20150413tregtare |
Krahas popullarizimit të blerjes online, recesioni u bë fjala që po përdoret më shumë për të përshkruar biznesin e qendrave tregtare, ose të shitjes në dyqane tradicionale në Kinë.
Qendra tregtare "Ido Yokado" në Xi'zhi'men, në qendër të Pekinit u mbyll dhjetorin e vitit të kaluar, duke shënuar qendrën e tretë tregtare të kësaj korporate, që pësoi humbje për 9 vjet rradhazi dhe doli nga tregu pekinas brenda një viti.
Por, jo vetëm Ido Yokado, tërë sektori i shitjes tradicionale në Kinë ndodhet në vështirësi të mëdha. Nga veshjet, librat, makinat, deri te pajisjet elektronike, bizhuteritë, dyqanet online po korrin fitore njëra pas tjetrës, kurse qendrat tregtare po pësojnë rënie dramatike në vëllimin e shitjes. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqëria e Biznesit e Kinës, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar u mbyllën mbi 160 qendra tregtare, pjesë e 100 korporatave më të fuqishme kineze për shitjen me pakicë. Në të njëjtën kohë, blerja online ka ruajtur rritje të shpejtë: platforma më e madhe elektronike për tregtim kibernetik Alibaba dhe JD.com secila realizua rritje prej mbi 50%.
Për të konkurruar me dyqanet online, disa qendra tregtare hapën edhe platforma elektronike. Siç mësohet, mbi 70% e filialeve të tyre si Wangfujing, Yintai dhe mbi 60% e supermarketeve si Tesco, Better Life etj., kanë krijuar website për shitje në internet. Megjithatë, krijimi i siteve të veta nuk duket aq i bukur siç mendojnë pronarët. Një sondazh profesional tregon se në krahasim me platformat e fuqishme aktuale, këto website nuk kanë epërsi, pavarësisht nga numri i mallrave apo i vizitorëve. Ndërkohë është e pamundur që qendrat tregtare të ofrojnë çmime njësoj të ulëta si dyqanet online sepse në qendrën tregtare "reale" çdo ditë ka shpenzime për qiranë, furnizimin me ujë, energji elektrike, paga të punonjësve etj.
Siç mësohet, ndër 100 kompanitë më të fuqishme që merren me biznesin e filialeve të qendrave tregtare , mbi 40% e platformave të tyre online patën xhiro vjetore më pak se 5 milionë juanë dhe numri i mallrave që ofrohen nga 50% e qendrës tregtare është afërsisht 3 mijë. Kështu që pavarësisht nga karakteristikat apo çmimet, qendrat tregtare nuk mund të konkurrojnë blerjet online.
Cila është zgjidhja ? Përgjigja e kësaj pyetje është bashkëpunim. Tani, disa shitës janë bërë "aleatë të konkurrentëve", duke zhvilluar me gjithë forcën modelin e biznesit O2O.
O2O është shkurtimi i anglishtes "Online to Offline", që do të thotë integrimi i epërsive të qendrës tregtare me ato të dyqaneve online. Në vitin 2013, kompania e suksesshme e shitjes së pajisjeve elektro-shtëpiake "Suning" vuri në punë platformën e saj elektronike. Në qershor, "Suningu" njoftoi se produktet e saj në internet dhe në qendra tregtare do të shiteshin me të njëjtin çmim. Një vit më vonë, Alibaba shpalli blerjen e një shume të konsiderueshme të kompanisë që menaxhon qëndra tregtare Yintai. Kurse, qendrat tregtare pranë kooperatës Wanda nisën bashkëpunimin në gusht me websitet e njohura Baidu dhe Tencent, duke krijuar kompaninë më të madhe globale O2O.
Lidhur me këtë, Yi Peng, ekspert ekonomik i Institutit Pangoal për studimet e politikave publike, tha se blerja online favorizon shitjen e mallrave të përditshme, që prodhohen në mënyrë standarde. "Kurse, për ato që kanë nevojë për provën e klientëve, si rroba dhe gjërat që duhet të blihen me të parë, qendrat tregtare pa tjetër kanë epërsi të dukshme. Po ti kombinojmë të dyja mund të kenë edhe zhvillim të njëkohshëm", tha z.Yi.
Që nga zbatimi i strategjisë "reformë dhe hapje ndaj botës së jashtme" në fund të viteve '70 të shekullit të kaluar, ekonomia kineze nisi zhvillimin e vrullshëm. Gjatë këtij procesi, qendrat tregtare kanë luajtur një rol të rëndësishëm, duke u ofruar klientëve një eksperiencë të mirë blerjeje. Por tani, shumica e tyre vetëm dëshirojnë të japin vende me qira, por jo të ngrenë aftësinë konkurruese, duke u lënë treg të madh dyqaneve online.
Aktualisht po ndodhin ndryshime. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, një teknikë e re filloi të përdoret në të gjitha qendrat tregtare të Suning-ut. Sipas dizenjimit, klientët po të lidhen me rrjetin WIFI të qendrës, informacionet e tërë procesit të blerjes së tyre do të regjistrohen. Nga të dhënat e mbledhura, inxhinierët mund të dinë ku, kur dhe çfarë kanë vizituar klientët. Në bazë të analizave statistikore, shitësit do të ndryshojnë rregullisht vende demonstrimi të mallrave në kushte të favorëshme.
Por, jo vetëm kaq, disa kompani kanë bërë edhe më shumë.
Bën porosi me internet të lëvizshëm dhe paguan nëpërmjet programit të instaluar në celular. Pastaj pret vetëm që mallrat të dërgohen në shtëpinë tënde. Po të mendosh se kjo është një blerje e zakonshme online, je gabuar. Në fakt, kjo është një eksperiencë që mund të kesh në supermarketet filiale BHG.
Tani, në supermarketin BHG të zonës Tai'yang'gong të Pekinit, çdo klient është edhe arkëtar. Vetëm duke instaluar programin KOSO, një APP të prodhuar nga shitësit, klientët mund të skanojnë kodin dy dimensional të mallrave që duan dhe paguajnë direkt me celular.
Por, metoda e re e blerjes nuk kufizohet vetëm me kaq. Sipas inxhinierit Zhang Zhongxiang, punonjës i kompanisë që krijoi KOSO-n, pas bërjes së llogarisë, klientët mund të zgjedhin edhe mënyrën e marrjes së produkteve. Nëse ata duan të shkojnë diku tjetër, në kinema apo restorant, produktet do të rezervohen te supermarketi, deri kur klientët të kthehen. Por, nëse ata nuk duan të kthehen për ti marrë, mund të zgjedhin "dërgimin në shtëpi". Për ata që banojnë brenda një distance prej 5 kilometrash ky shërbim është falas. Pra, mund të shkoni me duar bosh në supermarket dhe të dilni po me duar bosh. Ndërsa, mallrat do tju presin te dera e shtëpisë suaj.
Znj. Li është një ndër klientët që e provuan këtë mënyrë të re të blerjes online. Ajo zgjodhi mbi 30 mallra në supermarketin BHG në zonën Tai'yang'gong dhe pagoi me celular, porositi dërgimin në banesë. Pas 30 minutash, mallrat mbërritën në shtëpinë e saj që është 1 kilometër larg supermarketit.
Sipas një përgjegjësi të BHG-së, që nga 1 prilli, të gjitha degët e këtij supermarketi filial do të marrin porosi nëpërmjet këtij programi. Pritet njëkohësisht edhe shfrytëzimi më i gjerë i programeve të tjera në celular për t'u dhënë konsumatorëve më shumë përfitime. Blerja online dhe offline në Kinë po shfaq dukshëm një prirje integrimi.