20150415YlberMarku |
Ylber Marku, është një i ri nga Shkodra që po ndjek studimet e doktoraturës në Universitetin Lingnan të Hong Kongut mbi marrëdhëniet kino-shqiptare. Ai u largua nga Shqipëria në vitin 2000 për të studiuar Shkenca Politike në Itali.
Në shtatorin e vitit 2014, ai u zhvendos në Hong Kong për të vazhduar studimet e doktoraturës. Ylberi zgjodhi Universitetin Lingnan të Hong Kongut, së pari, sepse ai nuk flet kinezisht ndaj dhe dëshiron t'i studiojë marrëdhëniet kino-shqiptare në gjuhën angleze dhe së dyti, sepse profesori i tij, Han Xiaorong, që drejton Fakultetin e Historisë dëshiron ta drejtojë atë të zhvillojë studime në këtë fushë.
Pasi mori bursën e qeverisë së Hong Kongut, Ylber Marku erdhi në Kinë.
Disa ditë më parë, gjatë pushimeve kombëtare të festës Qingming, Ylberi vizitoi Pekinin. Si studiues i marrëdhënieve kino-shqiptare ai u interesua për dokumentarin "Kujtojmë për të mos harruar", që u realizua nga CRI Shqip dhe Radio Ejani në përvjetorin e 65-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës.
Sipas Ylberit, nëpërmjet këtij dokumentari, të rinjtë që nuk e njohin shumë mirë historinë e marrëdhënieve dypalëshe mund të mësojnë më shumë. Ai tha se dokumentari "Kujtojmë për të mos harruar" ka një kuptim të jashtëzakonshëm për të afruar zemrat e popujve të dy vendeve që ndodhen larg gjeografikisht.
Tani Ylberi ka 7 muaj që jeton në Hong Kong dhe mendon se banorët vendas janë miqësorë me të huajt. Si shqiptari i vetëm në Universitetin Lingnan, ai bën prezantimin e Shqipërisë aty, ndërsa thotë se ka vënë re se shumë njerëz nuk e njohin Shqipërinë dhe madje nuk e dinë ku ndodhet.
Ai organizoi një seminar për të shpjeguar historinë, kulturën dhe zakonet shqiptare, ndërsa shpreson se më shumë njerëz do të mund ta njohin Shqipërinë dhe ta vizitojnë atë. Tani për tani ai nuk ka një plan konkret pas diplomimit, por dëshiron të vazhdojë studimet në pjesën kontinentale të Kinës.
Korrespondentja jonë Zhang Zhuo bisedoi më herët me Ylber Markun dhe fillimisht e pyeti për arsyet e vizitës së tij në Pekin.