jeton prej 3 vitesh në Pekin dhe punon si mësues.

1. Sa kohë keni që jetoni në Kinë dhe si morët vendimin për të ardhur këtu?

E-"Në Kinë kam rreth 3 vjet që jetoj e punoj. Para 3 vjetësh, për shkak të pamundësisë së punësimit në Shqipëri, po kërkoja mënyra për t'u larguar dhe gjeta një agjenci që rekrutonte njerëz për të punuar në Kinë. Me agjencinë nuk u bë gjë, por mua më shërbeu si një mënyrë që më dha idenë se paska mundësi punësimi edhe jashtë Europe apo Amerike. Më pas nisa të kërkoja në internet, bëra intervista online përmes skype dhe mu dha mundësia të vija në Kinë".

2. Çfarë bëni në Kinë?

"Kur erdha në fillim kryesisht u mora me mësimdhënien e gjuhës angleze, pastaj mu dhanë edhe mundesi të tjera, si përkthime ose marrja pjesë në disa reklama të ndryshme".

3. Si ju duket puna, me çfarë sfidash perballeni?

"Kina në ndryshim me një vend te vogël si Shqipëria ka diçka që nëse ti studion apo përpiqesh që të zhvillosh një aftësi të caktuar gjithnjë të jepet mundësia për t'u vënë në provë dhe mundesitë janë tepër të mëdha. Normalisht nuk është asgje e lehtë, por ndryshimi i vetëm që nëse punon apo përpiqesh shumë, mundesitë të jepen"

4. Çfarë do t'i sugjeronit shqiptarëve, disa këshilla për ata që duan të vijnë në Kinë?

"Siç ju thashë, une nuk u lidha me asnjë agjenci dhe erdha vetëm këtu. E kur erdha 2 apo 3 muajt e parë kam qëndruar pa punë dhe kam bërë shumë sakrifica derisa arrita të gjeja punë. Tani, ne dëgjojmë që në Shqipëri të gjithë ikin drejt Gjermanisë apo drejt vendeve të tjera e Kina është një nga keto destinacione, por në ndryshim nga vendet e tjera, në Kinë niveli juaj i anglishtes duhet të jetë shumë i mirë. Pavarësisht nivelit të anglishtes muajt e parë do hasni vështirësi, por mundësitë do ju jepen për t'u vënë në provë".

5. Si nis e si përfundon dita juaj

"Edhe kjo është një nga gjerat që mu desh pak kohë të ambjentohesha, duke qenë se në Shqipëri ne pak a shume bëjmë një jetë dembeli le të themi, na pëlqen të qëndrojmë nëpër kafene apo bilardo, ndërsa këtu zgjohem në orën 6 të mëngjesit, në orën 7 shkoj në punë Punoj gjithë ditën deri në orën 5 të pasdites e më pas kam kohë për ta darkuar me familjen apo kolegët dhe takohem edheme miq. Nëse do të argëtohesh kryesisht është jeta e natës ose fundjava, për ata që nuk punojnë në fundjavë.

6-Disa pershtypje per Kinen....

" Të them të drejtën Kina është shumë më mirë nga ajo që unë prisja kur u nisa nga Shqipëria. Përsa i përket ushqimit duhet të provosh shumë për të gjetur se cilat shije të përshtaten, kuzhina kineze është tepër e gjerë. Më pëlqen pula Kong Pao dhe Rosa e Pekinit. Përsa i përket jetesës është një vend tolerant do të thoja dhe nuk ka agresivitetin e europianëve. Kam shkuar në disa qytete si Shanghai, Hong Kong, Tianjin etj., dhe më shumë nga të gjitha më ka pëlqyer Tianjini, ndoshta per vet stilin arkitekturor italian dhe pak francez, por gjithashtu është dhe afër Pekinit.

Kam vizituar pothuajse të gjitha pikat turistike në Pekin, isha shumë kurioz për Murin e Madh, ishte një ekeperiencë e bukur. Ka dhe shumë parqe e vende të tjera, por duhet të shkosh me një mik kinez pasi ai të shpjegon dhe historinë.

 

7. Çfarë të ka bërë përshtypje nga stili i jetesës së kinezëve?

"Ajo që të bën përshtypje është që nuk ka rëndësi se sa herët del në mëngjes, duke parë njerëzit në rrugë ti kupton se të gjithë po shkojnë diku dhe e dinë ku shkojnë, e kanë të planifikuar ditën në punë apo shkollë. Një tjetër gjë që më ka bërë përshtypje është se kinezët janë kryesisht punëtorë dhe kjo është për t'u admiruar. Kam parë shumë kinezë në moshë të madhe rreth të 70-ave, ata çdo mëngjes i sheh duke bërë një kërcim tradicional i ndërthurur edhe me art marcial. Në moshë të madhe ata praktikojnë këto dhe janë tepër të fuqishëm. Para dy javëve isha në një mal të lartë dhe pashë një cift kinez, burri ishte 78 dhe gruaja 75. Ata ishin ngjitur në këmbë në majë të malit. Mendoj se ata kanë një regjim të mirë ushqimor dhe stil të shëndetshëm jetese.

Mesazhi që do i jepja shqiptarëve që duan të emigrojnë në Kinë është se çdokush që mendon se ka aftësi dhe cilësi, por që nuk u është dhënë mundësia në Shqipëri Kina është një mundësiper ta, por edhe vende të tjera aziatike, përfshi Tajlandën, Vietnamin et. Nëse ata dinë mirë anglisht, ndoshta Kina është një opsion për ta. Nuk ka për të qenë e lehtë, por edhe mund t'ja dalësh, mundësitë të jepen gjithnjë.