">Nis sonte Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Pekin<IMG border=0 src=" /mmsource/images/2004/06/29/litsen1.gif">
Nis sonte Festivali i Filmit Ndërkombëtar në Pekin
  2015-04-17 14:41:34

Starton sot në mbrëmje në Pekin Edicioni i 5-të i Festivalit ndërkombëtar të Filmit, me ceremoninë e hapjes në të cilën do të përqëndrohet vëmendja e mediave kineze dhe të huaja, tashmë të akredituara për të ndjekur festivalin. Lajmi më i ri është se i pranishëm në festival do të tjetë dhe aktori amerikan, ish guvernator i shtetit të Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger.

I famshëm në filmin " The Terminator", aktori, i mirënjohur edhe për publikun kinez do të jetë ndër aktorët e filmave konkurrues të Festivalit të Pekinit, si "Maggie" dhe "Terminator Genisys".

Festivali do të zhvillohet nga 16-23 prill në periferi të Pekinit, pranë liqenit Yanqi, ku u zhvillua vitin e kaluar dhe samiti i APEC-ut. Në seleksionimin e filmave të festivalit u paraqitën 930 prodhime kinematografike nga 90 vende të botës, që garojnë për Çmimet Tiantan. Juria e festivalit do të kryesohet nga regjizori i njohur francez Luc Besson dhe në përbërje të tij do të jenë skenaristi dhe producenti amerikan Robert Mark Kamen, regjizori koreanojugor Kim Ki-duk, regjizori brazilian fernando Meirelles, producenti rus Fyodor Bondarchuk, regjizori nga Hong Kongu Peter Chan dhe aktorja kineze Zhou Xun. Të 10 çmimet Tiantan do të jepen për regjinë më të mirë, aktorin dhe aktoren më të mirë, skenarin më të mirë, muzikën më të mirë të filmit. Gjatë javës së festivalit do të zhvillohen forume, takime me median, panaire si dhe premiera filmash.

Kërkesa të shumta për shkollat e artit

Provimet e pranimit në shkollat e artit, ku nisin udhën e tyre yjet e ardhshëm në botën e artit dhe kulturës, kanë qenë tradicionalisht në qendër të vëmendjes kombëtare në Kinë. Në Akademinë e Artit në Hangzhou, të provincës Zhejiang të Kinës lindore, mijëra studentë kanë përfunduar vetëm një provim tre-ditor për të hyrë në akademinë prestigjioze të artit. Për të fituar të drejtën e studimit në një shkollë të lartë arti në Kinë, aplikuesit duhet të kalojnë provimet individuale të artit në muajt shkurt dhe mars si dhe provimet standarde kombëtare në qershor. Konkurrenca është mjaft e madhe. Për shembull këtë vit 58 mijë student do të konkurrojnë për 1,520 vende në Akademinë e Arteve të Kinës. Në Universitetin e njohur Tsinghua, në Akademinë e Arteve të tij konkurrojnë 16,792 studentë për 240 vende.

Studentëve u duhet të udhëtojnë nga një qytet në tjetrin për provimet individuale ,ndërsa përgatisin dhe provimet për hyrjen në kolegj që zhvillohen në qershor, ku i pret testi i gjuhës dhe matematikës.

Sipas Ministrisë së Arsimit të Kinës shumë shkolla artistike në vend kanë shënuar një rritje të numrit të studentëve, veçanërisht pas uljes së numrit të provimeve në këto shkolla.

Reporteri italian Adriano Madaro dhe Kina

Në prill të vitit 1976 reporteti 34 vjeçar italian Adriano Madaro vizitoi për herë të parë Kinën. Me sa duket kjo vizitë e parë ishte me këmbë të mbarë se që nga ajo kohë Madaro në një periudhë 39 vjeçare e ka vizituar 190 herë Kinën. Ai është i pari reporter perëndimor që është lejuar të vititojë këtë vend, si gazetar i lirë para viteve 80-të të hapjes së Kinës ndaj botës, për shkak të dashurisë së tij për të. Ai kujton çdo vizitë me imtësi, pasi e ka të fokusuar në atë që e quan syri i tretë, në aparatin e tij fotografik.


Adriano Madaro

Pas kësaj periudhe të gjatë 39 vjeçare të vizitave në Kinë, tashmë një 73 vjeçar fotoreporteri italian Madaro po përgatit hapjen e një ekspozite fotografike në muzeun Lu Xun të Pekinit. Në ekspozitë do të paraqiten foto të realizuara nga Madaro në Kinën e viteve 1976-1979. Por ka diçka të veçantë në këtë ekspozitë.

Në fotot e ekspozuara janë dhe 39 qytetarë kinezë që Madaro dëshiron ti takojë dhe ata të shohin veten pas kësaj periudhe të gjatë kohe.

Jo vetëm Miss Kina

Ajo quhet Xu Jidan dhe në vitin 2012 fitoi titullin Miss Kina si dhe përfaqësoi vendin e saj në Miss Universe, që u zhvillua në Las Vegas të SHBA-së. Madje në atë konkurs bukurie Xu u nderua me çmimin për "Kostumin më të bukur kombëtar". Pas kësaj eksperience Xu punon pranë degës së Miss Universe për Kinën, ku që prej vitit 2013 është menaxhere ekzekutive. Në një intervistë në median vendëse ajo ka deklaruar se nuk dëshironte të mbetej një modele, por të bënte diçka përtej skenës së spektaklit. Një vajzë shumë e bukur 24 vjeçare, e gjatë 1.78 me një paraqitje të admirueshme femërore, Xu ka mbaruar studimet për dizajn kostumesh në Universitetin Donghua të Shangait.

Pas pjesmarrjes në konkursin e bukurisë Miss Universe, Xu është paraqitur në shumë veprimtari bamirësie, si dhe ka krijuar njohjet e saj me personalitete nga fusha të ndryshme, por edhe ka punuar me të reja që aspirojnë të ndjekin rrugën e konkurseve të bukurisë apo të modës dhe spektaklit. Gjatë muajit mars ajo dhe stafi i Miss Universe në Kinë kanë nisur punën për përzgjedhjen e vajzave pjesëmarrëse në spektaklin final të Miss Universe për Kinën që do të zhvillohet në gusht.

Sipas saj konkursi i bukurisë ka tërhequr gjithnjë e më shumë të reja gjatë vitit 2014, ku 5 mijë vajza aplikuan për të qenë pjesë e këtij konkursi. Xu shton se vitin e kaluar ndër aplikantet 10 % ishin nga vajza kineze që jetojnë jashtë atdheut. Xu thotë se ndonëse këto konkurse bukurie janë më popullore në vendet perëndimore ose në Amerikën Latine apo në Filipine, tashmë interesi për to është rritur dhe në Kinë. Ajo mendon se përveç pjesmarrjes së këtyre vajzave në veprimtari me qëllime bamirësie, këto konkurse shërbejnë dhe si një diplomaci për njohjen e Kinës, imazhit të saj të bukur në arenën ndërkombëtare. Sipas Xu vende të ndryshme të botës janë kureshtarë të njohin Kinën dhe përfaqësimi i vendin në konkurse ndërkombëtare siç është Miss Universe shërben gjithashtu për njohjen e Kinës në botë.

Festivali i muzikës "Lulet e pjeshkës"

Për një muaj nga 6 prill deri në 6 maj do të zhvillohet në kryeqytetin kinez edicioni i 17-të o Festivalit të muzikës "Gonxhet e pjeshkës" në distriktin Pinggu. Drejtori i Departamentit Publik të distriktit Pinggu, Wang Hongyan ka njoftuar për mediet se me ardhjen e pranverës në këtë zonë të Pekinit çelin lulet e pjeshkës në një sipërfaqe prej 14.666 ha dhe kjo pamje ka mahnitur prej vitesh jo vetëm vendësit por edhe të huajt. Ai thotë se turistët e ndodhur para këtij deti të purpurt lulesh pjeshke mund të ndjekin festivalin muzikor por dhe të shijojnë ushqimin e servirur këtu si dhe të marrin pjesë në lojra të ndryshme sportive dhe argëtuese. Me rastin e "Muzikës së Luginës", Distrikti Pinggu do të jetë skena ku do të zhvillohen një sërë veprimtarish muzikore që do të shfaqen për publikun nga 40 grupe rock and roll nga Kina dhe vende të tjera. Fansa të shumtë pritet të ndjekin festivalin nga 1-3 maj.

Eda Merepeza